Çlirimi i qytetit: Lumi që dha frymë - Bota Sot
Çlirimi i qytetit: Lumi që dha frymë

Opinione

E hënë, 15 tetor 2018

Çlirimi i qytetit: Lumi që dha frymë

Nga: Ditar Kabashi Më: 13 qershor 2018 Në ora: 18:02
Ditar Kabashi

1.

Po bëhen gati dy dekada nga e tërë ngjarja. Atëbotë, jeta ime s’kishte arritur as një dhjetëvjeçar të plotë. Zallahia emocionale që më ngarkonte mua dhe shokët e mi shoqërohej me aritminë euforike që na përcillte hap pas hapi duke bredhur rrugicave për të vajtur në qendër të qytetit. Ende s’e kishim idenë se çfarë po ndodhte në të vërtetë: përflitej se një ushtri e huaj kishte hyrë në qytet për të na dhënë mundësinë e  artë: me jetue. Pra, ndryshe nga ajo tjetra që vriste njerëz të pafajshëm. Ne s’i kishim bërë keq askujt. As asaj armate tiranike e cila nuk e kuptoja se çfarë kërkonte në vendin tim.

2.

Nga kushërinjtë që kishin ardhur nga fshati për t’u strehuar në shtëpinë time dëgjoja rrëfime tronditëse për ndodhitë e katrahurës gjithandej vendit. Shpeshherë vëreja se “të mëdhenjtë” shmangnin biseda  të tilla në praninë e neve fëmijëve. Megjithatë, anomalinë e situatës e ndjenim. Çfarë qenka kjo botë ku i mituri duhet të mbajë barrën e një të rrituri?

Për ne, uniformat ushtarake dhe ato policore kishin konotacion të hidhur; ishin mynxyrë ndjellakeqe që barazoheshin me dhunën. Mirëpo, këta ushtarët e rinj që flisnin gjuhë të huaj por jo të detyrueshme për ne, shembëllenin siguri për qytetin. Kjo ishte diçka e re, paradoksale mbase: i huaji konsiderohet i afërt, i mëshirshëm, shpëtimtar.

3.

Lumi jep frymë, përfton jetë. Pranë tij janë ndërtuar civilizime. Ashtu ka ndodhur edhe me qytetin tim. Lumi ynë është degë e Drinit të madh. E këtij emri të spikatur me të cilin do të identifikohej edhe strategu me moral të lartë i ushtrisë së djemve të popullit tim. Falë përpjekjes së tyre pa sprapsje dhe gatishmërisë së fuqisë së huaj miqësore lumi gjarpërues i shehrit shpëtoi nga skuqja me gjakun e fëmijëve që dikur laheshin lirshëm në të.

4.

U çliruam. Për një kohë të gjatë zbatohej ora policore. Netët e vona duhej kaluar mbyllur. Por edhe kjo nuk ngjallte tek ne frikën dhe ndjenjën e shtypjes. Për më shumë se tek liria e lëvizjes mendjen e vrisnim për vazhdimin e ekzistencës në këtë botë. Pra, për sigurinë vetanake e kolektive. Fundja, gjatë ditës përsëri mund të shkonim në pjesët periferike të qytetit për t’u freskuar në lumë.

Kështu fillon odiseada e re e bashkëvendësve, ndryshe nga ato që i kishim përjetuar më parë. Tani lumi nuk do të kishte pritshmëri të lartë nga ne: mjaftonte të mos tregoheshim plangprishës e mosmirënjohës. E kjo do të ishte fytyra e jonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test