Ç’është 12 qershori? - Bota Sot
Ç’është 12 qershori?

Opinione

E premte, 22 qershor 2018

Ç’është 12 qershori?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 12 qershor 2018 Në ora: 10:16
Ilustrim

Sot, më 12 Qershor, në Kosovë është ditë jo pune. Është ditë feste si shumë ditë të tjera, si në asnjë shtet tjetër të botës. Të gjitha institucionet  shtetërore të Republikës së Kosovës nuk punojnë gjatë ditës së sotme.

Për masën e gjerë popullore Shqiptare të Kosovës, 12 Qershori njihet si “Dita e Çlirimit”, e cila nënkupton çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ndërkaq, sipas ligjeve në fuqi për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, 12 Qershori nuk figuron askund!!!

Nëse 12 Qershori nuk është ditë zyrtare, atëherë a duhet apo nuk duhet ta shënojmë atë? Nëse duhet, pse institucionet tona shtetërore nuk e bëjnë atë si ditë feste zyrtare? Nëse 12 Qershori nuk është festë zyrtare, atëherë pse u dashka ta shënojmë atë?!

Dihet se për ta arsyetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17.2.2008, rasti i Kosovës është cilësuar si “sui generis”. Sot, pas më shumë se 10 vitesh të pavarësisë, duket se çdo gjë që ndodh me Kosovën dhe rreth Kosovës është bërë “sui generis”. Gjendja reale dhe praktike e bën Kosovën të mos jetë shtet normal si të gjitha shtetet tjera në botë. Çdo shtet normal në botë, e ka dhe e shënon ditën e vet të çlirimit. Të mos shkojmë më larg, Shqipëria e ka 28 Nëntorin, si ditë zyrtare të çlirimit të vendit nga okupatori nazist gjerman.

Më 12 Qershor 1999, trupat e NATO-s kanë hyrë ushtarakisht në Kosovë, përderisa thuhet se në të njëjtën ditë nga Kosova janë larguar forcat paramilitare, militare dhe policore serbe. Nëse është kështu, atëherë 12 Qershori duhet të njihet zyrtarisht si “Dita e Çlirimit të Kosovës”, dhe si i tillë duhet të përfshihet në kalendarit e festave të Republikës së Kosovës.

Nëse Kosova pretendon të jetë shtet normal njësoj çdo shtet tjetër në botë, atëherë edha ajo duhet ta ketë ditën e saj të çlirimit? Në të kundërtën, i bie se Kosova nuk qenka çliruar ende? Mos vallë, dikush ende kujdeset të mos e zemërojë Serbinë? Nëse është kështu, e që në fakt, duket se është, atëherë jo rastësisht mbi 1000 persona të zhdukur gjatë luftës së 1999-ës, ende njihen si persona “të humbur”. Pse “të humbur”?! Ata nuk kanë humbur, si dikush që mund ta humb rrugën në mal, dhe të zhduket pa gjurmë. Jo! Ata janë marrë me dhunë nga shtëpitë e tyre prej forcave paramilitare dhe policoro-ushtarake serbe, dhe vetëm shteti serb e di të vërtetën rreth fatit të tyre! Ata janë thjesht “ pengje të luftës”! mirëpo, prapë dikush ka interes që ta mohojë luftën e Kosovës, duke e degraduar luftën në konflikt. Dikush ka interes ta heshtë këtë të vërtetë. Dikush është i interesuar ta rehabilitojë Serbinë, ta barazojë viktimën me xhelatin.

Çfarë qenka në fakt 12 Qershori? Duhet apo nuk duhet ta shënojmë këtë ditë?

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test