Vetëm në shtetet diktatoriale, ligjet mund të jenë jokushtetues, sepse kushtetutat janë jodemokratike

Opinione

Vetëm në shtetet diktatoriale, ligjet mund të jenë jokushtetues, sepse kushtetutat janë jodemokratike

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 3 qershor 2018 Në ora: 17:23
Abdulla Mehmeti

Lideri i partisë OBRM-PDUKM, Hristian Mickoski, në tubimin e sotëm kundërqeveritar, të mbajtur në Shkup, mes tjerash ka deklaruar se ,,shqiptarët nuk kanë nevojë për ligj kundërkushtetues të gjuhës shqipe”.

Kështu është kur gjarpëri i zbulon këmbët e veta. Ai, me këtë dëshmon se nuk ka asnjë shpresë të ndryshojë kjo kategori e njerëzve me mentalitet të pareformueshëm, të indoktrinuar thellë me urrejtje dhe shovinizëm kundër shqiptarëve, të cilët përmes kësaj deklarate i ofendon në nivel tepër poshtërues. Për këtë nuk është fajtor vetëm ky lider i partisë opozitare maqedonase, as ata që e drejtuan këtë parti më herët, e cila e ka udhëhequr shtetin mbi 11 vjet me radhë, sepse këtë politikë e kanë realizuar me ndihmën edhe të partive politike të shqiptarëve, drejtuesit e të cilave ose nuk e kuptojnë këtë gjuhë të urrjetjes që buron nga ideologjia nacionalshoviniste e këtij formacioni politik, ose janë tepër të paditur dhe injorantë për të udhëhequr politikë në emër të shqiptarëve në Maqedoni.

Kur deklaron kështu lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase, se ,,shqiptarët nuk kanë nevojë për ligj kundërkushteues të gjuhës shqipe”, me këtë ai e pranon se kushtetuta e këtij shteti nuk e njeh gjuhën shqipe, as sipas ligjit të mëparshëm dhe as sipas ligjit të ri, i cili e rregullon çështjen e përdorimit të gjuhëve të pakicave në Maqedoni dhe nuk është ligj vetëm për përdorimin e gjuhës shqipe, më së paku e barazon gjuhën shqipe me gjuhën maqedonase, si gjuhë zyrtare. Me këtë, lideri i kësaj partie opozitare maqedonase dëshmon se nuk e njeh as identitetin, historinë dhe kulturën, as përkatësinë kombëtare të shqiptarëve, prandaj, jo rastësisht shqiptarët janë të përfaqësuar si numër dhe përqindje në këtë kushtetutë, pakicë kombëtare e padefinuar, jo popull shtetformues sipas pjesëmarrjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë, të veçorive kombëtare të dallueshme nga të tjerët, sepse shqiptarët janë i vetmi popull autokton në Maqedoni dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme të popullsisë.

Jo vetëm intelektualët shqiptarë, por edhe shumë intelektualë maqedonas kanë deklaruar publikisht, se kur do të çlirohet Maqedonia nga mentaliteti i njerëzve të kësaj partie me ideologji nacionalshoviniste, të cilën e drejton aktualisht Hristian Mickoski, vetëm atëherë mund të fillojë demokratizimi i shoqërisë dhe progresi në këtë shtet. Kur do ta kuptojnë këtë edhe udhëheqësit e partive politike të shqiptarëve, apo, janë zhytur aq thellë në korrupsion dhe krime, saqë e kanë njësoj, nëse do të ndjehen shqiptarë, apo vetëm politikanë dhe pa identitet kombëtar?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat