Portreti i Skënderbeut në shkollat e Kosovës

Opinione

Portreti i Skënderbeut në shkollat e Kosovës

Nga: Ndue Dedaj Më: 7 qershor 2018 Në ora: 09:24
Ndue Dedaj

Skënderbeun e kanë njëlloj si nxënësit e Shqipërisë, si ata të Kosovës, por nëse për të këtushmit nuk përbën lajm kur portreti i heroit kombëtar nuk gjendet i afishuar në klasë, ndryshe ndodh me ata matanë Morinit. Shkruante me shqetësim qytetar e kombëtar në Facebook një arsimtar i njohur i gjimnazit të Klinës, Pal Canaj, njëherësh njeri i letrave, i dërguar për vëzhgimin e provimeve në njërën nga shollat e Pejës. “Sot, në Pejë, në shkollën “8 Marsi”, isha administrator në testin e Maturës dhe në klasën ku u ndodha i pranishëm mungonte portreti i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Mendova se diçka e tillë ishte rastësi, por kureshtja me shtyu që të shihja edhe dhomat tjera mësimore të kësaj shkolle, ku për habi në secilën prej tyre mungonte portreti i Skënderbeut. Bisedova me drejtorin e shkollës dhe ai me tha se pas renovimit të objektit shkollor disa prej fotove mund të jenë dëmtuar dhe për të siguruar të rejat mungonin mjetet financiare dhe, sapo ato të gjendeshin, portreti i Skënderbeut do të rivendosej sërish në klasa. Shqetësimin tim ia paraqita edhe zyrtares së Ministrisë se Arsimit, që ishte aty për mbarëvajtjen e testit, mirëpo ajo shfaqi mosdisponimin e saj për t’u marrë me këtë çështje”. 

Për lexuesin e painformuar sa duhet për punët arsimore andej, ky mund të duket thjeshtë meraku i një mesuesi në Vitin e Skënderbeut. Por nuk është kështu. Profesori i letërsisë, Canaj, kërkon të zbatohet rregullorja e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, sipas së cilës, për vendosjen e portretit të Skënderbeut në mjediset e tyre janë të detyruara të gjitha institucionet arsimore në shkallë vendi. Një vendim më se i vlefshëm, që do të ishte mirë të zbatohej, me apo pa rregullore të posaçme, dhe në shkollat këndej Morinit, duke filluar nga ato të Tiranës, një hap nga porta e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Sigurisht ka patur një kontekst historik që i ka shtyrë intelektualët e Kosovës ta kërkojnë një “nder” të tillë. Rexhep Osmani, ish - ministër i Arsimit i Kosovës, thotë: “Vendimi për vendosjen e portretit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shkolla është nxjerrë në kohë robërie për shkollën tonë shqipe”, duke shtuar se heqja e portretit të tij nga objektet arsimore është veprim i papërgjegjshëm etj. Ndodhia në fjalë nuk ka kaluar pa komente. Dikush e ka quajtur rastësi, dikush tjetër është shprehur i gatshëm që të paguajë nga xhepi i tij që shkolla t’i  ketë sërish portretet e Skëndrebeut, aq sa i nevojiten. Por ndokush ka shfaqur dyshimin se gjera të tilla mund të ndodhin aty-këtu dhe nën ndikimin e ndonjë korenti fetar në Kosovë.

“Mos u çuditni që është hequr portreti i Skënderbeut në vitin e tij, pasi ka nga ata që duan ta zëvendësojnë me portretin e Sulltan Muratit”, shprehet ashpër njëri nga reaguesit. Në pamje të parë, kur pranëvihen dy emra kundërshtarësh të mëdhenj historikë, duket se “lufta” mes tyre ende nuk ka mbaruar, dhe pse kanë kaluar gjashtë shekuj. Dhe sigurisht që në këtë mes nuk ka si të jetë faji i të zotit të vendit, që nuk ka qenë ai pushtuesi i tjetrit. Mund të dukej një shtjellim disi letraresk ky, nëse vetëm dy muaj më parë nuk do të kishte ndodhur, ditën për diell, deportimi i 6 shtetaseve të Republikës së Turqisë, arsimtarë dhe drejtues të kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, pa lejen e qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit të Kosovës, çka çoi në shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të shërbimit të fshehtë. Njerëzit jo vetëm në Kosovë janë të ndjeshëm ndaj çdo cenimi, me apo dashje, të figurës së heroit kombëtar. Vetëm katër vite më parë që postuar në rrjetet sociale një video ku paraqiteshin disa të rinj të indoktrinuar duke sharë dhe gjuajtur me shuplakë shtatoren e Skënderbeut në Kaçanikun e përmendur për lavdinë e tij, ku dhe pati lindur kënga himn “Xhamadani vija - vija”, e cila, edhe pse mban autorësinë e kompozitorit Zef Çoba, poetit Alfred Çapaliku dhe këngëtares Shkurte Fejza, ka tashmë “bashkautorësinë” e gjithë shqiptarëve. Siç mund të kuptohet, frika është tjetërkund e jo se portreti i heroit kombëtar u hoq nga ca klasa të një shkolle gjatë restaurimit të saj, për t’u vënë nesër prapë aty. Arsimtarët pejanë nuk do ta lejojnë mungesën e portretit të heroit kombëtar nga klasat ku japin mësim. Ata, siç thotë veprimtari i njohur i atyre anëve, profesori i gjuhës angleze Dodë Ndrecaj, kanë shpërndarë dije dhe kultivuar atdhetarinë tek ne që kemi mësuar në Pejë, ndaj u jemi mirënjohës për kontributin e tyre. Aq më tepër që pas Luftës së Kosovës, në komunën e Pejës kanë udhëhequr dhe janë në pushtet partitë e spektrit politik që kombëtarizmin e kanë temë që dorës së parë sa herë që ka zgjedhje.

Përtej rastit të shkollës së Pejës, loja me fotografitë është e vjetër, sidomos nga politika dhe politikanët. Duke qenë Viti i Skënderbeut është e pritshme që “fotografia” e tij të ketë shpalimin e vet gjithnurësh. Ka nga ata që mendojnë se duhej të ishte ajo fotografia zyrtare e shtetit shqiptar dhe jo e Ismail Qemalit, aq më pak e presidentit të radhës të republikës së Shqipërisë. Skënderbeu është e vetmja figurë e gjithëpranuar kombëtarisht. Mbase nga ky vështrim ndonjë ish-zyrtar i lartë publik, krahas fotografisë së kryetarit të shtetit të Pavarësisë (1912) varur në mur, në një siprinë të zyrës mbante edhe atë të Skënderbeut, si për të thënë se ky meriton një tjetër status zyrtar. (Teksa mjaft të tjerë mbajnë në tavolinat e tyre portretin apo buste të vegjël të Nënë Terezës, po kjo është një qasje shpirtërore.) Edhe pse është jo pak për t’u habitur, ka ndodhur që zyrtarë të shtetit të mbajnë në zyra portretin e Kryeministrit Edi Rama (!) Ashtu siç ish-zyrtarë të lartë mbajnë në zyrat e tyre fotografinë e Sali Berishës. Ka gjasë që dhe në Kosovë fotografitë e Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt të jenë më dominueset sot, të paktën nisur nga fasadat e pallateve në Prishtinë etj.

Nuk është se liderët politikë nuk kanë vendin e tyre në jetën publike dhe si imazh fotografik, por na duket se më së shumti këto qendrime shprehin njëfarë psikologjie parashtetërore, kur për funksionin që ke patur apo që ke ia di për nder liderit “historik” të së majtës apo të së djathtës që të ka vënë në ato këmbë. Nëse sot nuk duket askund fotografia e Fatos Nanos në mjediset e PS-së, në ato të LSI-së nuk është se mungon ajo e Ilir Metës. Përtej Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, Ibrahim Rugovës, Arber Xhaferit zakonisht ato që “mbijetojnë” janë fotografitë e të “fortëve” të historisë, qofshin mbretërorë apo partipunas.

Ndaj fotografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut na fton për një reflektim më të thellë të imazhit tonë historik dhe shtetëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat