Diplomaci "win-win" apo "biz-bat-bat" për Kosovën? - Bota Sot
Diplomaci "win-win" apo "biz-bat-bat" për Kosovën?

Opinione

E shtunë, 22 shtator 2018

Diplomaci "win-win" apo "biz-bat-bat" për Kosovën?

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 22 qershor 2018 Në ora: 16:36
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

PO,  që tani dihet, pa filluar  bisedimet në Bruksel, më 24 qershor 2018, se “win-win” mund të jetë për presidentin Hashim Thaçi dhe për Serbinë e pressidentit Aleksandar Vuçiq, JO për KOSOVËN e pavarur dhe sovrane!

Në  takimin e nivelit të nivelit të lartë presidencial të Kosovës dhe të Serbisë, që do bëhet me 24 qershor në Bruksel nën monitorimin e përfaqësues së lartë zyrtare të BE-së për Politikë të Jashtme dhe për Siguri, Federica Mogherini,  sipas prononcimit paraprak të Hashim Thaçit, do të arrihet një “Marrëveshje historike, ku do të fitojnë edhe Kosova, edhe Serbia”. – E pabesushm!?
 
Përkundrazi, kjo prognozë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është plotësisht e gabuar dhe e parealizueshme, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “kurrë nuk do të pranoj, që të nënshkruaj  ndonjë dokument, që  Serbia ta njihte Kosovën. Kjo nuk ka për të ndodhur as në Bruksel, as në Beograd”.
 
Të gatshëm ta falin Veriun e Kosovës për Novi Pazarin, çfarë iditizmi politik?!
 
-Vërtet, një propozim i këtillë është sui generis alogjik,  të japësh Veriun e Kosovës, e për kompensim të kërkosh Sanxhakun, domethënë Novi Pazarin, kur dihet  se gjeopolitikisht, edhe  Novi Pazari është vazhdim i kufirit territorial të veriut të Kosovës, si do të kalosh në Novi Pazar,  nëse Kosovën Veriore ia falë Serbisë?! 

 -Ky është absurd  i absurdit, propozon faljen e territorit verior të Kosovës, që është e pasur me ari, argjend, zink, plumb dhe baker në shkëmbim me Novi Pazarin?!

Prandaj, si Thaçi si Hoti, si Hoxhaj dhe, si e si vasalë  të tjerë të këtillë,  duhet të mbajnë parasysh faktin se shqiptarët e Kosovës nuk do të pranojnë kurrfarë copëtimi të territorit të Republikës së Kosovës, që do të nënkuptonte këmbimin  me Preshevën, me Bujanocin dhe me Medvegjën mbase këto janë territore  shqiptare të Shqipërisë etnike, JO të Serbisë!
-Edhe sa vjet duhet pohuar të vërtetën historike se nuk mund të ketë kurrfarë këmbimi të territorit shqiptar-shqiptar. -Ky nuk quhet këmbim, të këmbesh territore me vetëveten, JO me Serbinë.  

-Megjithëkëtë “zemërgjerësi” të liderëve  despotikë dhe nepotistë privatnikë të Kosovës,  të gatshëm për kompromis , që Serbisë t’i falin territore shqiptare, këtë kurrën e kurrës nuk do ta pranojnë mbi 2 milionë shqiptarë të Kosovës.
 
S’ka “win-win” duke e copëtuar Veriun e Kosovës!
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se “Rezultati i dialogut të Brukselit, do të jetë WIN për Serbinë dhe WIN për Kosovën”.( https://www.blic.rs/vesti/politika/taci-rezultat-dijaloga-ce-biti-win-win-i-za-srbiju-i-za-kosovo/4rmbmgf) . 

Me t’u përkthyer shqip kjo  “win – win” novus kosovar diplomacy , do të thotë se Dialogu serbo-kosovar i Brukselit (2011-2018), do të mbyllet me rezultat pozitiv, “fitore edhe për Kosovën, fitore edhe për Serbinë”!?

Sipas kësaj prognoze astrologjike të presidentit Hashim Thaçi, do të thotë se, që tani, shqiptarët e Kosovës, mund të llogarisin  në fitoren e tyre, duke qenë se presidenti Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq “paskanë gjetur gjuhë të përbashkët (qenkanë pajtuar)”, që të zigjidhet problemi 100-vjeçar kolonial i Kosovës në Dialogun e Brtukselit (2011-2018)!?

Mirëpo, kësaj dezinformate nuk duhet besuar, sepse edhe kjo është  vazhdim i “metodikës” dhe i “pedagogjisë” së gënjeshtrave dhe të mashtrimeve 7-vjeçare të politikës zyrtare të Kosovës me  Hashim Thaçin në krye dhe me trabantët e tij,  që po ia bëjnë popullit të Kosovës, duke  e gënjyer se me “bisedimet teknike” me palën serbe në Bruksel (2011-2018),  “Serbia  de fakto dhe de jure e ka njohur Kosovën”!

Këtë gënjeshtër  të radhës, para së gjithash e demanton vazhdimi agonik i Dialogimit serbo-kosovar në Bruksel (2011-2018). Ndryshe, nuk do të kishte pasur asrye, të vazhdonte një dialog i tillë, të cilin e ka “shpikur” dhe “dizajnuar” politika dhe diplomacia e Serbisë, me qëllim që ta copëtojë territorin  verior të Kosovës. - Ky nuk mund të jetë kompromisi politik midis Prishtinës dhe Beogradit!
 
Me gjithë refrenin e gënjeshtrave monotone  politike dhe diplomatike   të liderëve të pandërgjegjshëm të Kosovës mbase  Serbia as de fakto e as de jure nuk e ka njohur Kosovën. Këtë e dokumenton edhe vazhdimi i Dialogut të Brukselit në nivel presidentesh Thaçi-Vuçqiq, që do bëhet më 24 qershor 2018 në Bruksel nën monitorimin e Frederica Mogherini ( shefe e politikës së Jashtme të BE-së).
 
 –Po, të ishte ndryshe siç gënjen Hashim Thaçi dhe ministrant e tij, nuk do të kishte vazhduar  fare Dialogu i Brukselit, edhe  të dielën e ardhshme të këtij viti në Bruksel ku  Thaçi paralajmëron rrejshëm , ashtu sikurse deri tash, se “do të jetë dialog win-win  edhe për Kosovën, edhe për Serbinë” dhe “do të jetë histori” !?

-Pse këto këto gënjeshtra të përsëritura dezinformuese politiko-propagandisitike sistematike, ku është logjika e argumentimit dhe e justifikimit të së vërtetës këtu, se gjoja me marrëveshjet e nënshkruara me Beogradin në Dialogun e Brukselit, Serbia “de fakto dhe de jure e paska njohur Kosovën”?!
 
Si “dialog historik FITIMTAR”, nëse Vuçiqi pajtohet, atëherë fiton  Vetëm Serbia dhe Hashim Thaçi, JO KOSOVA!
 
Deri më sot, qëkur ekziston shteti serb në Ballkan,  liderët politikë të saj kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje a traktat me Shqipërinë dhe me Kosovën, vetëm atëherë, kur është përfillur interesi i tyre i plotë nacional dhe shtetëror hegjemonist dhe militarist kolonial.  Me një fjalë, nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq nënshkruan ndonjë marrëveshje kompromisi polik me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi në Bruksel, kjo do të jetë vetëm FITORE për Serbinë dhe për presidentin Hashim Thaçi, JO  për SHQIPTARËT  e as për KOSOVËN.
 
Nëse  në Bruksel, do të ndodhte një mrekulli e tillë serbo-kosovare, atëherë s’ka dyshim se dialogu i tillë, do të mund të karakterizohej si “historik” nga i cili, do të përfitonin të dy palët (serbët dhe shqiptarët).
 
Mirëpo, edhe nëse ka ndonjë marrëveshje sekrete mes Vuçiqit dhe Thaçit për t’u arritur ndonjë kompromis i keq politik në Dialogun e Brukselit, e vërteta është krejtësisht ndryshe ngaqë deklaratat e Vuçiqit dhe të kryeministres së qeverisë së Serbisë, Ana Bërnabiq flasin të kundërtën nga deklarata imagjinuese “win-win” e Hashim Thaçit, se gjoja në Bruksel, do të arrihet  një marrëveshje politike, që do t’i kënaqte të dy palët në konflikt.
 
Të shpallësh fitore para përfundimit të dialogut, kjo është më se cinizëm dhe aventurizëm politik
 
Kësi farë lloj zhargoni diplomatik astrologjik  “të saktë me  100% “ nuk mund ta dëgjosh as nëpër kafene  dhe nëpër çajtore të Prishtinës, e lëre më ta përdorësh në komunkimin e diplomacisë moderne ndërkombëtare me liderë politikë dhe me diplomat të huaj, duke pohuar se “Edhe Serbia, edhe Kosova, do të fitojnë në Bruksel”. Kështu, shqiptarëve të Kosovës  u “garanton” Hashim Thaçi,  presidentii i Kosovës, Hashim Thaçi. 

Mirëpo, kësaj gënjeshtre fantastike mund t’i ketë besuar vetëm ndonjë kinez i Himalajeve, që kurrë nuk ka dëgjuar për shqiptarët dhe për Kosovën, koloninë e dikurshme të Serbisë së Madhe (1912-1999).
 
-Jo, ore “presidenti historik”  i dallavereve politike me Isa Mustafën (ti mua, unë ty-njëri president e tjetri kryeministër  i Kosovës). -Kjo ishte, e edhe sot është “sëmundja juaj psiko-patalogjike”,  që ka provuar,  pse ju  “ vdisni” për kolltukë, për pushtet, për nepotizëm, për para dhe për karrierë personale, grupore, klanore, mahallore, krahinariste dhe partiake, e Jo as për popullin, as për drejtësinë, as për demokracinë  e as për dheun e Kosovës. 

Prandaj, juve “palla nuk u ha” se çfarë do të ndodhë me dialogët e Serbisë qoftë në Bruksel, në Vjenë, në Berlin,  në Romë, në Londër apo në Nju-Jork. – Ju jeni gjithmonë të gatshëm për pranimin e fromulave të kompromisit, të propozuara nga "Grupi i Krizave", sepse nuk keni tjetër opsion ngase  të huajt e kanë fituar luftën mbi Serbinë në Kosovë (Amerika, NATO-ja dhe BE-ja evro-perëndimore).

Kështu, do të ndodhë edhe në mbylljen e Dialogut të Brukselit  mes  presidentit të Kosovës ,Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilët nuk e kanë të vështirë ta dinë paraprakisht se çfarë “dhurate”, do t’u sjellë dialogimi multilateral në Bruksel.

Nëse bisedimet serbo-kosovare  mes Thaçit dhe Vuçiqit, do të përfundonin sipas formulës së imagjinuar jorealiste të presidentit Thaçi, “WIN-WIN EDHE PËR KOSOVËN, EDHE PËR SERBINË”,  atëherë, që tani, është e qartë se Kosova ka humbur territorin e saj verior. 

Praktikisht, kjo do të ishte, edhe  fitorja personale e presidentit Hashim Thaçi, edhe fitorja e Serbisë së Aleksandar Vuçiqit, JO e Kosovës siç po gënjen qe 7 vjet rresht Hashim Thaçi dhe vasalët e tij në Dialogun e Brukselit (2011-2018) se gjoja “Serbia de fakto dhe de jure e ka njohur Kosovën”. –Atëherë, pse vazhdimi i Dialogut, edhe më 24 qershor 2018 në Bruksel nën monitorimin e Federica Mogherinit (shefe e politikës së Jashtme  dhe  e Sigurisë së Bashkimit Evropian)?
 
-Mjaft më mos e gënjeni dhe mos e mashtroni popullin sikurse deri tash (2008-2018), sepse  në dialogun  “historik”  të Brukselit,  nuk do të ”qerasesh”  sipas  formulës  së imagjinuar “WIN-WIN”, por do ta fitosh vetëm  “bishtin e sopatës”, që do ta japë BE-ja me pëlqimin e Serbisë. Pikërisht, ky do të jetë fataliteti për pjesën veriore të Kosovës.

Ndaj, në asnjë kuptim, arritja eventuale e ndonjë marrëvshjeje të tillë me palën serbe në Bruksel, nuk do të ketë karakter historik, as kurrfarë dobie politike në mbrojtjen e interesit nacional shtetëror dhe të integritetit territorial sovran dhe të pavarur të Republikës së Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test