Kur Hashim Thaçi dhe ShP i UÇK-së, Bujar Bukoshin e akuzonin si keqpërdorues të 100 milionë markave gjermane dhe si kriminel lufte!

Opinione

Kur Hashim Thaçi dhe ShP i UÇK-së, Bujar Bukoshin e akuzonin si keqpërdorues të 100 milionë markave gjermane dhe si kriminel lufte!

Sheradin Berisha Nga Sheradin Berisha Më 8 qershor 2018 Në ora: 12:46

"Kryeministrin e parë të Kosovës, Bujar Bukoshin, i cili ishte edhe iniciues i nënshkrimit të apelit të intelektualëve kundër suprimimit të autonomisë dhe pjesëmarrës në Rambuje, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Ish-kryeministri Bukoshi ka dhënë kontribut të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe punën e përbashkët në institucionet e Kosovës. HTH" - kështu shkruan, më 6 qershor 2018 Hashim Thaçi në facebook, pasi e dekoron Bujar Bukoshin në cilësinë e kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës!
***
Nga arkivi i luftës:

Marrëdhëniet Hashim Thaçi - Bujar Bukosji gjatë luftës!

HASHIM THA?I I SHKRUAN BUJAR BUKOSHIT: "SHTABI I PËRGJITHSHËM I UÇK-së KA TË DHËNA TË SIGURTA QË JANË KEQPËRDORUR RRETH 100 MILON DM., NGA JU DHE SUITA QË JU RRETHON"

Dihet mirëfilli se, Bujar Bukoshi nga tetori i vitit 1991 e gjer në përfundim të luftës, (qershor 1999), ishte "Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në Exil", ndërsa Hashim Thaçi gjatë luftës mbante pozitën e "Shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të U?K'së".

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (SHP i UÇK'së) përmes komunikatave dhe deklaratave të lëshuar gjatë vitit 1998 - 99, shumëherë i ka bërë thirrje Bujar Bukoshit, ish Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës me seli në Ulmë të Gjermanisë, që ta ndihmojë financiarisht luftën e UÇK'së dhe paratë e grumbulluar në fondin e qeverisë së tij (fondin e 3%'shit) t'i derdh në Fondin e UÇK'së "Vendlindja Thërret". Më 17 janar 1999 (vetëm dy ditë pas vrasjes së 45 civilëve shqiptar të paarmatosur në fshatin Reçak të Shtimjes) z.Bukoshi, në programin satelitor të Televizionit Shqiptar (TVSH) ka deklaruar se për nevojat e luftës ka shpenzuar 60 milionë marka gjermane. Ndërkohë i menjëheshëm ka qenë reagimi i Hashim Thaçit, ish'Shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të UÇK'së. Z.Thaçi në një deklaratë të lëshuar për opinion (më 18 janar 1999) deklarimet e Bujar Bukoshit i ka cilësuar "mjaftë irituese, tendencioze e fyese për realitetin kosovarë". "SHP i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës, se në ç´drejtime janë dedikuar" - ka thënë Hashim Thaçi, dhe prandaj ka kërkuar nga Bukoshi që "të qartësoj para popullit dhe bashkatdhetarëve të nderuar …, ku janë ato mjete dhe për çka shfrytëzohen". Ndërkaq "fton bashkatdhetarët që…, për kontributet e tyre financiare që mbahen të bllokuara t'u bëjnë presion 'institucionalistëve' që ato të derdhen në fondin e UÇK-së 'Vendlindja Thërret'." Me këtë rast Hashim Thaçi ia kujton Bujar Bukoshit se, "Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka të dhëna të sigurta që janë keqpërdorur rreth 100 milion DM nga ju dhe suita që ju rrethon;" dhe se me këto mjete "vazhdoni të financoni vëllavrasjen".

Për më tepër Hashim Thaçi, sipas të dhënave të 'Shërbimit Informativ të UÇK-së', Bukoshin e akuzon se e ka financuar 'Ministrinë e Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme 1991-1993" dhe mëpastaj i ka denoncuar; se ka gisht në arrestimet e 'veprimtarëve të LPK-së dhe LKÇK-së' në vitin 1993; se financon 'organizimet mercenare të FARK-ut dhe…Ministrinë e Brendshme'; se ka "financuar në vrasjen dhe tentim vrasjet e komandantëve të UÇK-së"; se "dosja juaj flet për planet tuaja për likuidimin e SHP të Përgjithshem të UÇK-së, dhe disa personaliteteve eminente të skenës kosovare", e të tjera.

Në vazhdim lexoni të plotë deklaratën e ish'shefit të Drejtorisë Politike pranë SHP të UÇK-së, z.Hashim Thaçi:

DEKLARATË PËR OPINION

Populli i Kosovës nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke kaluar periudhën më të rëndë të luftës për liri, pavarësi e prosperitet demokratik. UÇK ka mbledhur rreth vetes bijtë dhe bijat më të çmueshme të Kosovës, që çdo ditë përballen me luftime dhe fitore të reja. Rreth programit politiko-ushtarak të UÇK-së janë pozicionuar subjekte politike e jo politike shoqata, intelektualë me influencë në skenën kosovare e më gjerë. Rreth UÇK-së është mbledhur ndërgjegjsia kombëtare. SHP i UÇK-së është në procesin e konkretizimit për krijimin e institucioneve të Kosovës. Fillimi i 1999 shënon fillimin e punës së Agjencisë Informative Shtetërore „Kosovapress“ dhe radios „Kosova e lirë“ si dhe punën këmbëngulëse në krijimin e organeve legjislative dhe ekzekutive (Asamblenë dhe Qerverinë e Kosovës). Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, është duke punuar sistematikisht në drejtim të integrimit të UÇK-së në mekanizmat politike - ekonomike, paktin verio-atlantik, partneritet për paqe e pastaj në NATO si garancë më e fuqishme për siguri e stabilitet kombëtar dhe ndërkombëtar.

Popull shqiptar!

UÇK është duke zhvilluar luftë pothuaj të përgjithshme kundër pushtuesit serb i cili është duke i përdorur format më barbare që mund t´i shfrytëzoi një pushtues kundër një populli që zhvillon luftë çlirimtare. Nga zhgënjimi për humbjet e mëdha në front që pësoi ushtria serbe nga trupat tona, ata si edhe më parë kanë kaluar në aksione vrasëse shfrenuese, terroriste kundër popullsisë civile shqiptare (rasti i fundit masakra në fshatin Reçak). Në kohën kur UÇK ndan dhëmbjen dhe pikëllimin me të afërmit e të të vrarëve dhe popullin në përgjithsi, dalin deklarata të papërgjegjshme nga disa zëra që në emër të kësaj ngjarje dhe nga frika e afrimit të potencialit ushtarak të Kosovës, mundohet t´i mbulojnë veprimet e tyre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deklarimet e fundit të "qeverisë" Bukoshi janë mjaftë irituese, tendencioze e fyese për realitetin kosovare më gjerë të përcjellura me të pavërteta, shantazhe deri në kërcënime. - Qeveria Bukoshi nuk ka njohur dhe ndihmuar me përgjegjësi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

- SHP i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës, se në ç´drejtime janë dedikuar.

- Shtabi i përgjithshëm UÇK-së, fton bashkatdhetarët që të mos bien në grackat e konstruktuara nga 'institucionalistët', kurse për kontributet e tyre financiare që mbahen të bllokuara t'u bëjnë presion „institucionalistëve“ që ato të derdhen në fondin e UÇK-së 'Vendlindja thërret'.

- Bukoshi duhet të qartësoj para popullit dhe bashkatdhetarëve të nderuar që nuk kursyen e nuk po kursejnë edhe kafshatën e gojës ta ndajnë për UÇK-në, ku janë ato mjete dhe për çka shfrytëzohen.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka të dhëna të sigurta që janë keqpërdorur rreth 100 milion DM nga ju dhe suita që ju rrethon; (60 milion më në fund i pranuat se janë shpenzuar, 10 milion dollarë vetëm në emër të një kontrate të dështuar) në „shërbim të popullit“. Ju nga këto mjete financuat dhe vazhdoni të financoni vëllavrasjen.

Shtytja për veprim të të ashtuquajturit FARK dhe ministrisë së punëve të brendëshme nuk janë asgjë tjetër veçse organizime mercenare të ndihmuara dhe të financuara nga ju.

Të dhënat e Shërbimit Informativ të UÇK-së rezultojnë se;

- ju keni mbështetur e financuar organizimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme 1991-1993, e pastaj i denoncuat kujto veprimet minuese në Kroaci. Ju keni gisht në arrestimet e vitit 1993, ndaj veprimtarëve të LPK-së dhe LKÇK-së.

- Ju keni gisht në ngjarjen e turpshme të Tiranës në verë 1994.

- Ju mbështeteni dhe financoni organizimet mercenare të FARK-ut dhe tash së fundi Ministrinë e Brendshme.

- Ju keni financuar në vrasjen dhe tentim vrasjet e komandantëve të UÇK-së, dosja juaj flet për planet tuaja për likuidimin e SHP të Përgjithshem të UÇK-së, dhe disa personaliteteve eminente të skenës kosovare.

- Popullit duhet t´i tregohet se ç´rezultate pati puna e FARK-ut, kur ju organizuat shpërnguljen e 20 mijë shqiptarëve nga Dukagjini, pastaj tentim shpërngulja nën inspirimin e farkistëve në Suharekë?!

- Pse tentoni të përsëritni veprimet farkiste në Suharekë?!

- Ju keni mbështetur e financuar tentim grushtetin në Shqipëri,

- ju edhe tash punoni në drejtim të destabilizimit të instutitucioneve të shtetit shqiptar.

- Pse keni frikë dhe pengoni afrimin e potencialit ushtarak kombëtar të Kosovës, rreth UÇK-së.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së do të punojë në drejtim të afrimit të të gjithë potencialit politik e ushtarak të Kosovës, dhe këtë do ta arrijë.

Ftojmë të hamendurit që të ndërgjegjësohen dhe të largohen nga veprimet esadiste "qerveritare".

Prishtinë, 18. 01. 1999

Hashim Thaqi
Udhëheqës i Drejtorisë Politike

pranë SHP të UÇK-së

Lexoni faksimilin më poshtë:

SHP i UÇK-së: "BUKOSHI E BICAJ JANË MATRAPAZ E KRIMINEL LUFTE"

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ?lirimtare të Kosovës në deklaratën politike Nr.34, të publikuar më 30 mars 1999 nga "Kosovapress'i", vë në pah "rrezikun që po i kanosej Kosovës e rajonit nga regjimi kriminal i Beogradit", dhe mosunitetin e faktorit politik shqiptar, duke kërkuar kështu "pushimin e veprimtarive partiake përqarëse dhe bashkimin e të gjithëve, rreth Ushtrisë ?lirimtare të Kosovës, që kjo të ndihmohej gjithanshmërisht, që të gjithë, veqanërisht Bujar Bukoshi të kryente obligimet për luftën e mbrojtjen, por thirrjet tona hasën në vesh të shurdhër sidomos te ky i fundit", - thuhet në deklaratë. SHP i U?K'së, pasi përshkruan terrorin, gjenocidin dhe golgotën shqiptare të përjetuar nga regjimi kriminal i Millosheviqit, dhe përkrah aksionet ushtarake të Aleancës veriatlantike (NATO's) mbi "objektet armike", në fund të deklaratës, Bujar Bukoshin (kryeminstrin e Qeverisë së Kosovës në Exil, dhe Ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Halil Bicajn (i emruar pas vrasjes së Ahmet Krasniqit - shtator 1998), i cilëson si: "matrapaz e kriminel lufte".

Saktësisht Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë ?lirimtare të Kosovës shkruan (po citoi):

"Të dashur bashkatdhetarë, në Kosovë ka dy institucione: Qeveria e Përkohshme me kryeministër z.Hashim Thaçi, dhe Ushtrinë ?lirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga SHP i saj. Të tjerët, Bukoshi e Bicaj, që paraqiten jashtë dhe në emër të këtyre institucioneve, janë matrapaz e kriminel lufte" - përfundon citati.

Për më tepër lexoni faksimilin e deklaratës politike nr.34 të ShP të  U?K-së:
***

NË FILLIM TË VITIT 1999 BUJAR BUKOSHI, NGA FONDI I QEVERISË IA DHA 30 MIJË DM GAZETËS "BUJKU", PËR SHLYERJEN E BORXHIT QË IA KISHTE SHTYPSHKRONJËS SERBE "PANORAMA", NDËRKOHË QË NGA LUFTËTARËT E LIRISË AKUZOHET SE, PARATË E POPULLIT NUK PO I ORIENTON NË BLERJEN E ARMATIMIT!

Në kohën kur shefi i DP të U?K, Hashim Thaçi dhe SHP i U?K'së, kërkonin nga Bujar Bukoshi që paratë e mbledhur në Fondin e 3%'shit të jepen për Ushtrinë ?lirimtare të Kosovës dhe për më tepër akuzohet se i ka keqpërdorur rreth 100 mijë DM, ky i fundit (Bujar Bukoshi) pas një komunikimi telefonik që ka zhvilluar me z.Binak Kelmendi, kryeredaktor i gazetës ditore "Bujku", i ka lejuar marrjen e 30 mijë DM. për shlyerjen e borxheve të gazetës, që ia kishte shtypshkronjës serbe "Panorama"!

Këtë fakt e argumenton z.Bajram Kabashi, gazetar i "Rilindjes -Bujkut", (nga 1 dhjetori 1982 gjer më 28 prill 1999), në librin e tij: "Rilindja përkujtim dhe trishim, ShB - Leka, Prishtinë 2001".

Gazetari Bajram Kabashi duke qenë si dëshmitarë i këtij rasti, në libër shkruan se, "serbët në fund të dhjetorit 1998 e ndaluan "Bujkun" dhe "si shkas u morën borxhet e papaguara të rrymës dhe ato ndaj shtypshkronjës (Panorama)" (faqe 343). "Pas kësaj Blerim Stavileci, në cilësinë e drejtorit të Rilindjes, pati shkuar në Beograd, 'vetëm për të parë se çka po kërkojnë!'…(faqe 344) Për shkuarjen e tij në Beograd ka bërë një lajm edhe "Tanjug'u" serb, lajm të cilin e botuan edhe shumë gazeta dhe radiostacione të tjera lajmesh, sikurse edhe "Koha ditore". (faqe 345).

Në vazhdim z.Bajram Kabashi, e parshkruan detalisht këtë ngjarje në faqen 345, të librit "Rilindja përkujtim dhe trishim". Z.Kabashi, shkruan si vijon:

"Në këtë mënyrë Blerim Stavileci pati rënë në kurthën provokative serbe. Mirëpo ndalimi i "Bujkut" lidhej edhe me kumbaritë e prishura me dikend nga udhëheqësia e mëparshme, që sipas shumë gjasëve ka ndarë para me serbë të Panorama-s. Tash gjithçka kishte rënë në fund të pusit. Udhëheqjes pushtuese serbe në shtypshkronjë iu paguan disa borxhe në fund të dhjetorit (1998), por ata kërkonin të tjera! Borxhi sa më kujtohet ishte dikund nja 30 mijë marka gjermane. Atëherë rreth kësaj është folur shumë. Binak Kelmendi (kryeredaktor i Bujku't) e ka pasur një takim me Ibrahim Rugovën rreth problemeve të Rilindjes, andaj më kujtohet kur Binaku na pati thënë se si Rugova i kishte porositur që duhej të ishim unik, pra edhe me Mehmet Emërllahun, sepse, qysh e interpretonte kryeredaktori i gazetës, ai i kishte thënë se 'në Tiranë e keni shtypshkronjën'!...

Përpjekjet për shlyerjen e borxhit ndaj organeve pushtuese serbe, ishin të mëdha nga ana e Binak Kelmendit, i cili shpresonte se kështu do të mundësohej ridalja e Bujkut. Më në fund, nga zyra e tij, pasi nga udhëheqësia e LDK-së iu dha numri i telefonit mobil të kryeministrit të atëhershëm, Binaku e thirri Bujar Bukoshin, të cilin e njoftoi me problemin. Bukoshi i tha që të thërriste edhe të nesërmen, dhe kështu e lejoi marrjen e shumës së caktuar të parave. U bë çka u bë, dhe paratë u morën. Dhe, u morën në të njejtën kohë kur luftëtarët e lirisë shqiptare në terrenet e Kosovës të përfshira nga lufta, e akuzonin Bukoshin se paratë e popullit nuk po i orienton në blerjen e armatimit dhe, përgjithësisht, në drejtim të forcimit të frontit të rezistencës së armatosur kundër forcave pushtuese serbe. Prapë ishte Blerim Stavileci ai që pa e bërë ndonjë analizë më të peshuar, udhëheqjes pushtuese të shtypshkronjës (Panorama) ia dërgoi pothuaj 30 mijë marka gjermane! Serbët i morën paratë dhe as e lëshuan rrymën as e lejuan më daljen e gazetës Bujku, të ndaluar prej fundit të dhjetorit 1998."

(Citat i shkëputur nga libri: Bajram Kabashi - "Rilindja përkujtim dhe trishim" /Shënime e kujtime 1982 - 1999/ Shtëpia botuese LEKA, Prishtinë 2001, faqe 345.)

Lexoni faksimilin e librit, faqe 345:

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat