Boshnjakizimi, islamizimi dhe serbo-rusizimi i Luginës së Preshevës

Opinione

Boshnjakizimi, islamizimi dhe serbo-rusizimi i Luginës së Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 24 maj 2018 Në ora: 06:07
Nehat Hyseni

Lugina e Preshevës gjatë dy-tre viteve të fundit është bërë arenë e vërtetë e garave të sponzoruara, të mirëkontrolluara e të dirigjuara nga kreu qeveritar e shtetëror i Serbisë dhe të suportuara nga Agjencia e spiunazhit rus në Nish, për boshnjakizimin, islamizimin dhe serbo-rusizimin e kësaj treve të banuar me shqiptarë.

Praktikisht, në planin kulturor, komuna e Preshevës është shndërruar në koloni të Sanxhakut dhe Novi Pazarit, me hapjen e pafund të fakulteteve të shumta të tyre, në gjuhën boshnjake apo serbe, me cilësi e kapacitete skajshmërisht të dyshimta, që marrin para të majme nga studentat shqiptarë, të cilëve si kundërshpërblim u jepen diploma, të cilat Serbia ua pranon dhe ata mund të punësohen pa kurrëfarë problemi kudo në Luginë të Preshevës dhe në Serbi.

Ky ekspanzion i boshnjakizimit universitar të Luginës, me djallëzi dashakeqe, thellësisht antishqiptare, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, paraqitet si zëvendësim apo barrierë e punësimit të kuadrove të diplomuara shqiptare në universitet e Kosovës, nostrifikimi i diplomave dhe njohja e tyre zyrtare nga Qeveria e Serbisë, përkundër narrëveshjes eksplicite midis Kosovës e Serbisë në Bruksel, akoma nuk është duke ndodhur.

Kështu, studentave shqiptarë që kanë diplomuar në universitet kosovare u imponohet dilema që të shpërngulen nga Lugina e Preshevës, duke iu bashkëngjitur ekzodit masiv të braktisjes së trojeve të tyre stërgjyshore dhe detyrohen që fatin e tyre ta kërkojnë në Republikën e Kosovës, ose të punojnë si kamarierë apo ndonjë punë tjetër jashtë profesionit për të cilin janë shkolluar dhe t’i kyçen armatës së të rinjëve tanë në kurset e panumërta të mësimit të gjuhës gjermane ose të anglishtes dhe t’ia mësyejnë Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe vendeve të tjera europerëndimore, për të siguruar kafshatën e gojës dhe për të formuar familjet e tyre në gurbet.

Pra, ky është fati dhe perspektiva e zymtë e të rejave dhe të rinjëve të shkolluar e të diplomuar preshevarë.

Ndërkaq, jeta kulturore e shoqërore është e paralizuar plotësisht.

Duke e shfrytëzuar përkatësinë islame të popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës, Sanxhaku më Novi Pazarin paraqitet në rolin paternalist, siç deklaroi “solemnisht” gjatë promovimit të para disa ditë es gjatë ceremonialit të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, me përplotë mburrje e pompozitet myftiu Dudiq nga Novi Pazari, se misioni dhe objektivi i tyre është islamizimi i Luginës së Preshevës. Njëkohësisht, ai paralajmëroi edhe hapjen e Fakultetit të studimeve islame në tetor të këtij viti në Preshevë, si degë e Fakultetit të Studimeve Islame nga Novi Pazari.

Por, kulmi i kësaj katrahure antishqiptare u arritë sidomos gjatë iftarit të organizuar të hënën, më 21 maj 2018, nga komuna e Bajrampashës nga Stambolli, ku u shfaqë edhe një program me këngë e valle turke, të dervishëve, si dhe nja katër-pesë valle që ishin tipike serbe, që gjatë kohë i kemi shikuar e parë gjatë periudhës së “vëllazërim-bashkimit” komunist gjatë shfaqjeve që organizoheshin asokohe.

Por, si “qershi mbi tortë na erdhi vallja e popullarizuar ruse “Kazaçok”, mbase sikur që është vallja “Shota” për ne.

Kështu u plotësua tablloja e plotë “vëllazërore” turko -serbo-ruse, por pa asnjë këngë të vetme shqipe e “vëllezërve” tanë myslimanë të Komunës së Bajrampashës nga Turqia!

Ky iftar, i mbështetur nga kreu i pushtetit lokal të Komunës së Preshevës, nuk kishte asnjë shenjë shqiptar, përveç atyre turqë, serbë e rus.

Paradoksalisht, ata vazhdimisht thirreshin në njëfarë “vëllazërie myslimane”, sidomos në fjalimin e rastit të zëvendëskryetarit të Komunës së Bajrampashës.

Pra, vëllazëri me “vëllezërit myslimanë” (e jo shqiptarë) nga Lugina e Preshevës, por me muzikë turke, serbe e ruse, por je dhe shqiptare!

Pra, ky ishte iftari për reth 2000 preshevarë që u organizua në stadiumin e qytetit në komunën e Preshevës, më 21 maj 2018, i cili na rikujtoi në mënyrën më makabre “vëllazërinë” pesëshekullore të neve nën Perandorinë osmane, duke na mohuar të drejtën për shkolla në gjuhën shqipe, si dhe njohjen e kombit shqiptar dhe zyrtarizimit të shqipes në administratën shtetërore të asaj kohe.

Kurse serbët dhe të gjitha kombet tjera i gëzonin këto të drejta.

Ne shqiptarët ishim i vetmi komb në Ballkan që kishim pranuar jo vetëm fenë islame, por edhe veten e quajtëm “turqë elhamdurilah” dhe gjatë kohë nga “vëllazërit” turqë, që organizuan këtë iftar, na u mohua dhe vazhdon të na mohohet përkatësia jonë kombëtare, falë përkatësisë sonë islame. 

Realisht, ky ishte edhe fati jonë tragjik gjatë sundimit pesëshekullorë të Perandorisë Otomane, e cila na mohoi kombin dhe gjuhën dhe na asimiloi e largoi nga kultura e civilizimi perëndimor!

Mjerisht, emocionet e një pjese të shqiptarve të Luginës së Preshevës, Maqedonisë dhe Kosovës ndaj Presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, janë të mëdha, ashtu si edhe moskuptimi i deklaratës së tij se në Kosovë ndihet “si në shtëpi të vet” dhe se neve na konsideron si “vëllezër”.

Se për çfarë “vëllazërie” flet Erdogani, shqiptarve të Luginës së Preshevës ia bëri të qartë edhe iftar në Preshevë, si dhe historia jonë fatkeqe pesëshekullore nën Perandorinë Osmane, por dhe nga Qeveria aktuale e Erdoganit, e cila investon miliarda euro anembanë Serbisë, kurse në Luginë të Preshevës asnjë cent, përveç ndonjë xhamie aty-këtu.

Mbase, ky është kuptimi i mirëfilltë i “vëllazërisë” tonë me Turqinë dhe miqësinë e saj të ngushtë e strategjike me Serbinë e radikalistit Aleksandar Vuçiq dhe me Rusinë e Vladimir Putinit, në turko-ruso-serbizimin e shqiptarve të Luginës së Preshevës, fillimisht me anë të boshnjakizimit dhe islamizimit të tyre?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat