Shqipëria e Kosova do të ishin përfaqësueset e duhura të të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës

Opinione

Shqipëria e Kosova do të ishin përfaqësueset e duhura të të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës

Nga: Valon Jashari Më: 12 korrik 2018 Në ora: 06:09
Valon Jashari

Presheva dhe Bujanoci janë duke u përballur në prag të një rreziku për të mbetur si një pakicë edhe në qytetin e Bujanocit dhe të Preshevës sikurse Medvegja, nga rrethanat politike të represionit shtetëror serb. Kjo politikë diskriminuese me elemente të paramendimit të një politike shtetërore serbe me tendenca të qarta ekspansioniste që të shpërngulin popullatën shqiptare nga trojet e tyre nga dita në ditë po duket gjithnjë e më shumë. Ky rrezik serioz së paku edhe për një periudhë dhjetë vjeçare do ti jepte rezultatet negative, nëse shikojmë tani për një periudhë po kaq të gjatë janë shpërngulur rreth gjysma e popullatës, nëse marrim për bazë numrin e nxënësve nëpër shkollat fillore dhe të mesme, ku numri i tyre është i përgjysmuar. Këtë gjendje ditë e më shumë e rëndon edhe politika ditore serbe ku personalitete shtetërore serbe sikurse tani së fundit nga kërcënimi i Daçiqit, nuk hezitojnë të bëjnë kërcënime direkte ndaj një popullate shqiptare e cila është e pa mbrojtur.

Klasa politike lokale shqiptare lë shumë pak për të dëshiruar pasi që në heshtje me vetëdije të plotë po kontribuon në politikën e Beogradit, në dëm të asaj shqiptare. Kjo kohortë politike lokale e cila nuk përfaqëson më shumë se do interesa klanore e grupore për qëllime shumë të ngushta të tyre, as që mund të pritet të ndodhin ndryshime në një të ardhme të afërme. Me këtë klasë politike shteti serb edhe është i kënaqur me nivelin e qeverisjes lokale, ku shkalla e korrupsionit, nepotizmit dhe klaneve të caktuar është dukshëm e theksuar, dukuri të cilat direkt ndikojnë edhe në keqësimin e gjendjes së përgjithshme politike tek popullata shqiptare.

Shtresat intelektuale vetëm ka kohë se janë shpërngulur si në Kosovë, e gjetiu nëpër Evropë, kjo gjendje bënë që dhe në nivelin e politikës lokale të qeveriset me kuadro të pa kualifikuar. Shoqëria civile edhe pse ekziston sa për të thithur disa fonde të majme dhe aspak si një shoqëri civile aktive qytetare.

Prishtina e Tirana duke u përballur me vështirësitë e brendshme, rezonimi i politikës së tyre në këtë rajon është tejet i zbehur, dhe pa ndonjë projekt konkret në dobi të ruajtjes së etnitetit shqiptar.

Serbia po mundohet që të mbajë frekuenca kontrolli të ndikimit në zona të caktuara edhe në Kosovë, sidomos përmes pakicës së etnitetit serb që ka arritur në mënyrë shumë të theksuar të ketë qasje në shumë institucione relevante të Republikës së Kosovës. Dhe rrjedhimisht çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës karshi bashkësisë ndërkombëtare të mbetet nën hije. Me këtë politikë që po ndjek shteti serb duke mbajtur gjithnjë në ofensivë politikën e saj sidomos ndaj Kosovës po arrinë t’i mbyll gojën politikanëve të Kosovës që as në mendje të mos i shkojë çështja e Kosovës Lindore gjegjësisht e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Nga ana tjetër politika defensive nga ana e Prishtinës,  në kërkim të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, po kontribuon që kjo popullatë shqiptare autoktone të vijë pran një pozite të pa favorshme për të vepruar. Veprimi apo tërheqja e ndonjë paralele me atë të Kosovës, sikurse u bë së fundmi tërheqja e pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, sikurse të ndikonte që edhe pjesëtarët shqiptar të Policisë Multietnike të tërhiqeshin në Preshevë Bujonoc dhe Medvegjë edhe pse numri i tyre është shumë i vogël dhe pa asnjë ndikim, dhe gjithnjë po potencohet se po dëmton çështjen e Kosovës dhe me këtë rast edhe identitetin e saj të ri shtetformues.

Duke marrë për bazë nivelin e ulët të vetëdijes së kësaj klase politike  lokale, si dhe divergjencat që kanë në mes vete, është e rrugës që çështja shqiptare e Kosovës Lindore, gjegjësisht e Preshevës, Bujanoict dhe Medvegjës të shtrohet në tryezën e bisedimeve, në këtë rast me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por e përfaqësuar nga Shqipëria e Kosova, pasi që vetëm Shqipëria e Kosova, do t’i përfaqësonin të drejtat e shqiptarëve të kësaj popullate më mirë se sa politikanët lokal të Kosovës Lindore.

*Historian, aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat