Serbi Strahinja m’u bë fiksim

Opinione

Serbi Strahinja m’u bë fiksim

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 maj 2018 Në ora: 08:00
Gani Mehmetaj

Megjithëse fyti më thahej, vazhdova:

-Më intereson fati i mjekes Dritë. E di që keni punuar bashkë, ishit fqinje me të, apo jo?

Pati një pushim, thashë do ta lëshonte telefonin, ose tashmë e kishte lënë mbi tryezë. E dëgjoja frymëmarrjen e saj të shpejtuar. Ndihej shqetësimi. Dikur e mori veten.

-Doktoreshën Dritë? – m’u drejtua nga largësia me pyetje. Prapë pushim...

Ende pa e marrë veten që të më kthente përgjigje, u dëgjua krisma e aparatit që kalonte në dorën tjetër dhe zëri gati ulëritës i një burri.

- Kush jeni ju? Ç'kërkoni?

-Më intereson fati i mjekes Dritë, që e kishit fqinje, gruaja juaj punoi një kohë me të, - ia ndërpreva tonin ulëritës burrit tej aparatit. U ndërdym, por shpejt e mori veten.

-Si guxoni të thërrisni në këtë numër? – m’u hakërrua me zë të thellë, të vrazhdë.

- Po më bezdisët edhe një herë do ta thërras policinë, - m’u kërcënua me britma. Para se të ma mbyllte telefonin, lëshoi një breshëri sharjesh të fëlliqura. Mbeta me telefon në dorë.

Thirra të nesërmen, thirra të pasnesërmen, askush nuk m’u lajmërua. Lidhja dilte e shkyçur. Ndenja disa ditë në qytetin e tyre, njerëzit të shihnin me dyshim, veçmas nëse pyesje për serbët e shpërngulur. U përhap paranoja se i kërkonin për krime lufte, prandaj secili u shmangej pyetjeve të këtilla, madje edhe atëherë kur u thoshe se doje të blije një banesë.

Shfletoja çdo ditë gazetat e tyre, sikur prisja ndonjë shpallje a kumt në shtyp. Kryesisht shihja shpalljet për të vdekurit. Si shkoja, ashtu kthehesha, pa asnjë lajm.

Disa muaj më vonë, derisa e shihnim listën tjetër të të zhvarrosurve, rastësisht duke shfletuar një gazetë serbe, nuk më kujtohet në cilën, më doli parasysh lajmi: "Nada Nedelkoviq, 42-vjeçare, ish-infermiere në Spitalin e Prishtinës, e vari veten mbrëmë në banesën e saj në Çaçak. Kufomën e gjeti e motra disa ditë më vonë. E ndjera ishte nënë e dy djemve binjakë, që studionin në Beograd".

Burri nuk i përmendej fare. Të jetë zhdukur nga jeta e saj, apo e ka ndarë gruaja e lënduar. Më pikëlloi vetëvrasja e kësaj gruaje.      

Strahinja m’u bë fiksim. Sikur të më tregonte ç'u bëri  gruas me kalamajtë, ku ua fshehu kufomat, pse e bartte fshehtësinë me vete. Ai u zhduk si ta kishte lëshuar toka.  E kërkova përmes avokatit të patundshmërive, kinse doja t'ia blija banesën që e braktisi, mirëpo asnjë gjurmë nga ai.

Gruaja e tij nuk e përballoi krimin, megjithëse e fshehu kriminelin. Ajo e dinte vrasësin e përdhunuesin, ajo nuk e kallëzoi atëherë kur pati mundësi ta kallëzonte, ajo bashkëjetoi me vrasësin e shoqes së saj kur duhej ta braktiste. Nervat e tendosura, frika e vazhdueshme e vrasja e ndërgjegjes nuk e lejonin të jetonte e qetë. Për viktimat e tjera, për të cilat ajo e dinte, burri mund t'i thoshte njëqind arsyetime: ishin armiq të shtetit, ishin të rrezikshëm etj., etj., meqë edhe ajo qe fiksuar me armiq, por për mjeken e dinte që s'bëri asnjë të keqe, asnjë vepër armiqësore, sikurse i cilësonin ata që i vrisnin apo i arrestonin. Mjekja ia shpëtoi jetën binjakut të saj. Sot ai jetonte shend e verë falë mjekes që përfundoi nga duart e babait.

"Nuk mundem më", citonte gazeta fjalët e së vetëvrarës në një letër lamtumire që ua kishte lënë familjarëve. Gazeta nxitonte të jepte përfundimin: "Nada Nedelkoviq vari veten nga pasojat e luftës?" Madje shkonte edhe më tutje, duke e vënë në pah se ajo pos që ishte e traumatizuar, vuante përbuzjen e diskriminimin e refugjates në shtetin e saj, ku nuk e pritën mirë. Për burrin e saj, të nesërmen e lajmit në vazhdim, u tha se kohë më parë iku në drejtim të panjohur.

"Grindeshin shpesh. Muret ishin të holla. Dëgjoheshin grushtet e burrit, por edhe klithmat e gruas", tregonte dëshmitari në deklaratën në hetuesi. "Ajo e akuzonte për diçka, kurse ai i kthehej me britma e ulërima".

Isha i sigurt se ajo dyshonte që burri e përdhunoi mjeken Dritë, dyshonte që ai mund t'i ketë vrarë dy kalamajtë, "ishin si engjëj", i kishte thënë policit që përkthente për oficerin anglez.

Ajo duhet ta ketë mësuar që në fillim përdhunimin e mjekes, sepse dëbimet e banorëve  nisën më vonë, ndërkaq mjekja nuk u bë e gjallë qysh ditën e dytë të fillimit të bombardimeve. Nada ngrysej e gdhihej me ndjenjën se jo vetëm nuk e ndihmoi mjeken, por dyshonte në burrin që e çnjerëzoi, e zhduku, madje ia zhduku të dy engjëjt.

Çka e shtyri gruan e dërmuar nga lufta dhe nga burri mujshar të heshtte krimin? Dashuria? Vështirë të ketë pasur dashuri mes tyre në rrethanat që u krijuan. Frika e ndëshkimit?  Turpi? Dy binjakët e farefisi do ta merrnin vesh se babai i tyre ishte vrasës e përdhunues, megjithëse vrasës i shqiptarëve, por prapë vrasës.

"Burri im nuk do ta bënte këtë krim, burri im as mizën nuk do ta shkelte ", e gënjeu në dëshmi oficerin anglez. Lufta e ndryshoi, përpiqej ta arsyetonte egërsinë e burrit, por pa e përmendur se dyshonte në përdhunime.  Dhe e dinte që po gënjente.

Me vetëvrasjen e Nadës i humba shpresat se do të gjeja çfarëdo gjurme të zhdukjes së mjekes me dy kalamajtë.

Për Strahinjen nuk mora vesh asgjë. Kujtoja pamjen e tij prej bulldogu. T'ia ketë mbathur jashtë shtetit? Shumë nga kriminelët ia mbathnin jashtë shtetit të tyre nga frika se do të kapeshin nga drejtësia ndërkombëtare. Ose do ta kenë vrarë në heshtje urdhërdhënësit, sepse mund të nxirrte zinxhirin e përdhunuesve.

Derisa prisja kolonën e gjatë në kufi, kujtoja ditët në qytetin e saj, sepse ndenja disa ditë. Shikoja ndonjëherë me vëmendje të përçudnuar çdo fytyrë që më përngjante me Strahinjen. Koka e buldogut e veshët e hienës, s'më shqiteshin nga mendja. Dikur nisa të bëhesha i dyshimtë, njerëzit më shikonin të habitur kur ua ngulja sytë. Nuk ishte vështirë të ma ndërsenin policinë, edhe më lehtë e kishin të më arrestonin po ta merrnin vesh kush isha dhe për ç'arsye erdha në qytetin e tyre me plot të ikur nga krimet e luftës e frika e hakmarrjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat