Taksa e Rrugës së kombit, test për Qeverinë

Opinione

Taksa e Rrugës së kombit, test për Qeverinë

Nga: Ndue Dedaj Më: 18 qershor 2018 Në ora: 08:13
Ndue Dedaj

Qeveritë janë gjithnjë në testim, por ka teste e teste. Këtë qershor ka një test të jashtëm për qeverinë shqiptare, që është hapja e negociatave për pranimin e vendit në BE, por ka dhe një test të brendshëm, që është mënyra e operimit për caktimin e taksës së Rrugës së Kombit. Nëse i pari, përpos Ekzekutivit, është test për të gjitha institucionet e vendit dhe shqiptarët në tërësi, tarifa e papërfunduar e kryerrugës së vendit është krejtësisht në vullnetin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama. Nisur nga ajo që ndodhi në Kalimash pak kohë më parë, do të kishte qenë jo vetëm e udhës, por e domosdoshme që një nga ato llogaridhëniet e kreut të qeverisë të kishte qenë në sheshin e qytetit të Kukësit, me kuksianët, të cilëve ai iu kërkoi falje publikisht për nxitimin e qeverisë që ai drejton, sa i përket caktimit arbitrar prej pesë eurosh (vajtje e kthim - dhjetë euro) të taksës së autostradës Milot-Morin, pa u konsultuar më parë me ata që prekeshin prej saj. Ndoshta takimi llogaridhënës i Kryeministrit me kuksianët mund të ndodhë në ditët që vijnë, por deri tani thjeshtë kemi parë të riparohet me shpejtësi objekti i vjeljes së taksës, i dëmtuar nga protesta, por jo ndonjë zhvillim në terren përsa i përket kuvendimit drejpërdrejt me banorët. Kukësi ka një Bashki dhe ajo nuk mund të shpërfillet në këtë gjë, për të mos thënë se është “violina e parë”. Rama ka qenë vetë kryetar bashkie i kryeqytetit dhe me siguri nuk është ndjerë mirë kur ka vënë re shpërfillje nga qeveria qendrore, e majtë apo e djathtë. Apo ende në këtë vend ecet sipas psikologjisë që i “madhi” i bën hije të “voglit”, kur ky i “vogli” në një sistem demokratik është po aq autonom sa dhe vetë qeveria qendrore dhe me të mund të sillesh vetëm si partner. Ashtu siç lypet të përfillen në këtë histori dhe bashkitë e Hasit, Tropojës e Mirditës, përderisa flitet për “parcelizim” të taksës, pasi, siç kemi shkruar dhe më parë, e mbara do të kishte qenë që vendimarrja për të të kishte qenë në bashkëveprim të plotë me qeverinë e Kosovës. Sa duket qeveria dhe koncesionari po nxitojnë që të mos iu shpëtojë pikërisht “ushtria” e kosovarëve që dyndet çdo verë në plazhet e Adriatikut, por kush mund të thotë që fluksi i tyre nuk do të bjerë, pikërisht se ata nuk mund ta përballojnë “kufirin te thana” që ne këndej kërkojmë t’iu vëmë, për t’i bërë të shkundin xhepat sa herë të kalojnë tunel-traun e Kalimashit. A thua diferencë kaq të madhe të ardhurash ka mes një lumjani këndej Morinit dhe një prizrenasi matanë, që njëri për të shkuar në Shëngjin të paguajë, bie fjala, dy mijë lekë të vjetra tarifë e tjetri dhjetë herë më shumë!? Apo se ai matanë nuk është “yni”, le të bëjë dhe pa detin?...

Problemi në vetëvete është kompleks, ndaj qeveria lypet ta peshojë mirë situatën, para se ta ketë ulur sërish traun në Kalimash, pasi gabimi për herë të dytë do të ishte i pafalshëm. Për mendimin tonë ka qenë gabim që taksa është parë si problemi vetëm i qarkut të Kukësit, për faktin se qeveria vendos për herë të parë një taksë rrugore kombëtare dhe se ky hap nuk mund të hidhet lehtë, jo vetëm se nuk ka një traditë, por kryesorja se taksimi nis nga periferia, kur duhej të niste në aksin Tirana - Durrës, veçse jo në një autostradë jashtë parametrave të sigurisë, që përmbytet çdo dimër, paçka se ka filluar arnimi me asfalt këto ditë, pa folur për rrugën tjetër Tiranë - Elbasan, mbetur kaq vite peng i shembjeve dhe aferave të dyshuara korruptive. Në periferi varfëria është më e madhe se në rajonet qendrore të vendit. Kukësi, Tropoja, Hasi, Mirdita, Kurbini nuk kanë as plazhe, as porte, as fabrika, as qendra të fuqishme tregtare, çka do të thotë se kanë shumë më pak para se bashkitë fushore. Nëse ato i përshkon Rruga e Kombit, ajo ende është si një “Bukuroshe e fjetur”, pasi nuk ka arritur të zgjojë investime në të dy anët e saj, në thellësi, në kuptimin e zhvillimit të agroturizmit etj. Biznesi i karburanteve, dhe ky më së shumti i kompanisë konçesionare të autostradës “Kastrati”, nuk është tregues i një fluksi investimesh prioritare të rajonit verilindor të kësaj ane. Një mundësi do të ishin mineralet, por ato më shumë prodhojnë vdekje dhe pasurim të një grushti të vogël sipërmarrësish kapitalistë pa ndikim komunitar. Mendojmë se kështu duhet lexuar nga qeveria situata para marrjes së vendimit për taksën, do të jetë dy apo tre lekë më shumë a më pak, nëse është koha tani për ta vendosur apo më vonë.

A po bën, pra, qeveria më të mirën kësaj here? A po hedh ajo hapat e duhur? Në levizjet e qeverisë për të të gjetur një zgjidhje të pranueshme, të bën përshtypje takimi i dy ministrave, i Ekonomisë Ahmetaj dhe i Infrastrukturës Gjiknuri, me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës e jo dhe me ministritë përkatëse atje (!?) Mbase ata e quajnë të ezauruar një bashkëpunim të tillë ndërministror me Kosovën, kur deklarojnë se “nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shkurtuara të transportit dhe me biznesin praktika do të jetë e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë, ashtu dhe për ata të Kosovës”, ndërkohë që bizneset nga Kosova kërkojnë shtyrjen e tarifës për në vjeshtë. Nga ana tjetër në atë takim mungonin përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë të Tiranës, a thua se këta i “mbulon” vetë qeveria dhe nuk ka nevojë të dëgjohen? Thuhet se qeveria do të bëhet “babaxhane” e do të paguajë 50 milionë euro nga buxheti i shtetit si kompensim për uljen e tarifës për kuksianët dhe përdoruesit e shpeshtë, por ky nuk është një problem i publikut, i cili kërkon thjeshtë një rrugë dytësore pa taksë, se ato mundësi financiare ka.

Nëse herën e parë mungoi krejtësisht transparenca e qeverisë me publikun dhe institucionet e bazës, duke përdorur taktikën e gabuar të faktit të kryer, edhe kësaj here nuk është se ka qartësi për çdo zë të kontratës, pasi nuk janë vetëm qytetarët e thjeshtë që duhet të përballën me tarfën. Ta zëmë, si do t’iu rimbursohet bileta/ tarifa prej 10 eurosh zyrtarëve që janë të detyruar të kalojnë rregullisht poshtë traut të Kalimashit për arsye shërbimi, të cilët rrallë e kanë pagën ditore sa tarifa e kalimit. Ditë për ditë lëvizin drejt Tiranës drejtues dhe punonjës të institucioneve të ndryshme shtetërore, ashtu siç, nga ana tjetër, ka mjekë, gjykatës, oficerë policie e të tjerë që vijnë nga Tirana e rrethe të tjera për të punuar në këtë qark? Pa harruar misionarët humanitarë, personat e shoqatave jofitimprurëse etj., që veprojnë në kushte të vështira sociale të popullatës, të pakrahasueshme me ato të vendeve të tjera perëndimore, ku, bie fjala, një murgeshë nuk ka pse të harxhojë dhe qindarkat e fundit të vetat për të varfërit përreth saj, siç ndodh me murgeshat e Fushë-Arrësit etj. Nuk ka dalë më kot fjala e urtë, sipas vendit bëhet kuvendi.

Për më të largëtit trau i Kalimashit duket si një kufi i dytë. Një tropojan, që për shkak të infrastrukturës më të mirë rrugore, i bie nga Kosova për të ardhur këndej, duhet të kalojë nëpër disa trarë. Me të drejtë po përllogaritën përqindjet zbritëse për përdoruesit e shpeshtë, ama po nuk u zbatua pajisja e tyre me karta elektronike (parapagimi) do të krijohen radhë të gjata që do nisin në Fan e do të përfundojnë në anën tjetër, në Fushë-Dukagjin. Pra, po nuk u krijuan lehtësira të kësaj natyre, i bie që taksa e shumëpërfolur të kthehet qëllim në vetëvete. Duhet thënë se dhe opozita për këtë problem nuk ka dalë përtej retorikës së zakonshme, e cila dhe në raste të tjera problematikash konkrete në terren është gjendur pa alternativa dhe aksion opozitar, si në rastin e marrshimit disaditor drejt selisë qeveritare në Tiranë të naftëtarëve të Ballshit, lënë një vit pa punë dhe pa u paguar; minatorëve nga i gjithë vendi që vazhdojnë të protestojnë para Kryeministrisë për statusin e tyre; fermerëve nga Shishtaveci në Devoll që iu kalben patatet e qepët në ara, ngaqë i mbyt tregu kaotik ushqimor i prodhimeve të ardhura nga jashtë etj.

Ka dhjetë vite që Rruga e Kombit nuk ka gjetur “stabilitet” politik, sa i takon këndvështrimit pozitë-opozitë lidhur me të. Është ky rasti për t’u marrë vesh njëherë e mirë të gjithë aktorët që lidhën me këtë vepër madhore, publiku i gjerë si përdorues i saj, pozita, opozita, bizneset, sipërmarrësit, qeveritarët e Tiranës dhe Prishtinës. Rruga e Kombit është një, nga sheshi “Skënderbej” te “Newborn”-i...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat