Shqiptarët dhe Serbët me aleatë të ndryshëm dhe me strehues të njejtë!

Opinione

Shqiptarët dhe Serbët me aleatë të ndryshëm dhe me strehues të njejtë!

Nga: Driton Gumnishta Më: 23 maj 2018 Në ora: 13:38
Driton Gumnishta

Shqiptarët edhe Serbët (edhe të tjerët në Ballkan që nuk do ti përmend këtu), që nga fillimi i viteve ‘90 u janë ekspozuar një ekzodi masiv i cili akoma po vazhdon dhe që për destinacion final ka shtetet euroatlantike me organizim ekonomik kapitalist të zhvilluar. Edhe pse Serbët konsiderohen si më anti Euroatlantikët dhe më pro Rusët e rajonit por edhe pse Shqiptarët janë më pro UE dhe sidomos më pro Amerikanët primar, që të dy ikin drejt shteteve të UE dhe SHBA-ve !

Shtrohet pyetja:

- Përse Serbët me disponim politik pro Rus, nuk vendosen në Rusi por strehohen te « armiku euroatlantik » ? apo,
- Përse Shqiptarët me organizimin e shumë kërkuar amerikan (neo-liberal), që tanimë e kanë në shtëpi, nuk qëndrojnë aty por përsëri ikin në po këto shtete ?

Sqarimi, sipas meje, është se pyetjet e parashtruara janë komplet politike, derisa përgjigjja, përkatësisht motivi i ikjes së tyre është puro ekonomik !

Këta dy popuj, edhe gjatë Sundimit Osman por edhe gjatë Socialializmit me Internacionalen dhe Diktaturën e Proletariatit si motorin kryesor ideologjik shoqëror, secili në etninë e vet, i ka mbajtur e forcuar pikërisht solidariteti, jeta sociale e përbashkët dhe ideali për identitet e pamvarësi kombëtare. Ky fenomen ka qenë prezent edhe kur ata kanë luftuar në mes veti nëpër histori.

E përbashkëta është e kaluara e tyre e ndërtuar mbi shtete socialiste me aspiratën për një botë më të mirë, bazuar në një organizim shoqëror harmonik dhe në luftë kundër padrejtësive. Organizimi i tyre investonte për më shumë drejtësi dhe barazi sociale ose të paktën për një reduktim të pabarazive ekonomike në shoqëritë e tyre pa klasa. Shqiptarët edhe Serbët, pamvarësisht se sot veprojnë në teren kapitalist, sjelljen e kanë akoma sociale gati në çdo fushë të jetës.

Jugosllavia vetëqeverisëse me ekonomi të organizuar e të planifikuar nga shteti (orientimin e së cilës e bënte Partia Komuniste), dallohej nga blloku sovjetik sepse jo të gjitha ndërmarrjet i përkisinin shtetit, por një numër i madh i tyre formonin "pronësinë shoqërore". Organizata e punëtorëve (këshilli), ishte organi përfundimtar vendim-marrës për çështjet e brendshme, por që zbatonte udhëzimet e Partisë duke përfshirë planifikimin ekonomik dhe kuotat e prodhimit.

Modeli neo-liberal dhe ekzodi rajonal i provokuar me « shok ekonomik » !

Në fund të një dekade luftërash dhe kaosi të përgjithshëm Ballkanik, ekonomia e rajonit ishte gati tërsisht e shkatërruar. Ajo përjetonte rënie drastike të prodhimit, papunësia rritej me shpejtësi, nuk ishte më ekonomi konkuruese dhe vazhdimisht humbiste tregjet që me vite i kishte pasur në dispozicion. Gjatë reformave të tranzicionit, investimet e huaja direkte kishin dhe vazhdojnë të kenë rol vendimtar në shoqëritë e tyre respektive.

Në sistemin e shkuar, organizimin shoqëror e bënte shteti ndërsa me modelin e ri kapitalist, sidomos me rritjen e mendimit të Milton Friedman-it dhe Friedrich Hayek-ut, aktualizohej modeli i egër neo-liberal në disfavor të teorisë Keynes-iane. Ky model i ri shoqëror, ka prioritet lënien e veprimit të lirë individit kundër çdo "mbajtje apo ndikimi qeveritar" duke kufizuar e madje edhe shtypur ndërhyrjen e shtetit. Bankat ngarkonin tmerrësisht rëndë këto shoqëri dhe kishin shumë peshë e ndikim në ekonimitë e tyre. Njerzit kishin humbur gati çdo gjë por secili kishte të hapur një konto numër bankar ! Modeli i ri ekonomik neo-liberal, për të dyja palët ishte sistem sa i panjohur aq edhe agresiv. Kjo bëhej edhe pa konsultimin e tyre paraprak nëse e duan dhe u përshtatet si sistem apo jo, por edhe pa masa të veqanta strikte (me pa mundësi derogimi), të llojit « Konsensusi i Washingtonit të John Williamson-it », të adaptuara enkas për këto vende me rrethana e ambient specifik!

Në sistemin socialist p.sh. të sapo diplomuarve shteti brengosej t’u siguronte punën dhe të ardhmen e tyre profesionale. Me modelin e ri kapitalist, diploma shëndrroet në biletë hyrëse në treg dhe tërsisht mvaret nga i diplomuari se a do të dijë të plasoj dijen e fituar ! Me rregullat e reja që asnjëra palë nuk i njihte mirë por as nuk ishin në gjendje t’u përmbahen pa asistencën e mentorëve ndërkombëtar (FMI, BB, BQE etj), u luhateshin vlerat identifikuese personale dhe shoqërore të ndërtuara me aq mund ndër dekada. U shkaktonte ndjenjën e denacionalizimit dhe zvoglimit permanent të hapsirës së tyre sociale. Kishin humbur « kunjat » orjentues idividual, shoqëror e nacional duke kaluar kështu nëpër një shok të tmerrshëm ekonomiko-shoqëror me pasoja, mutacionin gjeneral të shoqërive të tyre. Ishte një shkrirje identiteti në një rend të ri galopant botror, me rregulla të pamëshirshme, i cili transformonte çdo gjë në mall, në numër, në para e interes!

Formimi shum-vjeçar socialist se njeriu nuk duhet shikuar për interes, tani bënte që pikërisht interesi të shëndrrohej në rregullatorin kryesor të raporteve ndërnjerzore në shoqërit e tyre ! Më parë, solidariteti me « më të zhveshurit » ishte objektiv, tani, po nuk pate kapital (para), përjashtohesh pamëshirshëm nga shoqëria dhe është përmbrenda rregullave « normale » nëse mbetesh pa shtëpi, pa sigurim social, pa familje, kushtimisht, pa as edhe një gjë !!!  Ky rend i ri, origjinën e kishte në shtetet kapitaliste të industrializuara me theks të veqantë në SHBA-të ku edhe sot aplikohet në formën e tij « ORIGJINALE »!

Që Shqiptarët dhe Serbët të familiarizohen shpejt me këtë model të ri, nuk u spjegoheshin etapat e ndryshme zhvillimore të tij por u servohej stadi i fundit neo-liberal i cili aplikohej komplet i pa adaptuar për këto shoqëri të reja dhe shumë të brishta. Kjo bëhej përmes mentorëve të shumtë por sidomos përmes TV, Filmit, Press etj, që kundërshtarët e këtij sistemi i quajnë : « mjete të manipulimit dhe kontrollit të masave » !

Sistemi e ri që virtualisht e njihnin mirë (ëndrra), në jetën e përditshme i ballafaqonte me të vertetën e tij brutale (realiteti).  Dukej se në të po përfitonte vetëm një pakicë e priviligjuar si dhe politika me të korruptuarit dhe llumin e shoqërisë. Shihej poashtu se po e përulte njeriun e drejt, të dijshëm, profesionistin, të merituarin, të maturin, njeriun me vlera.

Zhgënjimi permanent edhe i shumicës Shqiptare dhe i asaj Serbe bënte të humbin shpresat për ditë më të mira. Ndjenin se ky nuk ishte « ORIGJINALI » por jetonin në një « FOTOKOPJE » të keqe të kapitalizmit neo-liberal. Në këso rrethanash, fare pak ka rëndësi se a je Shqiptar, Serb, Amerikan, Anglez a çka je ?, Njerzit ikin nga fotokopja dhe zgjedhin të jetojnë në origjinalin e tij nëpër shtetet kapitaliste me traditë. Në jetën e tyre të shkurtër e pëplotë dhimbje, lufta e vuajtje të pafundme (pamvarësisht se kush është fajtor !), nuk duan të presin më ëndrrën që ajo të vijë, por duan që sot ta jetojnë mirë realitetin e jetës së tyre të mbetur.

Kjo është arsyeja fondamentale pse as Serbët e as Shqiptarët nuk shkojnë në Rusi à Kinë por në shtetet kapitaliste themeluese të kapitalizmit neo-liberal, pjesë e të cilit janë edhe hapsirat e tyre respektive ku ata sot jetojnë.

Fenomenet e tilla kanë qenë dhe janë prezente në shumë shtete kolonialiste të kohës. P.sh. Angolezët dhe Capoverdianët që ishin koloni Portugeze, janë të shumtë në Portugali. Edhe indianët që ishin koloni Angleze, mendohet të jenë ndër komunitetet më të mëdha të të huajve në Angli ! Kështu është edhe me Algjerianët e shumtë në Francë, etj, etj.

Pyetja e pa vend se pse Serbët nuk ikin në Rusi « te miqtë » apo pse Shqiptarët nuk qëndrojnë në vendin e tyre « me miq » është ose infantilitet apo miopi politike ose mjegullim dhe politikë ditore e qeveritarëve pëfitues, servil e të korrupuar të cilët gjykojnë nga këndi i komoditetit të tyre jo reprezentativ ! Qëllimi primar i njerzëve është plotësimi i nevojave jetësore minimale, më  elementare, fiziologjike, që psikologu Abraham Maslow i spjegon për mrekulli me pramidën e tij të kerkesav edhe nevojave  të njeriut. Duan punë, mbijetesë, ushqim, vesh-mbathje, mjekësi, shkollim, mirqenje, kualitet jete, siguri, perspektivë për fëmijët, thjesht duan DINJITET NJERZOR. Ata nuk pranojnë më të trajtohen e maten me peshoren Socialiste në ambientin e ri Kapitalist !!!

Në të kundërtën, ky model aspak i adaptuar, shoqëritë e tyre respektive i ekspozon përballë dy realitetesh të shkëputura vijuese :

- në njërën anë, njerzëve u ofrohen gjithnjë e më shumë të mira materiale luksi,
- në anën tjetër, kushtet e jetës së tyre të vështira u a pamundësojnë që të përfitojnë nga ato të mira!

Një diskrepancë e tillë krijon shoqëri Shizofrene ku eksplodojnë fenomenet negative (agresiviteti, pasiguria, kriminaliteti, vjedhjet,

dhuna, huliganizmi, varfëria edhe materiale edhe shpirtërore, vrasjet, vetëvrasjet, humbje respekti dhe morali për veten e vet, për familje, për komb,…,).

Nëse gjithë kësaj i shtohet edhe prezenca dhe ndikimi i Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik (CSPT) pastaj sindromi i Vjetnamit dhe shumë « stresorë të traumave ekstreme” që këto dy shoqëri vazhdojnë ti vuajnë, kujt i bie ndër mend më për ndjenjat e dashurisë apo të miqësisë ndaj këtij apo atij shteti ?!!!

Autori është Master në Shkenca Politike

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat