NënëLokja heroinë që qëndroi me djemtë e UÇK- së

Opinione

NënëLokja heroinë që qëndroi me djemtë e UÇK- së

Nga: Besnik Ukshini Më: 8 korrik 2018 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Mine Man Ukshini lindi buzë bjeshkës së Shkëlzenit në një familje ushtarakësh të lartë, të Mujë Hoxhës, Rrustem Bajramit, Ali Rrustemit të Hoxhajve të Gashit. U martua e re e vazhdoi të rritet te bashkshorti i saj Brahim Beqë Ukshini në Morinë të Gjakovës. Në këtë shtëpi, që kishin vra Qaushë të Perandorisë Osmane dhe kishte traditë atdhetarizmi, i ra t’i njihte e shoqërohet edhe me Marije Shllakun e Bije Vokshin, të dyja heroína shqiptare që shumë shpesh qëndruan në familjen Ukshini. Marie Shllaku ishte ndër udheheqësit e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare siç ishte edhe Brahim Beqë Ukshini.

Bashkshorti i NënëLokes, Brahimi, pas dekonspirimit të organizatës NDSH, u arrestua dhe u denua me 20 vjet burgim. Pasi që familja kishin edhe Hazirin kaçak në mal , e tërë familja Ukshini u internua nga Morina në fshatin fqinjë Brovinë. Shërbimi sekret ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, e vizitonin ditë për ditë familjen për ti torturuar, kërcënuar dhe friguar, në mënyrë që të tregonin vendndodhjen e kontaktet e supozuara me Brahimin. Ishte vera e vitit 1947, një vit pas burgosjes së grupit te NDSH-së, burgu i Pejës i quajtur Kullat e Sheremetit ishte thyer nga të burgosurit. Shumë nga të burgosurit ishin vrarë nga forcat jugosllave e disa kishin arritur te shpëtonin e iknin.

Brahim Beqë Ukshini, bashkshorti i NënëLokes ishte tmerr dhe konsiderohej i rrezikshëm për shtetin jugosllav. Andaj, OZNA bënte presion të pa parë mbi familjen Ukshini, e veçanërisht në Mine Ukshinin- NënëLoken si bashkshorte e tij. Në një rast një shqipfolës që ishte pjestar i OZNA-s i kishte thënë NënëLokes se ti e di ku e ke burrin dhe po deshe t’ia shpëtosh fëmijët, trego menjëherë. Ajo iu kishte dal para fëmijve të vet, e kishte pështyrë në fytyrë atë mjeran dhe i kishte thënë se edhe Ai/ Brahimi është duke të kërkuar ty. Ndërkaq nën këmishën e veshjes rekjane Ajo mbante pistoletën ‘mauser’ të  bashkshortit të saj, me 10 fyshekë në gojë.

NënëLokja ishte lindur trimëreshë, por edhe ishte kalitur me atdhedashuri në familjen patriotike të Ukshinëve. Familjes Ukshini nuk iu nda vuajtja, presioni e torturimi, rrethimi, bastisjet e shpeshta, ndonjëherë edhe tri herë brenda një nate, deri në vitet e 70-ta kur Kosova pat fituar një Autonomi politike. Djali i madh i NënëLokes, Jusufi, një nga pishtarët e arsimit në rrethinë të Gjakovës, tërë jetën e tij u torturua, u burgos e u keqtrajtua derisa humbi shëndetin nga UDB-a  famkeqe jugosllave dhe vdiq më 1962 në moshën 27 vj. Edhe kësaj radhe NënëLokja qëndroi stoike duke i rritur fëmijët e të birit të saj, Shkurtën e Besnikun bashkë me jetimët e vet.

Në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bënte një luftë heroike në front dhe njëkohësisht furnizonte me armë të shumta rajonet e Kosovës. Serbia donte me çdo kusht e çmim ti shpartallonte njësitet e UÇK-së në Morinë në mënyrë që të ndërpriste furnizimin me përgatitje ushtarake dhe trupa të reja frontet e Kosovës. Shteti serb organizoi njësitet elite që të pushtonin Morinën. Shtabi i UÇK-së në Morinë duke pas këtë rrethanë parasysh morën vendim që gra e fëmijë të largonin nga shtëpitë e nga rrethina. NënëLokja heroinë nuk dëshiroi të largohet dot nga fshati, bile ftoi edhe gra e vajza tjera që të qëndrojnë në ndihmë të djemve, vëllezërve e burrave te tyre. Nëse nuk dini të përdorni armët, atëherë ju mbushni karikatorët e pushkëve me municion, gatuani e lani veshjet e tyre u kishte thënë. Ato respektuan urdhrin e shtabit te UÇK-së së Morinës dhe u larguan nga fshati. Ndërsa Lokja, refuzoi këtë urdhër duke thënë se nuk i lë vetëm djemtë e nipat e mij dhe djemtë e Morinës që ju kam gatuar shumëherë. Ajo nuk e ndegjoi as nipin e saj Samiun, Komandant Sokolin, dhe qëndroi.

Dita ditës në verën e 98-ës, forcat sërbe çelikosnin rrethinën e fshatit Morinë. Sollën njësitet famkeqe “Franki”, njësi speciale të ardhura nga Rusia, si dhe trupa tjera elite. Samiu, Komandant Sokoli i kishte thënë NënëLokes, të lutem Loke tani duhet të të largojmë se jemi keq të rrethuar, mund të ndodh na i marrin pozitat, e ndoshta duhet te tërhiqemi e nuk mundemi pa Ty. Ajo i kishte thënë të nipit, Komandant Sokolit, mos lini frontin as shokët që të vini te unë për të më tërhequr. Vetem më jep dy bomba dore dhe më le një pushkëmitraloz tek dritarja e dhomës këtu në shtab. Ashtu edhe u bë sepse Samiu e njihte vendosmërinë dhe pathyeshmërinë e fjalës së gjyshes së Tij. I kishte hjekur bombat nga brezi i vet dhe ia kishte dhën gjyshes, kishte urdhëruar një ushtar që të vendoste një pushkëmitraloz të lehtë te dritarja e shtabit. NënëLokja kishte ruajtuar e fshirë mitralozin e armët tjera te bashkshortit me dekada dhe dinte ti përdorte të gjitha armët e lehta pa problem.

7 Korrik 1998.

Karaulla ushtarake serbe në Morinë mbante emrin “7 juli” dhe ushtria e politika serbe zgjodhën këtë datë që të shpartallonin frontin e Morinës me të gjitha forcat që kishin rrethuar Morinën. Ishte një sulm ku ushtria serbe përdorën të gjitha llojet e armatimit që posedonin. U zhvilluan luftime të forta edhe nga afërsia në disa metra ku u vranë e u plagosën edhe ushtarët nga radhët e UÇK-së.

Në këtë betejë ranë për të mos vdekur kurrë tetë dëshmorë të Morinës.

Meqë lufta ishte e rreptë dhe sulmi i vazhdueshëm, NënëLokja kishte pritur kur po ktheheshin djemtë ashtu si çdo ditë tjetër fitimtarë. Djemtë edhe pse fitimtarë, kishin vrarë rreth 70 ushtarë serb në atë betejë, nuk u kthyen më. Atë ditë ranë dëshmorë Arben Ukshini, Blerim Ukshini, ra Neziri , ranë 8 sokola te Morinës.

Një batalion i ushtrisë serbe në krye me eprorë suprem të tyre ia kishin mësyrë shtabit të UÇK-së. Aty ishte një ushtar i plagosur, një ushtar që të përkujdesej për të plagosurin, kuzhinieri dhe NënëLokja, Mine Ukshini. Ushtari dhe kuzhineri duke parë rrethanat e krijuara kishin nxjerr të plagosurin jashtë por NënëLokja refuzoi të dilte nga shtabi. Tërë territori ishte mbuluar nga ushtarët serb dhe ishin kapur nga sërbët edhe këta të tre.

Një grup oficerësh të lartë të shoqëruar me ushtarë me ngazëllim ishin futur në shtabin e UÇK-së. Sapo kishin hyrë ishin dëgjuar dy shpërthime të fuqishme njëra pas tjetrës dhe britma e oficerëve e ushtarëve serb. NënëLokja.. Mine Mani Ukshini kishte ndezur bombat që ia la i nipi dhe u bë bashkë me bombat, hodhi në ajr disa oficerë e ushtarë serb. Ajo nuk lejoi që shtabi i UÇK-së të binte në duart e serbve, ra për të jetuar gjithmonë.

Patriotizmi e ideali kombtarë që e mori nga bashkshorti Brahim Beqë Ukshini, trimëria e çiltërsia që e kishte trashëguar nga babai i saj Man Arif Hoxha, si dhe frymëzimi nga Marie Shllaku e Bije Vokshi e renditën përkrahë të këtyre dyjave, heroinë.

Shpirti i beftë dritë për brezat e ardhshëm e bashkim kombëtar.

Lavdi!

Mine Man Ukshini, bashkshortja e Brahim Beqë Ukshinit, gjyshja e Sami Ukshinit / Komandant Sokolit, Arbenit, Muhametit, Blerimit, e NënëLokja e djemëve të Morinës ushtarë të UÇK-së, NënëLokja jonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat