Dëshmia e gazetarit nga maja e çatisë

Opinione

Dëshmia e gazetarit nga maja e çatisë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 maj 2018 Në ora: 07:25
Gani Mehmetaj

- A dyshoni në ndonjërin për vrasje e çnjerëzime grash?  - e pyetëm në fillim, pasi u sqarua keqkuptimi. Nga reagimi emocional e gjendja shpirtërore, dukej që kishte parë gjëra të rënda.  

-Vështirë mund të shquaja nga ajo largësi çfarëdo fytyre. Por edhe sikur t’i kisha më afër, me uniforma ata i ngjanin njëri-tjetrit si veza-vesës: veshje të njëjta, të parruar, flokë të paqethur e të palarë, që u dilnin anash kapelës, në pjesën më të madhe të ditës të bërë tapë nga rakia. Ai e përmendi mjeken e re, për të cilën ishte i sigurt se e çnjerëzuan dhe e vranë me të dy vogëlushët. Klithmat i kishte dëgjuar. Menjëherë pasi ikën policët, u fut në banesën e saj, por pos rrëmujës e thyerjeve nuk pa gjë tjetër. Na e tregoi një foto familjare të mjekes me burrin e dy kalamajtë,  kujtim të "pafuqisë së vet" sikurse e përsëriti disa herë. Rrëfente për gra të çnjerëzuara, klithmat e të cilave i dëgjonte natën. Ma përmendi kolonën e gjatë, të pafundme të fatkëqijave që i mbërthyen në kryqe a shtylla, nuk e qartësonte. Bëri ca krahasime të çuditshme, në mes të ushtarëve të Spartakut që i mbërtheu në kryqe gjenerali romak dhe grave që vuanin torturat e shtyllave, të kryqëzuara e të çnjerëzuara, sikurse thoshte ai. Mirëpo dikur m’u duk që fliste përçartë, sepse herë e përmendte kolonën e gjatë të grave të kryqëzuara nga kufiri perëndimor në pikën tjetër të kufirit lindor, herë fliste për një burrë të mbërthyer po ashtu në shtyllë elektrike.   

Përfundimi i hetimit nga anglezët

- Nada Nedelkoviq, infermiere, punoi në ambulancë deri në fillimin e bombardimeve, nuk na tha shumë. E mbronte burrin. Qante, ishte konfuze, na lutej të mos ia merrnim burrin në qafë, të mos ia shkatërronim familjen. "Kam dy djelmosha binjakë që na presin, ju lutem!"  Betohej që burri i saj nuk përdhunoi as nuk vrau. Por dy dëshmitarë tjerë thanë të kundërtën. Ata ishin të sigurt se i quajturi Strahinja Nedelkoviq me grupin e rezervistëve ushtarakë u fut në ndërtesën ku ishte mjekja me dy vogëlushët, por në terrin e natës e pranonin se nuk e shquanin dot, ishte rezervisti i ushtrisë jugosllave Strahinja apo dikush tjetër. Të gjithë e vinin në pah frymëmarrjen e tij të rënduar, por as kjo nuk mund të quhej fakt, sepse në terrin e natës, në vrap e sipër, apo i dehur, secili ka probleme me frymëmarrjen, sidomos kur të kenë pirë raki sikurse bënin ushtarët e rezervistët e tyre. 

I dyshuari Strahinja Nedelkoviq, i moshës 43-vjeçare, i martuar, baba i dy djelmoshave binjakë, me profesion elektricist, i mobilizuar në ushtrinë serbo-malazeze, nuk ka dosje për të kaluar kriminale, nuk jep shenja të çrregullimit psikik, sikurse e vlerësoi psikologu ynë. Është i dhënë pas alkoolit, ka mëlçi të dëmtuar, sipas mjekut vuan edhe nga pagjumësia. Mori pjesë në luftimet e vitit 1998-99 në Dukagjin, ku u dogjën dhjetëra katunde e u vra popullata civile. Rrëfimi i tij nuk është i sinqertë, por nuk mund ta mbajmë.  

Në mungesë të provave rezervisti Strahinja Nedelkoviq u lirua.   

Megjithëse rezervistit serb, të cilin e mbajtëm disa ditë në paraburgim, i thamë të mos largohej nga qyteti, derisa të përfundonim hetimet, ai ia mbathi në drejtim të panjohur.

Nuk gjetëm asnjë shenjë të mjekes së re me dy kalamajtë, që përmendeshin në të gjitha dëshmitë. I futëm në listën e të zhdukurve".

Epilog 

Sytë e dy engjëjve dhe mjekes së re më ndiqnin ngado prapa, me përgjëronin, e kërkonin ndihmën time, kurse unë s'pata mundësi t'i ndihmoja. Sytë e dy kalamajve-engjëj nisën të më preokuponin, më akuzonin që nuk bëra sa duhet për ta, nuk i nxora as nga misteri që ma hante shpirtin, më linte pa gjumë. Ata duhej të ishin diku, s'mund t'i lëshonte toka. Mjekja më rrinte galiç në tru. Pamjet e gruas të mbërthyer në kryq nuk më shqiteshin.

Misionin tim të kërkimit e nisa, sepse s'më hiqej nga mendja nata kur u futën policët rezervistë në banesën e saj. Nuk di ta kem takuar më shumë se tri-katër herë në shkallët e pallatit këtë grua simpatike. Fëshfërima e mantelit të saj m’i përkëdhel edhe sot veshët, ndërsa buzëqeshja e lehtë që i përftonte në buzë më del shpesh para sysh. Nuk krijuam afri më të madhe se sa një përshëndetje dashamirëse. Ndërkaq, për Dukagjinin, burrin e mjekes, të cilin rasti e solli në vendlindje, në kohën kur duhej të ishte pranë gruas, më tregoi shoku i tij i fëmijërisë, me të cilin kaloi ditët e fundit:

- Të nesërmen e bombardimeve policët u futën nëpër shtëpi. Ne u hodhëm nga dritarja e shpëtuam. Vrapo e vrapo derisa iu ngjitëm turmës, u bëmë pjesë e kolonës së pafundme të refugjatëve që u ngjiteshin Bjeshkëve të Nemuna. Natën e ftohtë me borë e fërfëllizë e kaluam nën një shtrojerë. Ai tërë kohën më fliste për gruan e kalamajtë, për të cilët brengosej: " I lashë në gojë të ujkut", ma përsëriste.

Përpiqesha ta ngushëlloja që s'do t'i gjente gjë, ata ishin të sigurt në kryeqytet. Dukej sikur e qetësonin fjalët e mia. Të nesërmen, në mëngjes, ndërsa përpiqeshim të kalonim kufirin, ushtarët serbë e plagosën rëndë. Ende e kam të freskët kërkesën e tij, ndërsa përpëlitej për jetë a vdekje sikur ta ndiente fundin: "Po më ndodhi diçka, të lutem m’i gjej!" Nuk arrita ta varrosja, krismat u shpeshtuan, nuk kisha asnjë mjet që ta rrëmihja tokën e ngrirë. Porosia e tij me përgjërim: "të lutem m’i gjej!" m’u fiksua. Tërë kohën mendoja për ta. I kërkova kudo: nëpër kampe refugjatësh, në Maqedoni, kalova në Shqipëri, i lajmërova të gjitha mediat elektronike e të shkruara, dhashë shpallje, e cila përsëritej net me radhë në televizione, botohej nëpër gazeta në Shqipëri e diasporë. Nuk lashë çadër refugjatësh pa kontrolluar. Nuk mora asnjë lajm".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat