Barleti si burim historiografik i bardhit për Skënderbeun

Opinione

Barleti si burim historiografik i bardhit për Skënderbeun

Nga: Lush Culaj Më: 24 qershor 2018 Në ora: 14:46
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Si historia helene dhe romake, ashtu edhe histo­rio­grafiamesjetare do të karakterizohet nga e njëjta metodë, (Si historiografia helene dhe romake, ashtu edhe ajo mesjetare u karakterizua) domethënë mbështetet në faktet e traditës dhe ajo do të kishte mjetet e domosdoshme për të kritikuar tra­ditën. Historiani i mesjetës qëndron më pranë Livit. Ai nuk i zotëron mjetet për ta studiuar daljen e traditës ose ta analizojë atë me komponentët e saj përbërës. Kriticizmi i tij ishte më shumë personal, joshkencor dhe josistematik, gjë që i linte më shumë vend besimit.

Për dallim nga Livi, historiani i mesjetës e trajton këtë material nga pikëpamja universale, por vuan ( i mungon )nga metoda kritike. Kjo dobësi nuk ishte diçka e rastit, nuk varej nga mungesa e burimeve dhe materialeveqë kishte në dispozicion. Kufizimi nuk vinte nga ajo se ç’ka mund të bënin, por nga ajo se çfarë donin të bënin.

Në shekullin XVII historiografia shqiptare e periu­dhës së Skënderbeut përfaqësohet nga Frang Bardhi, një shkrimtar pak a shumë i ngjashëm me stilin e Barletit, por, për dallim nga historiani humanist, ky jetoi dhe veproi deri në fund të jetës së tij në Shqipërinë e pushtuar nga Perandoria Osmane. Frang Bardhi, i lindur në Kallmet të Zadrimës më 1606, rridhte nga një familje që kishte dhënë edhe më parë klerikë, ndërsa shkollimin e bëri në Itali. Është një ndër lëvruesit e parë të gjuhës shqipe –autori i Fjalorit latinisht-shqip (Dictionarium latino-epiroticum), të cilin e botoi në Romë më 1635.  Nga ai kemi gjithashtu mjaft relacione të hollësishme mbi gjen­d­jen e brendshme të Shqipërisë, të cilat, në saje të fun­ksionit si klerik katolik i Sapës dhe i Sardës (Zadrimës), ai ua dërgonte eprorëve të vet në Romë.

Më 1636 Bardhin e gjejmë në Venedik, ku boton edhe një libër të vogël latinisht, në të cilin e mbron me këmbëngulje origjinën shqiptare të Gjergj Kastriotit, duke kundërshtuarnjë autor boshnjak, i cili pesë vjet më herët kishte bërë përpjekje që Skënderbeun ta paraqiste me origjinë boshnjake.

Ndoshta Frang Bardhi nuk do ta kishte bërë apologjinë mbi Skënderbeun, sikur kolegu i tij, pesh­ko­pi katolik i Bosnjës, Ivanna Tomka Marnavicha, të mos e kishte fyer popullin shqiptar.Emrin e këtij të fundit e hasim në disa versioni të ndryshme, ndërsa referimi i larë cekur është marrë pikërisht nga libri i tij : “Osmanschica”.Ishte pikërisht periudha kohore kur vepra monumentale e Marin Barletit kishte primatin e plotë në literaturën botë­ro­re skënderbegiane dhe askush deri atëherë nuk kishte tentuar që shqiptarëve t’ua rrëmbente heroin e tyre kombë­tar. Brenda në Shqipëri figura e lavdishme e Gjergj Kas­triotit, apo “Kulshedra e Arbënit” siç e quan Frang Bardhi në një vend të fjalorit të tij, vazhdonte t’i frymëzonte ma­sat popullore liridashëse në kryengritjet e pandërprera kundër sundimit turk. Mirëpo, në vitin 1631, Tomku botoi një libër në latinisht (fig. 1), ku përpiqej ta nxirrte Gjergj Kastriotin me origjinë boshnjake, madje si një pinjoll të familjes fisnike sllave të Marnaviqëve, nga e cila familje rridhte edhe ai vetë. Pikërisht në këto rrethana dhe në polemikë me autorin boshnjak, u shkrua dhe u botua vepra e Frang Bardhit.

Image

 Frang Bardhi, i cili e shkroi veprën e vet në lati­nisht, ia vuri një titull kuptimplotë: Georgius Cass­trio­tus Epirensis vulgò Scanderbergh, Epirotarum Princeps forti­ssi­mvs ac invictissimus suis, et Patriae restitutus. per Fran­cis­cum Blancum. (Gjergj Kastrioti Epirotas, i quajtur për­gjithë­sisht Skënderbeg, Princi shumë i fortë dhe i pathye­shëm i Epirotëve që i kthehetpopullit të vet) (fig.2). Apologjia e Skënder­beut, e shkruar në latinisht, dëshmon aftësitë e Frang Bardhit për njohjen e kësaj gjuhe, erudicionin e kulturën e tij historike, e mbi të gjitha admirimin e tij për heroin tonë kombëtar dhe traditat atdhetare. “Po të mos e shkruaja këtë vepër, - thekson ai në parathënien e librit - do të tradhtoja me turp veten time dhe atdheun tim”.

Ky libër, që u botua në Venedik në vitin 1636, është një trakt historik me karakter apologjik, i ndërtuar mbi boshtin e një polemike shkencore. Qëllimi i Bardhit ishte që të hidhte poshtë pikëpamjen absurde të Tomkut dhe të vërtetonte përmes faktografisë e dokumentacionit historik shqiptarësinë e Gjergj Kastriotit. Kryesisht me realizimin e kësaj detyre Bardhi merret në pjesën e parë të punimit me historinë e familjes boshnjake të Mërgnaviqëve dhe, pas analizave e studimeve të stërholluara me seriozitetin e një studiuesi e ndonjëherë me ironinë e një polemisti, dëshmon se paraardhësit e Tomkut nuk kanë pasur asnjë lidhje as me Shqipërinë e as me Gjergj Kastriotin. Me gjithë demaskimin e plotë që ia bëri Tomkut në pjesën e parë të librit, pjesa e tij e dytë mund të konsiderohet edhe më e fuqishme. Aty Bardhi analizon thelbin e problemit si kundërvënie ndaj Tomkut, ku merret dhe pasqyron të vërtetën mbi shqiptarësinë e Gjergj Kastriotit. Për ta realizuar misionin e tij të ndriçimit të kësaj të vërtete historike, Bardhi në ketë pjesë të studimit parashtron një varg dëshmish historike me vlerë autentike nga fusha e dokumentacionit arkival, kronikal dhe letrar. Gjatë para­shtrimit të këtyre dëshmive Bardhi krijon një bindje te lexuesi se ai është një historian erudit që mund të qëndrojë lirisht përkrah historianëve evropianë të periudhës së vet.

Për Bardhin, Barleti ishte burim shumë i rëndësishëm historiografik në trajtimin e këtij studimi. Në stilin e histo­rio­grafëve romakë edhe Barleti ngjarjet kryesore në jetën e Skënderbeut i paraqet duke u kushtuar rëndësi si për­shkri­mit të marrëdhënieve politike, situatave dramatike strate­gji­ke, po ashtu edhe fakteve të ndryshme gjeografiko-etno­gra­fike. Kështu, Barleti flet për raportet ndërmjet princër­ve dhe feudalëve shqiptarë për marrëdhëniet politike dhe ekonomike të shtetit shqiptar të Skënderbeut. Përmes këtyre të dhënave Bardhi gjen te Barleti origjinën e lavdisë e të krenarisë së trimërive të Gjergj Kastriotit dhe të popu­llit të tij, si dhe themelet e vazhdimësisë e të vitalitetit historik të popullit të sakrifikuar shqiptar për ideale të shenj­ta e që ishin edhe thellësisht humane.

Pra, Frang Bardhi e njeh veprën e Barletit, vepër që është burim i rëndësishëm për të, por ai nuk e përdor me­to­dën e tij tregimtare, as stilin e tij letrar. Sado që shqip­tarësinë e Gjergj Kastriotit e mbron me pasionin e një pat­ri­oti - madje duke u krenuar që është bashkatdhetar i një trimi aq të lavdishëm, por megjithatë Bardhi mbetet një historian i mirëfilltë.

Në përpjekjen e suksesshme që t’i kundërvihej Tom­kut, Bardhit fillimisht i shërbejnë si burim historio­gra­fik të dhënat e Barletit në raport me Huniadin e Hungarisë, me ç’rast Bardhi konkludon se Barleti i kishte përshkruar ato ngjarje me saktësi. Për ta argumentuar në mënyrë sa më bindëse shqiptarësinë e Skënderbeut, Bardhi e citon Bar­le­tin, i cili, në një letër të Huniadit dërguar Skën­der­beut, theksonte ndër të tjera: “Kur ytë atë, Joan Kastrioti, i rrë­mbyer nga fati i zi, një princ, siç dëgjoj, që e ka merituar me plotë të drejtë mirënjohjen e të gjithëve etj”. Pra, që­llimi i Bardhit, përmes këtij argumenti që e kishte ofruar Barleti, ishte që të dëshmonte, ndër të tjera, se i ati i Gjergj Kastriotit quhej Gjon Kastrioti. Barleti, duke folur për origjinën e Skënderbeut që në librin e parë, thekson ndër të tjera se në Epir nga mbretërit e vegjël shquhej Gjon Kas­trioti, si për sundimin e tij në qytete të tjera e veçanë­risht edhe në Krujë.  Pikërisht, duke mbë­shtetur këtë origjinë, Bardhi e citon Barletin, kur thoshte për Gjon Kas­triotin: “Mbi të gjithë, ishte pikërisht Joani ai që spi­kati për urtësi, rëndësi e shpirtbardhësi të paepur, pastaj edhe me virtyte të tjera, si dhe për bukurinë e rrallë të tru­pit, në ia vlen në këtë rast të përmendim edhe ketë veti”.  Duke u mbështetur në këto të dhëna, Bardhi për­fun­don, me të drejtë, se këtu duhet vërejtur me vëmendje fjalët “krerët e fisit të Kastriotëve”, sepse me këto fjalë Barleti ia njeh fisit të Kastriotëve jo vetëm një themelues (siç bën Tomku që e nxjerr si themelues të vetëm të këtij fisi Juanisin, të birin e Vukashin Margnaviçit), por më shumë. Një argument tjetër i fuqishëm i Bardhit, sipas Barletit, ishte se shihej qartë se në periudhën e Gjonit, babait të Skënderbeut, kanë jetuar shumë Kastriotë, sepse përndry­she nuk mund të theksonte Barleti se “mbi këta të gjithë ishte pikërisht Joani ai që spikati”. Dëshmi e fuqishme kundër Tomkut, sipas Bardhit, ishte edhe fjalimi i Ferdi­na­ndit të Italisë para se të ndahej me Skënderbeun, i cili, sipas Barletit, foli kështu: “Megjithëse unë i jam falur emrit tënd, o princ i ndritur Skënderbe, megjithatë unë po të falem ty sidomos sot, sepse unë pashë tani dhe provova vetë me sytë e mi, në punë e sipër, më shumë dhe më tepër nga ç’thonë dhe nga ç’tregojnë zakonisht për ty. E s’është çudi, kur ti e ke zanafillën nga stërgjyshër e nga një vend i tillë, siç është Epiri i pamposhtur apo Arbëria, e quajtur dikur Maqedoni, në të cilën kanë lindur e lulëzuar gjith­mo­në sa e sa prijës nga më fisnikët e nga më të pathye­shmit, sa e sa udhëheqës e kapedanë nga më krye­trimat e më energjikët, të cilët duke luftuar me rreptësinë më të madhe, shtruan edhe mbarë botën. Këtyre pastaj ua zunë vendin më radhë pasardhësit e tu dhe ti, o princ i pathye­shëm, i dërguar nga Zoti dhe i zbritur, si të thuash nga qielli, më qëllim që të bëje gjithë këto vepra të ndritura dhe gati të pavdekshme për çështjen e krishterimit”.

Pas këtyre Bardhi shton menjëherë fjalët më shumë rëndësi të vetë Skënderbeut, të cilat ai, sipas Barletit, ua kishte thënë princërve të Epirit, pas rregullimit të mbretë­risë së tij atërore: “Por pse, për perënditë e pavdekshme të veproja kështu, që të flas më lirisht me ju? Mos do të ishte pra e drejtë që bashkëqytetari i juaj të qëndronte përgjith­monë i mërguar larg atdheut, në skllavëri pranë Muratit, në mes gjithë atyre rreziqeve e në fe të dënuar, apo mos do t’i duhej më mirë ta ngryste jetën në Epir, në truallin ku lindi, pranë të krishterëve, pranë jush”.

Image

Duke u mbështetur pikërisht në një të dhënë të Bar­letit për Skënderbeun, Bardhi u përpoq që t’i kundërvihej Tomkut edhe me dy dëshmi shtesë që tregonin origjinën e vërtetë të kryetrimit tonë, por që, njëkohësisht, tregonin shpirtmadhësinë e tij me rastin e lirimit të ushtarëve kun­dër­shtarë të zënë robër, kur i kishte shkuar në ndihmë mikut të tij Alfonsit. Ai, ndër të tjera, do të theksonte: “Më kujtohet veç kësaj ai gjesti bujar e i përmendur, që e bëri kundrejt romakëve Pirroja im me nam, mbret i epirotëve, kur si i dërrmoi pa mëshirë ushtritë në këto fusha, i la të lirë, si dhuratë pa shpërblim, të gjithë robërit që zuri, si njeri shpirtmadh e fisnik që ishte”

I të njëjtës rëndësi ishte pasqyrimi i figurës së Skën­derbeut si njeri i paqes dhe fqinjësisë së mirë. Këtë të dhënë Bardhi e dëshmon me faktin se, kur Skënderbeu ia dërgonte ndihmën e tij ushtarake mbretit të Napolit kundër galëve, udhëtimin e bëri përmes vendit që zotëronin ragu­zanët, nga të cilët u prit me nderimet më të mëdha gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Raguzë. Skënderbeu nuk e harronte këtë të mirë që pati nga raguzanët dhe në të ardh­men u tregua mik i vërtetë i tyre.

Fuqia e mendjes dhe e pendës së Bardhit bëhet edhe më e madhe, ngase ishte plotësisht i bindur për drej­të­sinë e çështjes që mbronte. Bardhi thekson me të drejtë se të gjitha të dhënat nga shkrimtarët, princërit dhe mbre­të­rit mund të nxirret fare lehtë përfundimi se a kanë qenë Skënderbeu dhe të afërmit e tij epirotas, apo prej ndonjë kombësie tjetër. Nuk po përmend në këtë rast dëshminë shumë të qartë të Barletit, të cituar kaq herë deri tani, i cili thur me një stil historik gjithë veprat e shquara të Skënderbeut dhe i cili në veprat e tij e quan atë gjith­kund Kastriot, arbëror, epirotas. Me paraqitjen e argumenteve të tij të shumta dhe bindëse Bardhi përfundimisht arrin të nxjerrë këtë konkluzion: “Nëse nuk gabon Tomku, kur thotë që Skënderbeu ka qenë sllav, atëherë gabojnë kaq e kaq shkrimtarë, princër dhe mbretër, kur pohojnë se Skënderbeu ka qenë epirotas apo arbëror”.

Ndryshe nga Marin Barleti, Dhimitër Frangu apo Gjon Muzaka, të cilët nuk i citojnë burimet nga i kanë vjelë të dhënat e tyre, Frang Bardhi na jep ato në çdo hap që bën dhe në çdo njoftim parashtron referencën burimore përkatëse brenda në tekst. Erudicioni i tij si historian duket qartazi kur shohim burimet që ka shfrytëzuar, duke mos lënë jashtë pothuajse asnjë nga ato që njiheshin në kohën e tij.20. Siç u theksua edhe më lart, një burim shumë i rëndësishëm historiografik i Bardhit ishte edhe Barleti.

Vepra e Frang Bardhit shënon fundin e histo­rio­gra­fisë mesjetare mbi Gjergj Kastriotin, një historiografi me karakter tregimtar. Aty paralajmërohet një epokë e re e historiografisë studimore skënderbegiane.

Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij më datën 21. 06. 2018 në Institutin Albanologji

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat