Pse erdhi vajza tiranse në Turjakë?

Opinione

Pse erdhi vajza tiranse në Turjakë?

Nga: Sinan Kastrati Më: 27 maj 2018 Në ora: 12:49
Sinan Kastrati

Turjaka, katundi i “babait” së Sanijes, Sylës ishte katundi më i mirë që kishte parë ndonjëherë vajza e re tiranse.

Kishte male të buta e bjeshkë të egra, plotë me gurë të medhenj e me drunj të llojlojshëm. Dhentë, dhitë e loptë kullosnin në bjeshkë, por jo edhe buallicat për shkak se bjeshka e Turjakës kishte shumë gurë të mprehtë e buallicat ishin më të “rënda” e dembelica.

Malet e Turjakës, Dushkajat ishin shumë, shumë të buta e me dhe të bardhë. Katundarët turjakas prandaj dhèun e Dushkajave e merrnin për me i lye shtëpijat. Dhèu ishte shumë i yndyrshëm. Shtëpitë e lyera me dhè të dushkajave përveç që i hijeshonte dhomat e shtëpive të reja, ato e mbanin edhe dhomën të ngrohtë.

Me dheun e Dushkajave, turjakasit bënin edhe qerpiq e kur tereshin qerpiqët, i piqnin nëpër furra,një ditë e një natë derisa forcoheshin. Furrën e dheznin me krande të holla e mandej shtinin dru të trasha deri sa qerpiqët bëheshin tulla dhe e merrnin formëm e ngjyrës së kuqe. Tullat nga dheu i Dushkajave të Turjakës, ishin shumë njohura dhe katundarët e katundeve të tjera i blenin për ndërtimin e shtëpive të reja. Shumë katundarë nga Maxhara e Maralia po edhe katundet tjera, vinin e i blenin tullat e Turjakës.

Turjakasit ishin edhe mjeshtër të qereqit. Ata merrnin gurtë në bjeshkë dhe i digjnin në furrat speciale për disa ditë netë rregullisht derisa gurtë e fortë të Turjakës, zbuteshin. Qereqin e shitnin bukur shtrenjtë sepse shumica e turjakasve nuk i lyenin shtëpitë e tyre më me lloq (dhè nga Dushkajat) por me mallter (zall të përzier me qereq).

Po ajo që më më së shumti ia shtonte hijeshinë Turjakës ishin Bjeshkët dhe lumi Mirusha.

Pleqt e menqur turjakas thonin se nuk jetohet me një katund që nuk ka lum e bjeshkë. E Turjaka e kishte edhe lumin, bjeshkët, arat, livadhet dhe mullinin.

Bjeshkët shtriheshin në Jug të katundit dhe vazhdonin në jug deri në Zatriq e Rahovec e në jug-lindje deri në Astrazub e Carravranë.

Ishte një kënaqësi e vaçantë kur qobanët (qabanë, i thonë Turjaka, shen. i aut.) që askund nuk mund ta gjeje e përjetoje se sa në bjeshkët e Turjakës. Qobanët zgjoheshin herët mengjeseve me bagti, i lëshonin dhetë (delet) nga vathet e tyre, pasi i milnin baqicat, dhe mësyeheshin nga dy drejtime për në Bjeshkë. Njëra anë ia mësynte Vakafit e ngjitej kah Zabeli i Behramit, qabat tjerë, nga mesi i katundit, që nga shtëpia e Xhelë Nurqit, Amrush Bajramit, Zenel Smajlit, Brahim, Muharrem e Bajram Ramadanit, Musli e Ali Metës niseshin nga Vakafi dhe drejtimi tjetër, kryesisht mahalla e Ali Agëve, Shaban Shaqa, Sylë Sahiti, Avdyl Imeri, Xhemë Maxharra, Rexhep Jupa, Asman Meta, Mertez Smajli, Shaban Ramadani e Sefer Salihi i qonin nga Ulica e Aliagëve. Qabat e këtyre familjeve ia mësyenin bjeshkës kah Vrella e Dylybashëve ose Dushkajeve e delnin te Llokma e Gradinës dhe hynin Selishtave, të Gradina e Vogël ose deri te Qafa e Gradinës e Lugi i Hamidëve dhe ngjiteshin te Balli i Kerrshit ose shpella, Gropa e Llozeve. Gropa e Llozeve ishte shumë e thellë sa që kur gjuanim gurë qobanët në shpellë pas disa sekondave e ndoshta minutave dëgjohej zhurma e gurëve duke rënë shpelles poshtë. Ishte një shpellë që askush nuk guxonte të hyjë se ishte shumë e thellë e ne qobanët i ruanim delet që mos të afrohen afër saj. Rreth shpellës kishte shumë lejthia, rrush, molla e dardha të egra.

Po bjeshka kishte edhe bukuri të tjera që s`i kishin bjeshkët e tjera. Balli i Kerrshit kishte dhoma nga gurët disa metra të gjëra e të gjatë e mbi to kishte kalenica me ujë që pinin delet.

Qabat turjakas si “rregull” kur i l`shonin gjâjen (bagëtinë), me vete merrnin edhe një një qante me bukë për veti e për qentë, briskun, thikën, shtagen që vetë e zgjidhnin dhe e lulonin si një piktor i mirë. Ata i shoqëronte dhe fyelli, kavalli, nrrojsat, buria e filikaqat por nuk iu binin deri sa hynin në bjeshkë e delet fillonin me hangër gjethe, barë të njom e dushkun nga drunjët.

 Eh sa e zgjedhnin delet ushqimin në bjeshkë. Ato ishin kajdexhi e kerrnamexhi.

Image
Delet duke kullotur në Dushkajat e Turjakës

Atëherë barinjët fillonin të këndonin këngë të grunjta. Në bjeshkë dëgjoheshin të gjitha meloditë e këtyre intrumenteve dhe këngët për të dashurat e tyre.

Edhe shpezët e gjinkallat këndonin por jo si qobanët e Turjakës. Shpesh qobanët e Turjakës me zë të madh thirrnin qabat e tjerë e tuboheshin me hëngër bukë elbi e gruni, me djathë e gjizë Turjake që të shkrihej në gojë, gishtat i lëpinim e nuk dinim të ngiheshim. Pastaj mblidhnim pemë duke fillua që nga qershijat e egra e deri të thanat që piqeshin në fund e lulonin të parat. Dikush nga qobaanët shkonte te Kroni i Garaqevës e merrte ujë të ftohtë që të bjen në ballë.

“Rregull” tjetër i qabanve turjakas ishte se kur pillte ndonjë lopë, baqicat (te zojat e shtëpisë) ia qitnin qabanit nga një perpeq me kulloshtër dhe të gjithë qabant e mahallës e hanin bashkë.

Bukuri dhe pasuria tjetër e Turjakës ishte lumi Mirusha. Ai ishte në Veri të Turjakës dhe i ndante livadhet e Turjakës në dy pjesë sepse ishte në mes tyre. Që nga Ura dhe Mullini i Bajraktarit, Mirusha dukej sikur pushonte në livadhet plot barë të Turjakës. Ecte ngadalë e pa u vrejtur ndersa në mes të Jarugave, turjakasit e kishin ndarë lumin, qysh moti,në dy degë, në Jazin e Mullinit të Brahim Agës dhe Mirushës, pjeses tjetër ku kishte më shumë ujë.

Disa katundarë turjakas kishin fillua me i kthye livadhet në ara dhe i mbillnin vetëm me kallamoq, pasul e kunguj, si Imer Seferi, Smajl Zeneli, Rexhep Jupa e më vonë edhe djemt e Xhelë Nurqit, Qerimi, Ramadani e Destani.

Pakë më larg, në të dy anët e Mirushës, ishin Fangjet e Aliagëve dhe të të Mullamuqëve, që fillonin nga Vakafi i Lubizhdës e deri te Mahalla e Derishëve ndërsa pas Urës livadhe kishin Rexhep Asllani e Met Jemini.

Vetë lumi Mirusha përveç ujit të pastër e të bollëskshëm kishte edhe shumë peshq, Krap dhe Troftë. Ne zinim peshk me dorë jo me grep. Jazin e mullinit, ai që e kishte rendin me bluajt, nëse nuk kish nevojë për miell, e ndalnim mullinin dhe me ujin e jazit i ujitnim arat e afër mullinit e zinim peshq krejt katundi, më së pakut njëherë në dy javë. Mjeshtë të mirë për me zënë peshq kanë qenë baca Dul, baca Hel, Sefer Haxhija, Jemin Bajrami, Adem Uka, Jakup Balia po edhe unë kam zënë peshk por nuk kam pasur “fat”. Ndodhte që rrija në ujë dy-tre orë e nuk e zieja asnjë peshk.

Dhe Sanija, vajza e Sierit dhe Sylës ishte mahnit nga bukuritë që kishte parë në Turjakë. Ajo kishte shkua edhe në shtëpinë ku kishte lindur baba i saj, Syla. Dyert e aborrit të Sylës kishin qenë të mbyllura me disa dyer të thuprave që i kishte marua babai i Sylës. Oborri ishte mbushur me therra e nga axhaki nuk dilte tim. Iu kish “shym axhaki” Sylës dhe Sanijës i dolën disa pika lot kur e pau se edhe shpia e Sylës kishte fillua me u rrxua. Në oborr hynte natën vetëm ndonjë qen endacak apo lopë e humbur. Pulat e kojshive gjithë ditën rrinin në oborrin e Sylës. Aty gjenin ushqim të mjahtueshëm e knusi i thirrte pulat sa herë që donte.

Eh knusi, vetëm ai ndihej i pushtetshëm aty me gjithë ato pula e zogj. Nga njëherë kakariste ndonjë pulë që nuk i “dorezohej” knusit apo aso që kishin bërë ndonjë vezë.

E Sanija vajza tiranse, thuhet se paska pasur qef të rrije aty ku kishte lindur babi i saj, Syla.

Prej Qypeves, rrugës për në Turjakë, Sanija kishte ardhur në këmbë si dikur babi i saj kur ishte qaban. Lumin Mirusha e kishte kalua duke u mbajtur te Vigu, një shelgj plak ku barinjët dilnin nga të dy anët e lumit Mirushë. Ajo kishte dalur dy herë andej livadheve duke kaluar Vigun, me ndrojtje por kështu i dukej se më mirë do ta njoh jetën babës kur ka qenë i ri. Pastaj, kishte vazhduar rrugën kah Kregsi i Pagarushëve, Ulica e Breshancit, Rrahet e Shaqë Muharremit, Mrizet e mëdha, Dushkajën e Nezir Cufës, Bratatinin e Imer Seferit e të Islam Maliqit,arën e Lat Shashivarit e deri te kalldermi, te shpia e Sadri Shaqës.

Sanija ishte vajzë kryqyteti dhe sillej ashtu si të gjitha vajzat kryeqytetase. Kishte të veshur një fustan të hollë e me ngyra të kuqe sikur dikur vajzat e nuset turjakase që vishnin kanacë e shami të bardhë e të kuqe. Flokët i kishte të gjata e të krehura mirë. Mbath, kishte një palë sandalle e në qanten që kish me vehte përveç pakë teshave, me vete kishte marrë edhe disa sapunë “Pranvera” e disa livanda që lëshonin erë të mirë.

Qikat e Turjakës ishin afrua te dyert e zgjateshin mbi gardhe që ta shihnin si dukej vajza nga (krye)qyteti. Ato nuk mundeshin me e marrë me mend se si ka mundësi me ardhur një vajzë nga qyteti vetëm e me veshë allafranga në Turjakë? Oh sa dëshironin ta shihnin Sanijen e të flisnin me te e të dëgjonin si është jeta në kryeqytet.

 Dikush iu paska thënë se ajo flet tjetër “gjuhë” e ushqehet ndryshe nga ne. Po megjithate, Sanija ishte e thjeshtë. Ajo madje dëshironte të hajë pitet e Turjakës, përpeqat, kungullurët, hethenikat, kepenikat, kallpitet, kerlanet, bakllasarmet e ... ashtu qysh i kishte hëngër babai kur kishte qenë i ri.

Në Turjakë, në kohë dreke e darke, kthehej sofra që ishte e rrumbullakët e aty uleshin e hanin gratë dhe vajzat kurse në oda, burrat, djemtë dhe mysafirët. Sanija kishte dëgjua që në katund burrat rrinë vec e gratë vec.

Sanija pasi kishte ndejtur një kohë në oborrin e vetë, nuk dihet se sa, e kishte zënë gjumi nën hijen e dudit të madh e ftonjëve afër Bunarit të Ri.

Dikush nga të afërmit i kishte thënë se do të ishte mirë që ti vizitoj familjen më të afërm të Sylës, mixhën, vëllain e babës së Sylës. Ajo me dëshirë kishte shkua atje dhe përpara, në oborr i paskan dalur shumë gra e qika, të gjitha të veshura mirë, me veshë turjakase. Më e para, një plakë i paska urua mirëseardhje dhe paska marrë në ngrykë Sanijen e paska qajtur e dënesur me zë.

-Eh moj qika jem, Sylën me qito duer e kam majt kur ishte i vogël. A kân melaqe Syla! Pastaj iu erdhi rendi grave të tjera që ta përshëndesnin Sanijen e qikat dukeshin më të ndrojtura por edhe ato kishin qef ta përshëndesin e ta përqafojnë kusherirën e tyre.

Image
Arat dhe Gradina e Madhe e Turjakës

Nusja më e re që ishte pasi edhe ajo ia kishte marrë dorën Sanijes dhe iu kishte përulur disa herë duke ia afruar dorën e Sanijes deri te balli e duke e ulur ngadalë deri në tokë, me një ibrik me ujë ia kishte afruar Sanijes që ti laje duart se ishte koha e drekës e baqica kishte urdhërua nuset që për nder të Sanijes të hanin përshesh me tamel e bukë të kallamojtë dhe kallpite e pakë më larg, djemtë piqnin mish dashi.

......

Sanija kishte humbur në mendime nga gjithë ajo pritje madhështore që i bëhej. Dikur ajo nxori nga qanta e saj e vogël dhe një tjetër më e madhe disa dhurata që kishte. Më plakave iu dha nga një këmishë e më të rejave maica të holla, me krih të shkurtër me emrin “Tirana”. Vajzave të reja e djemëve, kusherinjëve e kusherirave iu fali nga një mindil, nga një krahër dhe nga një pasqyrë të vogël dhe pa dashur duke i nxjerrë dhuratat i ranë në tokë disa letra. Ishin letrat e nënes së saj, tiranses, Sierit dhe turjakasit, Sylës.

Tiransja e kishte ndërmend që këto letra mos me ia dhënë askujt pa u “sigurua” se do të ia jap më të afërmit e më besnikut të Sylës.

Disa nga letrat kuptohej se tiransja e turjakasi shpesh ziheshin me fjalë por kishte momente që ata, si fëmija harronin zënkat.

Pjesë të shkëputura nga letrat:

Kujdes nga vajza se nuk dua te te kape kete foto apo gjera te tjera

Bej kujdes!

-Me pelqen kjo qe shikoj ketu.

Edhe une te dua! Po te mos doja do te ishte cdo gje vaj e kote.

Me hoqe lodhjen e nje dite te gjate. Edhe une do te doja shume te pija me ty me nje gote vere

E te flirtoja si e cmendur, te te puthja, te nderprisja  (bisedat e luftës e ato politike) .

Biseden serioze e te mbeshtes fytyren time tek tendja e mbushur me ty.

-Vetem me lere ne tavoline me ty!

-Mos me co ne krevat heret, me co vone, sa me vone!

-Dua te jesh kurioz ...per mua prandaj ….ne karrige.

Krevati eshte si fundi i " udhetimit "

-Syla im ...sot jam e gjitha tendja nga koka deri tek gishti i vogel i kembes, koke e kembe

In love

With you

Vetem ti je!

Asgje e asnje! ti dhe une.

Te puth me mall e zjarr!

Ti je mendimi i fundit.

-Me beso, sikur te kisha qene aty, si sherbtor besnik do te sherbeja, do te mbuloja me jorgan e ... te puthja kudo.

-Jam ne krevat, e lodhur por me ty gjithandej, kudo.

-Do te ishte reciproke ...

-Do te ishim ngrohte, edhe pse te zbuluar.

E mor Sylë do te ta ha ate koken tende te zgjuar !

-Une do te perkdheli, te perqafoj e te puthi!

E une e jam si bishe do te te ha

Pike

Këto ishin disa nga letrat që një mbesë nga Panorci që kishte ardhur te dajat në Turjakë i gjeti dhe i lexoj diku ku nuk e shihte askush. Doli te lama dhe u pshtet në një stog me sanë e filloj ti lexoj. Ajo dinte shkrime e kendim se kishte shkua në një kurs kundër analfabetizmit disa muaj por më vonë babai nuk e kishte lënë të shkoj në shkollë dhe e kishte dhënë në Pitkeviq. Në vjeshtë ajo do të shkon nuse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat