Historia e sportit dhe kulturës

Opinione

Historia e sportit dhe kulturës

Nga: Dedë Palokaj Më: 12 korrik 2018 Në ora: 14:32
Dedë Palokaj

Sporti është pjesë e pandashme e kulturës njerëzore qëllimi i së cilës është argëtimi dhe zhvillimi apo krahasimi i aftësive psikiko – fizike. Historia jep të dhëna të rëndësishme mbi ndryshimet shoqërore të cilat me kalimin e shekujve kanë ndikuar mbi konceptimin e sportit në varësi të kulturave të ndryshme. Sporti si aktivitet që përfshin aftësitë fizikë dhe mendore të njeriut, me qëllim për ti ushtruar dhe përmirësuar vazhdimisht, e për ti përdorur më pas në një mënyre më frytdhënëse na jep idenë se sporti është pothuajse aq i lashtë sa edhe zhvillimi i njeriut.

Për njeriun e hershëm parahistorik, aktiviteti fizik ishte një mënyre shumë e dobishme për të zgjeruar njohjet e tij mbi natyrën. Në fillim sporti është menduar si lojë argëtuese. Por me kalimin e kohës, zbulojmë se në artin parahistorik shfaqen qartë njerëz duke notuar apo duke përdorur harkun për të hedhur shigjetën e drurit. Po këto grafitë të zbuluara tregojnë qartë interesin e njeriut të shpellave për aktivitete të cilat ndoshta nuk ishin të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllimin për tu ushqyer por ishin thjeshtë një zbavitje edhe pse nga këto burime të hershme parahistorike nuk mund të nxjerrim ndonjë provë të pakundërshtueshme mbi aktivitetin sportiv të asaj epoke.

Monumentët arkeologjike dhe shkrimet historike tregojnë qartë se në kohën e sundimtarëve greko – romak dhe të faraonëve egjiptas, praktikoheshin një sërë lojërash sportive si: mundja, gjimnastika, boksi, noti, peshkimi, atletika dhe lloje të ndryshme të sporteve më top. Vlenë të përmendën Lojërat Olimpike që janë zhvilluar në Olimpia të Greqisë, nga shekulli i 8-të para Krishtit. Shumë gjëra janë të ndryshme nga ajo kohë dhe nuk kanë të bëjnë shumë me lojëra të antikitetit,      por thelbi i garës së sportit, ai i shpirtit Olimpik është edhe sot e kësaj dite, siç është Kampionati Botëror i futbollit, një ngjarje që tërheq vëmendjen e botës çdo 4 vjet.

Perandorët romak, sundimtarët e lashtësisë greke dhe faraonët egjiptas, së bashku me burrat e shtetit merrnin pjesë shpesh në gara sportive duke i mbështetur fuqimisht ato pasi i shikonin si një bazë e mirë për formimin e njeriut. Mu për këtë ata investonin shumë për artin, kulturën dhe sportin në përgjithësi.

Për disa sporti është shëndet, për disa lumturi, për disa jetë, për disa sukses, për disa mësim, për disa edukim, për disa ngadhënjim, për disa shoqërim etj., ndërsa për disa tjerë sporti është luftim e ashpër dhe i përgjakshëm. Disa nga sportet janë luftarake, sadiste dhe tejet të dhunshme si të gladiatorëve antik, që sot i quajmë shkathtësi apo arte, e që shpesh i hasim të quhen “Arte Marciale” apo “Martial Arts”. Çfarë fisnikërimi është nëse kundërshtari yt sportiv ta thyen hundën e dhëmballët apo të bën për karrocë invalidore? Agresiviteti dhe brutaliteti qoftë edhe në sport mishërohen në veprimet e njeriut, i cili është vetpërgjegjës për veprimet e tij dhe vuajtjet e të tjerëve.

Në Perandorin Romake, boksi ishte jashtë mase i dhunshëm dhe ndonjëherë vdekjeprurës. Boksierët mbështillnin përreth grushteve rripa lëkure të ashpër ku fusnin copa metalike që të bënin copë e grimë kundërshtarinë e vet. Shkrimet historike flasin për një boksier me emrin Stratofonte i cili nuk e njohu veten në pasqyrë pasi kishte bërë boks për katër orë rresht. Statujat dhe mozaiqët e lashtë dëshmojnë për shpërfytyrimin e tmerrshëm të boksierëve dhe të garuesve të sporteve të dhunshme. Garat në amfiteatret romake ndërmjet gladiatorëve (skllavërit e shitur) prej të cilëve përfitonin pronarët e tyre, ishin fatkeqësia, sadizmi dhe ligësia më e madhe e asaj kohe. Garat dhe luftimet që zhvilloheshin në koloseum ishin nga më të ndryshmet, luftime gladiatorësh mes tyre, luftimi i tyre me bishat, garat me karroca e deri te demonstrimi i luftërave me anije, në arenën e koloseumit, e cila në ato raste mbushej me ujë.

Mu për këtë sporti i mirëfilltë është shumë më tepër se një lojë sepse është një mënyrë ideale për socializimin e shtresave kulturore ku individët mund të krijojnë barazi dhe një identitet njerëzor sikurse se që krijon arsimimi, karriera akademike, feja, apo politika. Për disa njerëz sporti është rekreacion, ndërsa për disa tjerë është profesion. Sporti posedon fuqi të jashtëzakonshme për t’i fëshirë kufijtë në mes popujve dhe shteteve të ndryshme të botës për ta bërë botën më të mirë. Një popull me sport të zhvilluar, tregon edhe vitalitetin e vet, por edhe përkujdesin që e tregon për kulturën e vet të gjithmbarshme.

Në kohën e sotme futbolli është sporti më i dashur dhe më i shikuari në botë ku një top i vogël e vënë në ‘lëvizje’ topin e madh, globin tokësor. Si çdo sport tjetër edhe futbolli pasqyron jo vetëm lojën dhe sjelljen e lojtarëve në fushë, por edhe edukatën dhe kulturën e tyre dhe të shteteve prej nga vijnë. Ashtu siç kemi stërvitje fizike, kemi edhe stërvitje sjelljesh morale dhe etike. Sporti pa edukatë cilësore dhe veti njerëzore nuk ka kuptim. Gjithçka është më shumë se një garë. Para se dikush të bëhët lojtarë i mirë duhet të jetë njeri i mirë.

Kultura dhe kulti i trupit

Çdo ditë dëgjomë se kultura identifikohet si kulturë e artit, letërsisë, muzikës,  sportit etj., pastaj kultura e prodhimit bujqësorë siç është ajo e hardhisë së rrushit, duhanit, patateve, domateve dhe kulturën e botës bimore në përgjithësi. Por çka është në të vërtetë kultura? Kultura është prodhimi i mendjes dhe i dorës së njeriut si nga aspekti shpirtërorë dhe ai material me vlerat dhe normat e veta dhe çdo gjë që ka prodhuar dora e njeriut dhe mendja e tij në përgjithësi është kulturë. Kultura ka lindur bashkë me njeriun, atëherë kur ai ndërmori veprime për bërjen e veglave për të bërë një apo diçkaje tjetër që jetën t’ia bënte sa më të rehatshme. Me bërjen e sendit të parë, lindi edhe vet kultura dhe çdo gjë tjetër që njeriu ka bërë më vonë është kulturë. Sepse ajo u bë nga vet njeriu, nga ideja dhe nga dora e tij. Në këtë kontekst çdo vepër që bënë njeriu është kulturë. Me kalimin e kohës, kur njeriu filloi t’i përsosë aftësitë e tij dhe me njohjen sa më shumë të botës e cila e rrethonte, ai filloi t’i klasifikonte gjërat, të lindin sende të reja, ku secila përvojë me kalimin e kohës u përsos dhe bëri ndarjen dhe profilizimet në çdo punë. Vit pas viti, shekull pas shekulli ndër njerëzit filloi të dëgjohej shprehja: njeri me kulturë, familje me kulturë, popull me kulturë etj.

Kulturë (lat. cultura) don të thotë: lavrim, punim, zhvillim etj. demethënë ështe tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzimit në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror, mendor dhe shpirtëror. Kultura, si qëndrim i veçantë i njeriut ndaj mjedisit rrethues, dallohet nga karakteri krijues dhe simbolika. Ajo është tipar dallues vetëm i njeriut të të gjitha epokave. Njeriu fillon të behët i tillë, në dallim nga kafshet e tjera, pikërisht sepse koncepton botën në mënyrë simbolike. Kultura mund të ndahet në disa mënyra, sipas kohës, vendit, kuptimit dhe sipas grupimeve të njerëzimit si: kultura personale, familjare, kultura e meteriale, kombëtare, kultura e sportit etj. Njeriu është bartës i kulturës.       

Jetojmë në një botë, ku mbretëron kulti i trupit, lakuriqësisë dhe mjerimit moral. Kultura e veshjes, sidomos mënyra e ekspozimit të trupit të femrës, vazhdimisht ka qenë një betejë mes konservatorizmit dhe liberalizmit, me kufij të shtyrë përherë drejt një manifestimi më të dukshëm të hireve femërore, si kremtim i bukurisë, por edhe joshjes seksuale. Shoqëria moderne ka ridimensionuar raportet e të ndaluarës me të lejuarën në ekspozimin e trupit të femrës dhe hireve të saj në hapësirën publike, në kohën e lirë, në institucione dhe për më tepër, në mediumet elektronike, spektakle, videoklipet dhe përditshmëri.

Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë (mens sana in corpore sano) ishte moto e romakëve të lashtë. Mendja e shëndoshë ka nevojë për një trup të shëndoshë. Trupi ka vlerën e vet, nuk mund ta mohojmë. Por, kujdesi i jashtëzakonshëm për trupin ka gjithnjë rreziqe me vete. Reklamat, për shembull, na tregojnë trupa të bukur: rrallë paraqesin të sëmuarit apo moshuarit që vuajnë. Trupi vihet kaq shumë në dukje, sa që nuk shohim më atë që është më i rëndësishëm se trupi, nuk shohim shpirtin, vullnetin dhe lirinë. Janë vlera abstrakte, por të rëndësishme për të t’i dhënë trupit vendin e duhur. Kulti i trupit është shumë i rrezikshëm, pasi dëshira për ta dominuar përmes vullnetit të njeriut, e kthen trupin në tiran shtypës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat