Një ndodhi e pakëndshme në Prizren, keq e më keq

Opinione

Një ndodhi e pakëndshme në Prizren, keq e më keq

Sadik Elshani Nga Sadik Elshani Më 14 qershor 2018 Në ora: 14:20

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është njëra nëer ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit tonë, është një ngjarje qendrore në rrugëtimin e gjatë të popullit tonë për liri e pavarësi: është simboli i bashkimit kombëtar dhe gur themeli i shtetësisë shqiptare. E tillë ka mbetur ndër vite në kujtesën e popullit tonë. Prandaj me shumë respekt e dashuri përkujtohet kjo ngjarje nga të gjithë shqiptarët, sidomos në përvjetorët e saj të plotë, siç ishte festimi madhështor i 100 vjetorit të themelimit të saj dhe ky që u organizua në Prizren, të dielen më 10 qershor, me rastin e 140 vjetorit të saj.

Për historikun dhe rëndësinë e kësaj ngjarje kyçe të historisë sonë është shkruar mjaft, prandaj ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi, por ajo që ndodhi gjatë këtij tubimi ceremonial në Prizren: një ndodhi e pahijshme, një skandal i panevojshëm që e zbehu këtë manifestim. Nuk do të merresha me gjëra të tilla, që në dukje mund të jenë të parëndësishme, por janë simptome të një sëmundje kronike të shoqërisë sonë: mungesës së mirësjelljes sonë në publik, në të gjitha nivelet e shoqërisë sonë, nga shtresat më të ulëta e gjer te kryeministri i vendit. Gjatë zhvillimit të kësaj veprimtarie, në një çast del një zonjë,që nuk ishte paraparë me program që të fliste në këtë ceremoni. Kjo zonjë u paraqit si e mbesa e Mehmat Pashë Derallës, Ministrit të Luftës në qeverinë e parë shqiptare, qeverinë e Ismail Qemalit. Kjo filloi me një monolog të saj për veten dhe familjen e saj. Kur lexova titujt e shkrimeve në gazetën Bota Sot se një zonje kishte dalur që të fliste pa leje, pa qenë pjesë e programit të kësaj veprimtarie, menjëherë më shkoi ndërmend se mos ishte e njejta zonjë që e kishte bërë të njejten gjë edhe në një mbrëmje festive me rastin e 100 Vjetorit të Formimit të Ushtrisë Shqiptare. Vërtet ishte e njejta zonjë, e cila, pa e ftuar askush në skenë, doli dhe tregoi se kush ishte dhe i falenderonte të gjithë me një zë të lartë, thua se kjo veprimtari ishte organizuar për të. Këtë ndodhi e kam parë në Youtube kur po kërkoja disa verzione të këngës “Xhamadani vija vija”. Dhe një nga verzionet ishte edhe ai i kënduar nga orkestra dhe kori i Ushtrisë Shqiptare. Dhe në fund të këngës del kjo zonjë në skenë dhe me një zë të lartë thotë ato që ceka më lart. Videoja aty perfundon dhe nuk e di si ka përfunduar ky incident, e ka larguar dikush atë apo vetë ëhtë larguar nga skena apo ky ka qenë fundi i koncertit festiv.

Të gjithë pasardhësit duhet të jenë krenarë me bëmat e baballarëve, gjyshërve të tyre, si Mehmet Pashë Deralla e shumë të tjerë, por një veprim i tillë nuk u bën nder të parëve të tyre. Çdo gjë e ka një rend: Nëse nuk je paraparë që të flasësh, nëse askush nga organizatorët nuk të fton që ta marrësh fjalën, atëherë është mirë që të rrishë në vendin tënd. Kjo nuk ishte një ceremoni ku ishte paraparë që të flisnin edhe pasardhësit e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit. Sipas një postimi në Facebook të shkrimtarit dhe publicistit, Reshat Sahitaj, i cili kishte qenë i pranishëm në këtë veprimtari, edhe pasardhësit e Ymer Prizrenit (Kryetarit të Përgjithshëm të Lidhjes) ishin të ulur afër tij, por asnjëri nuk ishte ngritur që të fliste. Ndoshta kjo zonjë ka mundur t’i thoshte dy-tri fjali përshëndetëse (me pëlqimin dhe miratimin e organizatorëve), por jo të mbajë monologje për veten dhe familjen e saj. Të gjithë kemi halle, por aty nuk ishte vendi që të qaheshin hallet personale apo të tregoheshin historira familjare. Në çdo vend të qytetëruar të botës kjo zonjë do t’ishte larguar nga skena, por dallimi është sesi do t’ishte larguar, në çfarë mënyre – me siguri me takt, klasë e mirësjellje dhe jo ashtu siç ndodhi në Prizren.

Ajo çfarë ka bërë kjo zonjë është keq, e papranueshme, por ajo që ndodhi më pas ishte edhe më e keqe, ishte një skandal, dhe nuk duhej të ndodhte në një ditë të tillë dhe në asnjë ditë tjetër: Ngritet kryeministri i vendit dhe me forcë, pa kurrëfarë takti e largon këtë zonjë nga skena. Dy të këqija nuk mund të bëjnë një të mirë. Nuk i ka hije një kryeministri që të lëshohet në nivele të tilla të ulëta, por siç duket ky është niveli i kryeministrit të Kosovës. Ndoshta ky është profesioni i tij që i shkon më mirë përdore, profesion që e ka ushtruar në Zvicër me vite të tëra. Kjo është edhe një pasqyrë e jona dhe shtetit të Kosovës që drejtohet nga njerëz të pagdhendur, pa takt dhe pa kurrëfarë edukate, njerëz që u mungon edhe edukata minimale familjare, traditat e shqiptarit. Ky njeri nyk na ka pikur nga qielli, por ka dalur nga gjiri i atij populli dhe është votuar nga një pjesë e tij. Dhe kjo ndodh në një vend të shenjtë për shqiptarët, në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit. Kryeministri, kryetari i shtetit nuk duhet ta ulin kaq poshtë veten e tyre, institucionet që perfaqësojnë ata. Jo shumë burra dhe gra shteti do ta bënin këtë veprim të ulët që e bëri kryeministri Haradinaj në Prizren. Nuk dua të bëj krahasime, por dr. Ibrahim Rugova kurrë nuk do ta bënte një veprim të tillë. Dhe kur jam duke e perfunduar këtë shkrim, ditën e hënë më 11 qershor, kryeministri Haradinaj doli para gazetarëve dhe nuk u pendua fare, nuk reflektoi as për nje çast, madje deklaroi se po të kishte qenë burrë, ai do “ta kryente punën ndryshe” – pra, me grushta; se ky ishte një detyrim i tij, një mbrojtje e shtetit të Kosovës, e marrëzira të tilla… Me sa duket, kryeministri nuk e ka të qartë rolin dhe detyrimet e tij, që ia ngarkon kjo pozitë udhëheqëse. Më duket s’ka nevojë ëe të komentohet më tepër ky rast.

Ky rast i shëmtuar, nga çdo anë që ta shikosh, le të shërbejë si një mësim për të gjithë. Organizatorët e manifestimeve të tilla, t’i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura, t’i marrin të gjitha masat e sigurisë, që raste të tilla të mos ndodhin. Por edhe nëse ndodhin, atëherë mbajtësit e rendit të reagojnë, ndërsa udhëheqësit e shtetit të rrinë në vendet e tyre. Por edhe dikush që nuk është caktuar që të flasë në veprimtari të tilla, edhe ata/ato të rrinë në vendet e tyre. Edhe populli të shikojë mirë se çfarë udheheqës ka. Njerëzit e nivelit të Ramush Haradinajt në asnjë mënyrë nuk mund të jenë në pozita udhëheqëse, të jenë në krye të shtetit apo të qeverisë. Populli dhe shteti i Kosovës meritojnë diçka më tepër, për të mos e përsëritur atë klishenë e njohur: popujt i kanë qeveritë që i meritojnë. Po kam frikë se jemi lëshuar pak si tepër poshtë…

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat