Bashkimi kombëtar, çështje e të gjithë shqiptarëve, monopol i askujt

Opinione

Bashkimi kombëtar, çështje e të gjithë shqiptarëve, monopol i askujt

Nga: Sadik Elshani Më: 25 maj 2018 Në ora: 11:52
Sadik Elshani

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm është e drejta e jonë e ligjshme që na është mohuar padrejtësisht nga të tjerët. Bashkimi kombëtar duhet të jetë në qendër të vëmendjes, përpjekjeve tona, duhet të jetë synimi ynë përfundimtar, kurorëzimi i ëndrrave të brezave të tërë të atdhetarëve tanë që tërë ia kushtuan çështjeve madhore kombëtare. Edhe nga shtrati i vdekjes akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte dëshirën e tij të fundit, amanitin e tij: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Si do të arrihet dhe kur do të arrihet bashkimi kombëtar, kjo çështje varet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në ndërkohë duhet ta ulim kokën e të punojmë, të ndërtojmë dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë dhe të përpiqemi që vëllezërit tanë në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Sanxhak, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare. Në këtë shkrim të shkurtër nuk dua të përqëndrohem në rrugët sesi mund të arrihet bashkimi kombëtar, këtë do ta bëj në një shkrim tjetër më të zgjeruar, të cilin ka kohë që e kam rvijëzuar (skicuar).

Shkaku që më nxiti që t’i shkruaj këto radhë ishte një shkrim i shkurtër/koment nga prof. dr. Mehdi Hyseni me titull: “Pa RILINDËSIT e djeshëm dhe të sotëm nuk ka RIBASHKIM KOMBËTAR! -  botuar në Bota Sot (19 maj, 2018). Që në fillim më duhet të theksoj se i lexoj me vëmendje shkrimet e prof. Mehdi Hysenit dhe në shumicën e tyre pajtohem me pikëpamjet e tij, por rreth shkrimit të lartpërmendur mund të thuhen edhe disa gjëra të tjera. Në asnjë mënyrë ky nuk është një shkrim polemike, por një reagim shumë miqësor. Në këtë shkrim të shkurtër prof. Mehdi Hyseni pasi e thekson rëndësinë e bashkimit kombëtar, ai kryesisht përqëndrohet te dy figura të njohura të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare: Ismail Kadare e Rexhep Qosja dhe ngul këmbë se pa angazhimin e tyre nuk mund të bëhet asgjë dhe askush tjetër pa përfshirjen e këtyre të dyve nuk mund të bëjë asgjë. Ndër të tjera ai shkruan: “Prandaj, pavarësisht nga urrejtja, zilia, makutëria, egocentrizmi dhe anatemat e ndryshme të “flamurtarëve” të injorancës provincialiste anticivilizuese, derisa të jenë gjallë Qosja dhe Kadare, nuk mund të merren vendime as politike e as diplomatike për ribashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë etnike, pa me mendimin dhe pa pëlqimin e tyre”. Dhe më tutje vazhdon: “Për më tepër, nuk mund të ketë simpozium, konferencë e as kongres për ribashkimin gjithëkombëtar dhe të Shqipërisë etnike, pa Rilindësin, Akademikun dhe profesorin, Rexhep Qosja dhe pa Rilindësin, Akademikun dhe shkrimtarin e shquar Ismail Kadare”.

Sipas mendimit tim pohime të tilla këmbëngulëse se nuk mund të bëjmë pa këtë ose pa atë, janë tepër të pavenda dhe nuk i shërbejnë askujt. Posaçërisht Rexhep Qosja që me sjelljet dhe veprimet e tij po tregon qart se është një egoist i papërmirësueshëm, një grindavec, përcarës, njeri që nuk i respekton të tjerët, por vetëm egon (unin) e tij. Akademik Rexhep Qosja e ka potencialin që të luaj një rol udhëheqës pozitiv në shoqërinë shqiptare, por egoizmi i pangopur, joshjet dhe lakmitë vetjake ia kanë mjegulluar gjykimin e drejtë. Rexhep Qosjen e kanë lutur që ta marrë rolin udhëheqës ne fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, por ai ka refuzuar se, gjoja ai nuk merret me politikë. Këtë rol e mori dr. Ibrahim Rugova, i cili u tregua largpamës dhe me plot guxim i udhëhoqi shqiptarët e Kosovës në njërën nga periudhat më të rënda të historisë së Kosovës dhe doli faqebardhë. E ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe me plot dinjitet e përfaqësoi atë, u bë fytyra e përpjekjeve të saj e që përfundoi me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Të tjerat i ka thënë historia dhe nuk është rasti dhe as nevoja që të zgjatemi më tepër këtu për figurën emblematike të dr. Rugovës. Kur akademik Qosja e pa se kishte mbetur nën hije dhe se gjërat qenkan të mundura, atëherë ai në vend se ta përkrahte dr. Rugoven, t’ia zgjaste atij dorën e ndihmës, ai bën të kundërtën, vjell vrer, hedh gurë e dru mbi Ibrahim Rugovën dhe përkrahësit e tij, që ishin shumica e popullit të Kosovës. Pas mbarimit të luftës, pas çlirimit të Kosovës, Qosja me partinë e tij doli në zgjedhjet e para të lira në Kosovën e çliruar dhe mori 0.87% të votava.

Kjo ishte dhe është përkrahja që Rexhep Qosja e gëzon në Kosovë. Dhe pas kësaj humbje ç’bëri Rexhep Qosja? Në vend se ta pranonte rezultatin me dinjitet e zemërgjërësi, e me pak humor, ai i mallkoi këto zgjedhje të para të lira në Kosovën e çliruar. Njerëzit e mëdhenj nuk sillen kështu. Ata do ta pranonin rezultatin dhe do të luanin një rol pozitv në ndërtimin e shtetit të ri dhe nuk do te luanin një rol përçarës, mospërfillës, siç është duke bërë akademik Rexhep Qosja. Akademik Rexhep Qosja e gëzon vetëm përkrahjen e stalinistëve të Shqipërisë londineze, sepse atyre ua përmbush një kriterium të vetëm që kanë ata: e shanë Sali Berishën dhe i thur himne diktatorit Enver Hoxha. Nuk mund të bëhet flamurtar i çështjes së bashkimit kombëtar një person që ndërsen gjysmën e popullit kundër gjysmës tjetër. Kur ne vitin e mbrapshtë 1997 Shqipërisë po ia vinin flakën komunistët e tërbuar, akademik Rexhep Qosja në vend se ta ngriste zërin kundër këtyre veprimeve shkatërrimtare, ai i shtrinte duart që të ngrohej nga ky zjarr vdekjeprues për shtetin shqiptar. Këto akte barbare ai i quajti “Revolucion i vonuar demokratik”.

Çka të themi më teper?! Akademik Rexhep Qosjes askush nuk mund t’ia mohojë të arriturat e tij si kritik letrar, studiues i shkelqyer i letërsisë, romancier e dramaturg i dalluar, por këtu po flasim për Rexhep Qosjen si politikan, diplomat e udhëheqës dhe siç cekëm më lartrë dhe siç kanë shkruar edhe të tjerët, ai nuk është treguar aq i zoti në këto veprimtari. Të udhëheqësh me masat, t’i prishë një populli është art, mjeshtëri në vete. Të mos i ngatërrojmë aftësitë, të arriturat profesionale me aftësitë udhëheqëse. Dikush i ka të gërshetuara të dyja, dikush njëren apo tjetrën dhe dikush as njëren e as tjetrën.

Po ashtu, Ismail Kadare është shkrimtari ynë më i madh dhe një intelektual i rrallë, por ai vetë është deklaruar se atij i pëlqen të jetë vetëm shkrimtar dhe të mos merret në mënyrë aktive me veprimtari të tjera, të udhëheq ndonjë parti politike apo të marrë poste shtetërore. Të dy këta viganë të letërsisë dhe kulturës sonë e kanë ulur veten poshtë me polemikat e tyre me tone të ulëta që nuk u kanë hije njerëzve të një kalibri të tillë. Atëherë, si do të dukej ai simpozium që propozon prof. Hyseni, me pjesëmarrjen e Rexhep Qosjes e Ismail Kadaresë? Pjesëmarrësit me siguri do të ndaheshin në dy taborre dhe vetëm do të “gjuheshin” me njëri – tjetrin, nëse gjykojmë sipas tonit të polemikave të tyre të shëmtuara. Në vend se të na jepnin një shembull të mirë, një mesim shkollor sesi diskutojnë, polemizojnë dy intelektualë të vërtetë, ata leshohen në një nivel të ulët, siç është duke ndodhurpër çdo ditë në skenën politike shqiptare në të dy anët e Drnit, nëpër debate televizive, etj. Shumë keq! Dy akademike, lere ëq nuk pajtohen me njëri – tjetrin (krejt normale kjo), por që nuk e respektojnë njëri – tjetrin, që e fyejnë njëri – tjetrin, që nuk flasin me njëri – tjetrin, që e mohojnë njëri – tjetrin, nuk mund të jenë bartës të flamurit të bashkimit kombëtar. Akademik Rexhep Qosja dhe shkrimtari Ismail Kadare që të dy janë në moshën 82 vjeçare dhe gjer më sot nuk arritën ta bënin bashkimin kombëtar, sepse bashkimi kombëtar është një proces i gjatë që nuk mund të bëhet me një lëvizje të një shkopi magjik, të cilin nuk e kemi në dorën tonë, apo me organizimin e një simpoziumi. Në asnjë mënyrë nuk e përjashtoj ndihmesën e Rexhep Qosjes dhe sidomos, Ismail Kadaresë, por të mos ngulim këmbë se bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet pa këtë apo atë.

Prandaj, njerëzit që percajnë popullin nuk mund të bëhen strumbullar të ceshtjes së bashkimit kombëtar. Këtë nuk mund ta bëjë një apo dy njerëz, por një rreth më i gjërë. Mund ta bëjnë njerëz të urtë, gojëmjalt e zemërzjarrtë, që kanë një personalitet të ngrohtë, që janë të afërt me njerëzit, si prof. Anton Cetta, akademik Mark Krasniqi. Dr. Ibrahim Rugova, që prinin dikur. Të mos fiksohemi pas atij apo këtij personaliteti. Fatkeqsisht, jeta i ka ligjet e veta biologjike. Ja, 550 vite më parë Skenderbeu na la, por shqiptarët kurrë nuk i ndalën përpjekjet, luftërat e tyre për liri e pavarësi. Të frymëzohemi nga jeta dhe bëmat e Skenderbeut, veprat e Rilindësve tanë mendjendritur, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kur u bashkuan të gjithë faktorët shqiptarë, atëherë u arritën edhe rezultatet e ëdrruara me shekuj: pavarësia e Shqipërisë, pavarësia e Kosovës.

Duhet të bashkohemi vetëm rreth flamurit Kuq e Zi. Bashkimi kombëtar mund të bëhet vetëm me shqiptarë të bashkuar, të udhëhequr nga njerëz largpamës, vizionarë, njerëz qe i vënë interesat kombetare mbi ato vetjake (personale), njerëz që e gëzojnë përkrahjen e shumicës së popullit. Bashkimi kombëtar duhet të jetë cështje e të gjithëvë dhe jo monopol i këtij apo atij individi (vetje), këtij apo atij grupimi politik.

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat