Krimi i shumëfishtë i krerëve puçistë të LPK-së

Opinione

Krimi i shumëfishtë i krerëve puçistë të LPK-së

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 10 qershor 2018 Në ora: 16:15
Idriz Zeqiraj

Pas vrasjes zyrtare të Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, nga Tirana zyrtare social-komuniste dhe puçistët Lëvizjes Popullore të Kosovës, krerët karrieristë të LPK-së, në veçanti, grupi me vegjetim të Zvicër, intensifikon veprimtarinë minuese ndaj Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, (FARK). Ujdia, dakordimi me menaxhuesit e Fondit Shtetëror, 3 %-it, për tërheqjen e milionave markave nga ky Fond, i trimëroi krerët sabotatorë e kriminalë të Kryesisë puçiste, e cila shkarkoi, dhunshëm, Kryesinë e vjetër, duke e akuzuar atë, deri për tradhti kombëtare. I vetmi që reagoi, denoncoi puçin kriminal e rrugaçëror, në stilin e filosllavit Enver Hoxha, ishte profesor Muhamet Kelmendi, deri atëherë, nënkryetar i LPK-së.

Thonë se çdo e keqe, ka edhe një të mirë. E mira e këtij puçi ishte se u ndërpre bashkëpunimi, me ish-kryetarin e Kryesisë së vjetër të LPK-së, profesor Fazli Veliun dhe Ali Ahmetin me shokë. Kjo ndarje e shpëtoi nga sabotimi Luftën në Iliridë, e cila ishte dinjitoze dhe e mundi në fushë-betejë ushtrinë rraskophane maqedonase, deri në detyrim për të kërkuar ndihmë. Përkundër sabotimit të luftës në Kosovë dhe në Kosovën Lindore, të cilat dështuan, tërësisht, në fushë-betejë, me përjashtim të forcave luftarake të FARK-ut në Koshare, të cilat rezistuan deri në çlirimin e Kosovës, nga NATO-pakti, por, jo nga UÇK-ja.

Paqja në Maqedoni, e vendosur me marrëveshjen e Ohrit, u prolongua, u stërgjat, mbeti  peng i karrierizmit komunist dhe kolaborimit, bashkëpunimit kundra-kombëtar të Arbër Xhaferit, Menduh Thaçit, Ali Ahmetit, me disa hiçër të tjerë, të cilët kur janë në pozitë, zhurmojnë turrshëm, kurse nga kolltuqët e buta, heshtin si mumiet! Disa syresh, janë dëshmuar hafije të disa shërbimeve armike, përfshirë këtu edhe vetë gardistët komunistë të Tiranës zyrtare. Njësoj si puçistët e LPK-së në Kosovë, edhe komunistët dhe lëvizakët në Iliridë, shkelën mbi gjakun e dëshmorëve, harruan krimet e pushtuesve dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me armiqtë e shqiptarëve.

Operacioni imagjinar "Shigjeta" në Koshare

Lufta e Kosharës, e cila, realisht, legjitimoi edhe luftën e UÇK-së në Kosovë, është përballur me:

1) Heshtjen e betejave në Koshare, fillimisht; dhe më vonë,

2) Falsifikimin, me qëllim përvetësimin e Luftës të Kosharës, nga shtabistët e "UÇK-së" të LPK-së.

Pas sabotimit të Marrëveshjes të Osllos, nga krerët e LPK-së puçiste, rrjedhimisht, dështimit të saj, u ndërpre edhe mundësia e bashkëpunimit, në mes të dy faktorëve ushtarakë. Vërtet, krerët puçistë të LPK-së, nuk ishin kurrfarë faktori as ushtarak dhe as politik. Ata ishin një grup halabakësh parazitë, disa syresh me diagnozë skizofrenie, që trajtoheshin, si të tillë, nga mjekësia helvetike. Dhe, kur, pas luftës, u bënë publik funksionet e tyre përgjatë luftës, bota u lemeris dhe u tall shumë, se çfarë lufte mund të jetë bërë në Kosovë, nën komandën e këtyre budallenjve!?

Operacioni për thyerjen e kufirit, ishte vepër ekskluzive e ushtarakëve të FARK-ut. Për suksesin e mësymjes të befasishme dhe frontale, ishte bërë një përgatitje solide. Beteja e suksesshme e 9 prillit 1999, u hesht, me urdhër të "komandantëve" të mrizuar në Hotelin "Rogner", në Tiranë. Radio "Kosova e lirë", që "e bënte mizën buall", edhe për krismën e një "pushkale shtogu", heshti për betejën e përgjakshme, më të lavdishme të Kosharës.  Sihirxhinjtë e "Rogner-it" e donin, prisnin dështimin e FARK-istëve në Koshare. Andaj, dhe heshtnin!

Kjo na kujton ujdinë në mes të Enver Hoxhës të Tiranës dhe Fadil Hoxhës të Prishtinës, për heshtjen e demonstratave studentore në vjeshtën e vitit 1968 në Kosovë! Këtë heshtje provoi ta bënte udhëheqja staliniste e Tiranës edhe për demonstratat studentore të pranverës 1981. Demonstratat filluan me 11 dhe 12 mars, ndërsa Tirana zyrtare reagoi, për herë të parë, me 8 prill, pas akuzave të bëra nga jugosllavët, në adresë të shtetit shqiptar, për organizim të demonstratave.

Edhe me rastin e Betejës së 9 (nëntë) prillit në Koshare, heshtjen e theu pala serbe. Madje, gjeneralë të dy luftërave paraprake, në Kroaci dhe Bosnje, të cilat i quajnë "lojëra", në krahasim me Kosharën e tmerrshme. "Komandantët e "Rogner-it" provuan dhe, ende insistojnë ta përvetësojnë luftën, sikur kjo luftë u bë "në kuadrin e Operacionit "Shigjeta"! Kësaj "teneqeje të shpuar", i bijnë tellallët e medieve të ekstremit të majtë, por, edhe Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi, Kudusi Lame, me kodoshërit e tyre, e deri ke Hashim presidenti! Dhe, ky falsifikim kërkon qytetarinë edhe sot, në epokën digjitale, sikur ngjarjet të ishin zhvilluar në prehistori!!! 

Në përvjetorin e 19-të të Luftës së Kosharës, Hashim presidenti, pacipërisht, pati guximin ta përsërisë gënjeshtrën e madhe falsifikuese, se Lufta e Kosharës ishte pjesë e Operacionit "Shigjeta"!? Por, në fjalën e tij, komandanti i Kosharës, Rrustem Berisha, demantoi president zezën, se kufirin e thyen oficerët dhe ushtarët e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës.

Në zbritje nga varrezat e Kosharës, për ke veturat poshtë shpatit, Hashim presidenti e qortoi komandant Berishën, se "ma fute thikën pas shpine". Komandanti i Kosharës i përgjigjet, i vendosur, se sa herë ta thoni se Kosharja ishte pjesë e Operacionit "Shigjeta", unë do t`ju demantoj.

"A kemi qenë pjesë e Operacionit "Shigjeta", apo jo, ne, një vit pasi ka mbaruar lufta, kemi dëgjuar se kishte një Operacion "Shigjeta!" Ne kemi gjithçka të shkruar, ndërsa ajo, "UÇK-ja" juaj, duhet me pyet çfarë thonë të tjerët për Kosharën", - e përforcoi deklarimin e tij, komandanti i Kosharës, Rrustem Berisha.

Përfundimisht, Operacioni "Shigjeta", në Luftën e Kosharës, na rezulton, tërësisht, imangjinar, inekzistent, safi rrenë e kulluar, falsifikim i vrazhdët, vazhdimësi e përpjekjeve të dështuara, për ta përvetësuar luftën, të bërë nga të tjerët, në rastin konkret, nga FARK-istët e Ibrahim Rugovës.

Përlavdërimet e listaxhiut Zyrapi

Kolonel Bislim Zyrapi nuk mbahet mend as si oficer në luftën e Bosnjës dhe as si shef i SHP të "UÇK-së". Por, ai ka bërë emër, për të keq, si listaxhiu i të shënjestruarve për ekzekutim, nga Shtabi kriminal i tij. Dhe, shefi i tij Hashim, e ka për zemër Zyrapin, si menaxhues i djeshëm i listave të vdekjes, të kundërshtarëve politikë dhe këshilltar i sotëm intim.

Qenia në krye të Shtabit të Përgjithshëm të "UÇK-së" e Bislim Zyrapit, e bëri atë edhe komandant të Operacionit dështak "Shigjeta". Gjithë respekt për listën e veteranëve te "Shigjeta", emrat e të cilëve mbulojnë gjeografinë e Kosovës, e cila përmbyllet e rrumbullakuar me shifrën 2.000, nëse janë, vërtet, të gjithë meritorë. Sepse, mjafton gatishmëria e tyre, për të luftuar për lirinë e vendit, për të qenë të nderuar. Dështimi nuk është i luftëtarëve, por, i komandës së tyre profane, të pa ditur e hiç profesionale. Oficerët, më saktw, politikanët, e Operacionit "Shigjeta", të lakmuar nga aksioni ushtarak i FARK-ut, në Koshare, organizuan mësymjen në Zonën Operative të Pashtrikut.

Por, Operacioni ishte një organizim i keq, ishte një kopjim, nga larg, me të dëgjuar dhe jo të përjetuar, të aksionit luftarak në Koshare. Andaj, ushtarët u ndodhën të rrethuar nga forcat serbe, u goditën, u sakatosën, ikën në panik dhe dështuan plotësisht. Madje, ikën aq larg, sa që forcat serbe granatuan dhe minuan, ngeshëm, një kilometër brenda territorit të Shqipërisë, pa u shqetësuar nga askush.

Të mburrësh me Operacionin "Shigjeta" në Pashtrik, ku "ushtria" e kolonel Zyrapit e pësoi "si breshka ke nallbani", është njësoj si festimi i humbjes të serbëve, për betejën e Kosovës, 8 (tetë) shekuj më parë! Çfarë injorance!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat