Lajmet e rreme kërcënim për kombin shqiptar–“Fake news” është bërë armiku i ri i gjeo-politikës shqiptare

Opinione

Lajmet e rreme kërcënim për kombin shqiptar–“Fake news” është bërë armiku i ri i gjeo-politikës shqiptare

Nga: Gëzim Mekuli Më: 19 qershor 2018 Në ora: 11:47
Gëzim Mekuli

“Fake news” është një shprehje e re. Në gjuhën tonë të bukur shqipe kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “lajm falso”, por kjo përshtatje dhe ky përkthim nuk është aq përshkrues sepse nuk e ka fuqinë spjeguese që të bëjë “fotografinë” besnike të problemit që sjellë ky “lajm”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “FALSIFIKOJ” paraqet si të vërtetë diçka të gënjeshtërt; pra “shtrembëroj të vërtetën, ndërroj a ndryshoj diçka për të mashtruar të tjerët”, (FGJSSH). Duke u nisur nga fakti se “lajmi” i tillë ndërtohet me qëllim që “gënjeshtrën të paraqet si të vërtetë”, dhe për të “mashtruar të tjerët”, përshtatja më e mirë për fjalën “fake news” do të ishte “lajm i rremë”.

“Lajmi i rremë” publikut i shitet si i sakt dhe si i vërtetë.  E kjo minon demokracinë tonë të brishtë, sepse demokracia është e bazuar në besueshmëri të lajmit dhe në informacionin e sakt. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë – e secili nga ne – të ketë një qëndrim kritik ndaj burimit të lajmit. Për shembull:

1. Ku është publikuar lajmi? A është ky kanal i besueshëm, apo është ky një kanal pa redaktorë e pa gazetarë siq janë portalet, Tweeter dhe Facebooku?

2. Nga vie ky lajm? A është gazetari burim i parë, e i brendshëm, i cili e ka përjetuar ndodhinë, – ose a mos është ndokush që “ka dëgjuar” se dikush e ka parë ndodhinë.

Dhe, më e rëndësishmja
3. A ka mundësi që burimi i lajmit të ketë motive të fshehta politike a ekonomike? A ka mundësi që ky burim të ketë si qëllim që informacioni të shpërndahet tek sa më shumë njerëz? A ka mundësi që burimi i lajmit të përfitoj para sepse “ti beson” në lajmin e këtij burimi?

“Fake news”, problem i panjohur?

Shqiptarët kishin dëgjuar dhe ishin ballafaquar me “lajmin e kontrolluar”, “lajmin partiak”, “lajmin e pushtetit”, “lajmin joprofesional”, “lajmin e UNMIK-ut”, “lajmin e EULEX-it”, “lajmin e BRUXEL-it”, “lajmin e ambasadave”, “lajmin e Hashimit” e me “lajmin e Salës e të Edit”. Por, shprehjen e re “fake news”, e kishim dëgjuar rrallë. Megjithatë, lajmi i rremë si prodhim gazetaresk, nuk është diçka e re për ne. Atë e kemi parë, lexuar dhe dëgjuar shpesh: Thashethemet, konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrimi i qëllimshëm, janë disa nga veçoritë e lajmit të rremë.

«You are fake news», i tha kryetari i SHBA-ve, Donald Trump, një gazetari të CNN-it. A ju kujtohet?  Fjalinë “ti je lajm i rremë”, Trump e tha që në konferencën e parë për shtyp; menjëherë pas zgjedhjeve. Biles, ky nuk deshi të dëgjojë as për pyetjen që gazetari e kishte gati për t’ia shtruar. Shpejt e shpejtë “lajm i rremë” u bë një nga thëniet e preferuara të Trumpit. “FAKE NEWS” u shkrua shpesh nga ai me SHKRONJA TË MËDHA në Twitter.

Por çka është në të vërtetë lajmi i rremë:  Dhe, çfarë nuk është lajm i rremë?

“Fake news”, apo “lajm i rremë”, është një përfaqësim i një ngjarjeje/ndodhijeje që nuk ka ndodhur fare. Ky lajm më shpesh shfaqet në faqe të internetit sesa në televizion, radio apo në gazetën e shtypur.  Gjithsesi qëllimi i lajmeve të rreme është që të mashtrojë ose të keqinformoj opinionin publik. Shkurt e shqip: “Fake News” është një gënjeshtër e qëllimshme dhe e paramenduar me kujdes: janë tregime të shpifura. Po marrim një shembull nga marrëdhënja media dhe politikë në Prishtinë: Me 29.01.2012 mediat shqipe publikojnë lajmin se “Albin Kurti është takuar me serbë dhe se kishte qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ata”. Kjo fjali ishte thënë nga Bekim Haxhiu, i njohur ndryshe si Kamishi, (PDK). Lajmi i publikuar nga RTK dhe nga mediat tjera të regjimit nuk u vërtetua asnjëherë. Si pasojë opinioni publik u ça e u acarua.

VINI RE! Pëlqe dhe mbështete të pavarurën “MekuliPress” në facebook

Si lajm i rremë nuk mund të konsiderohet mendimi i kundërshtarit që ty nuk të pëlqen. Lajmi i rremë është gënjeshtër e qëllimshme; shpesh kjo e plasuar në formën e artikujve të lajmeve e që synon për të gënjyer publikun.
Është me rëndësi të theksohet se ky lloj lajmi nuk ka gabime faktike, shkencore ose neglizhencë nga ana e gazetarit. Ky lajm prodhohet nga politika dhe lansohet për të ngatërruar opinionin publik. Përsëri një shembull nga Prishtina: Me 05 nëntor 2016 mediat shqipe të Prishtinës dhe të Tiranës lancojnë lajmin se Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëvra pas pirjes së barërave. Këtu citohet drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili thot se, “dyshohet që aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari kishte konsumuar barna dhe kishte rënë në komë” dhe shton se, “rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë, ndërsa në emergjencë ka shkuar pa shenja jete”. Lajmi mori përmasa të luftës speciale e propagandistike. Si pasojë e kësaj hapsira publike u armiqësua. Opinioni mbeti i hutuar e i kërcënuar.

Duhet theksuar se lajm i rremë mund të jetë trillim i plotë, por ky mund të jetë edhe gënjeshtër e mbështjellur me ngjarje të vërtetë. Paçka kjo e fundit, pra gënjeshtra e mbështjellë në ngjarje të vërtetë, është e vështirë për tu zbuluar. E them këtë sepse lajmet e rreme “këmbngulin” që të huazojnë besueshmërinë e gazetarisë. Si rrjedhojë, këto “lajme” marin formën dhe përmbajtjen gazetareske: Këto “lajme” përdorin gjuhën dhe stilin gazetaresk. Në këtë mënyrë, këta parazitë politik, i mundësojnë hapsirës publike që të thithë, ta besoj dhe ta pranoj gënjeshtrën si të vërtetë. Ja një shembull nga Prishtina: Thaçi me 09.03.2017 merr vendimin që të filloj procedurat për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Mediat e pushtetit shpërndajnë lajmin se Thaçi, për këtë hap politik, ishte konsultuar me qeverinë, me NATO-n dhe me SHBA-të. Më vonë opinioni publik mësoj tjetrën: kundërshtimet e qeverisë, Aleancës së NATO-s dhe të SHBA-së për fillesën e Kryetarit të Kosovës. Thaçi dhe mediat e pushtetit e mohuan këtë kundërshtim të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore. Si pasojë e kësaj publikja është ndarë në dysh. Është e ngatërruar.

Përpos interesve politike e ideologjike “lajmi i rremë” është i motivuar edhe ekonomikisht. Lajmet e tilla janë të “prodhuara” për të gjeneruar klikime të portaleve, e që mund të kthehen në para nga reklamat. Por, mos të harrojmë, gjithsesi qëllimi i “fake news” është për të ndikuar, dezinformuar dhe për ta kontrolluar opinionin publik.

“Faktet alternative” Në lidhje me lajmet e rreme duhet përmendur një shprehje të re nga fusha e gazetarisë. Është fjala për të ashtuquajturat “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni: Zëdhënësi, Spicer, kishte ofruar informata të pasakta për numrin e pjesëmarrësve gjatë betimit të Donald Trump. Në çastin ku zëdhënësi u ballafaqua me këtë fakt nga një gazetar i NBC, këshilltari i Trumpit, Kelly Anne Conway, e luti gazetarin e NBC që të “mos jetë edhe aq dramatik”, sepse Spicer kishte përdorur ca “fakte alternative”. Pra, “lajmi i rremë” mund të ketë si “mbështetje” edhe “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni përsëri: SHBA-të përmes fotografive satelitore kishin përgatiur opinionin amerikan dhe atë ndërkombetar, se Sadam Hyseini kishte armë kimike. Mbi këto lajme edhe u sigurua mbështetja ndëkombëtare për sulmin ajror mbi Irak. Më vonë e gjithë kjo doli se kishte qenë një “fake news”.

A është e lehtë të zbulohet lajmi i rremë? Jo! Problemi është më i thellë sesa që e mendon konsumuesi i lajmit. Kjo për faktin sepse ky lajm sajohet, përpunohet dhe lancohet si nga politika e po ashtu edhe nga media. Pra, jo rrallë, është një bashkëveprim logjik i medias dhe politikës. Kjo ka ngjyrime propagandistike!

Diagnostifikimi i lajmit të rremë:

a) Ato janë lajme pa rrënjë në realitet: të ndërtuara e të shpërndara vetëm për ta drejtuar opinionin publik në një drejtim të caktuar politik-partiak.

b) Ai është “lajm” i shtrembëruar që ka pikënisje dhe qëllime të qarta propagandistike. Ky “lajm”, përpos që përdoret nga Qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës, përdorët shpesh edhe nga qeveria e Serbisë, Greqisë dhe ajo e Rusisë karshi gjeo-politikave shqiptare.

c) Ato janë ngjarje/ndodhi të porisitura, që arrijnë tek aktorët në konflikt, paçka këto “lajme” detyrojnë gazetarët të besojnë se ata “e kanë parë dhe e kanë përjetuar” një ndodhi apo një ngjarje krejt spontane. Këtu, mediat mund të bëhen “naive” në zgjdhjen e lajmit dhe, është mu kjo “zgjedhje” që çon në simpati me mashtruesin (me prodhuesin e lajmit të rremë).

d) Ato janë thashetheme që gjejnë rrugën e tyre përmes “autostradës së lajmeve” ku, media që përhapë ato, nuk është e shqetësuar, e as e interesuar, për të vërtetuar nëse ato “lajme” janë të vërteta/sakta.

e) Ato janë trillime të publikuara pa asnjë kontrollë paraprak: për shkakun se ato media mbështesin paragjykimet për një orientim politik, partiak apo ideologjik: apo e duan edhe përfitimin material.

f) Ato janë gabime të mëdha të mediave të fuqishme që prekin një drejtim të caktuar politik. Shembull: “lajmi” që kryetari Trump kishte hequr bustin e Martin Luther Kingut nga Zyra ovale.

g) Ato janë deklaratat politike që sajohen për të krijuar “opinione të dyshimta”.

h) Ato janë të “zbukuruara/të kozmetikëzuara” e të prodhuara nga gazetarët e mediave serioze me qëllim që të rritet vlera e një artikulli apo fotografieje. Shembull: Fotografia me tymin falso në luftën e Bejrutit. Reuters në vitin 2006 tërhoqi 920 fotografi të shkrepura nga fotografi, Adnan Hajj,. Si pasojë e “fake picture” fotgrafi dëbohet nga puna (BBC).

i) Ato janë teori të konspiracionit në të cilat besojmë dhe, akoma më keq, edhe i shpërndajmë ato.

j) Ato janë mbulesa partiake: me qëllime politike dhe ideologjike. Shembull: Shënjimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës thot se shenjimi me Malin e Zi është është në rregull, i saktë dhe se Kosova nuk humbet territor. Por ekspertët e pavarur argumentojnë tjetrën: Kosova humb 8.230 metra katrorë territor, Mali i Zi fiton 70.44 kilometra më shumë. Pstaj gënjeshtra për “ZAJEDNICËN” serbe, etj, etj.

k) Aty është larguar diçka, është lënë jashtë apo është përjashtuar diçka e rëndësishme.

Mundësi për gazetarinë apo për politikën?

Lajmet e rreme janë sfiduese për gazetarinë. Jetojmë në një kohë ku kritika ndaj medias është shtuar dhe ku pabesia ndaj mediave në përgjithësi sa vjen e shtohet. Për shembull në debatet që u zhvilluan rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian (Brexit) dhe rreth zgjedhjeve për kryetar në SHBA, vërejmë se besueshmëria tek elita politike është e ulët. Dhe, akoma më keq, mediat konsiderohen si pjesë e elitës. Këtu do të rikujtoj një sondazh të Reuters (2016) ku rezultatet tregojnë se vetëm një në tre (32 përqind) të norvegjezëve kanë besim tek gazetarët. Dhe, vetëm çdo i dyti norvegjez (46 përqind) beson në lajme.

Lajmet e rreme rrezik për shoqërinë tonë? Rreziku që shoqëria të keqinformohet, egziston. Sot është e vështirë të dallosh në mes të gazetarisë serioze dhe asaj gënjeshtare: gënjeshtër e mbështjellur në formën e lajmit. Kjo gazetari, e ky lajm, mund të krijoj një shoqëri të polarizuar e debat të barrikaduar. (Le të shiqojmë hapsirën publike, debatet dhe komunikimin publik në Tiranë e në Prishtinë). Investimi në lajmin e vërtetë është investim në mirëqenje

Konsekuent deri në fund: Sa i rëndësishëm, sa i besueshëm e sa i sigurtë është lajmi sot? Përgjigjja nuk është e lehtë por, një gjë është e saktë: nuk mund të ketë shoqëri pa “fake news” me politika e me institucione të korruptuara. Para se gazetarët dhe redaktorët të vlerësojnë vërtetësinë e teksteve, sigurinë e lajmeve dhe të reportazheve, ata duhet të vlerësojnë edhe sigurinë për jetën e tyre.

“Fake news” është bërë armiku i ri i shoqërisë sonë. Duhet përpjekur, me të madhe, për të marrë monopolin mbi të vërtetën.

VINI RE! MekuliPress vepron në bazë vullnetare. Redaksia nuk pranon ndihma nga partitë politike e as nga Qeveria. Na ndihmo të mbijetojmë të pavarur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat