Letër Kryeministrit Ramush Haradinaj - Bota Sot
Letër Kryeministrit Ramush Haradinaj

Opinione

E premte, 22 qershor 2018

Letër Kryeministrit Ramush Haradinaj

Nga: Prof. Nexhat Ibrahimi Më: 11 qershor 2018 Në ora: 13:40
Ramush Haradinaj duke larguar gruan nga foltorja

I dashur kryeminister,

Këto ditë është Ramazan, kurse sonte është Nata e Madhe e Kadrit. E di që ty nuk të intereson Nata e Kadrit, sepse ti "nuk e di pse je musliman" por për hir të shumicës së popullsisë, kije në konsideratë, sepse gjendesh në qytetin e dhjetëra xhamive, dhjetëra mijë besimtareve muslimanë, gjendesh në Prizren, në qytetin e Hoxhës Ymer Prizreni, kryeministrit të të gjithë shqiptarëve për herë të parë në histori, as gjatë Teutës, as gjatë Gjergjit, as gjatë Enverit apo Fadilit, por ndodhi vetëm në kohën e Muderrisit Ymer Zgatari nga Prizreni. Ai ka qenë i edukuar, i arsimuar, politikan, deputet i parlamentit osman, myfti i Prizrenit, por edhe pse me pushtet, kurrë nuk e përdori forcën ndaj një femre të vjetër. 

Nuk më çudit ti, sepse njihesh për muskuj, njihesh që nuk e respekton nënën tënde, as gruan tënde, por ku janë grupet e shumta për mbrojtjen e femrës, të cilat si skifteret e gjeraqinat vërsulen për diçka kundërmuslimane, ndërsa tash heshtin. Unë e kuptoj protokolin, por dinjiteti i një femre është më i madh se protokoli yt. 

Në këtë kohë para iftari, në vend që të pranojmë një urim për natën e madhe, unë ndjehem i zhgënjyer, jam i mllefosur sepse na ule poshtë Prizrenin, Kosovën, me kulturën tënde prej bodigardi, të cilin zanat e mësove në Perëndimin e egër, të cilët nuk din gjë tjetër pos dhune, dhe për këtë gjithmonë kujdesen të gjejnë edhe fajtorin kujdestar. 

Kryeministër, turpi nuk ka brirë, turpi është ky, femra e një familjeje të emër të shtyhet si një leckë. Si do ta shikosh në fytyrë gruan e nënën tënde sot, nesër.

Po ta kisha fuqinë politike e qytetare, ti do të ishe shkarkuar qysh sonte, por falë këtij votuesi të Kosovës që shumica të ngjasojnë ty, ti do të jetosh edhe më tej. 

Prizreni distancohet nga ti zotëri Ramush Gjokaj. Ti prej sot nuk je kryeministër yni, por i qarqeve të fuqive botërore, për t'i zbatuar projektet e tyre karshi Serbisë. Unë distancohem nga arroganca jote. Edhe me mua mund të veprosh ngjashëm, madje më lehtë, sepse fizikisht jam i dobët, ma bastun në dorë, por nuk munda pa t'i thënë këto pak fjalë me një frymë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test