74 zëvendësministra, që punojnë për atdheun! Qeveri e turpit, e maskarallëkut, e çudisë dhe...

Opinione

74 zëvendësministra, që punojnë për atdheun! Qeveri e turpit, e maskarallëkut, e çudisë dhe...

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 20 maj 2018 Në ora: 18:12
Qeveria PANA-Lista Serbe

74 zëvendësministra, që punojnë për atdheun! Opozitë e mrekullueshme! Ëmbëlake! Popull fantastike! I pashoq në Europë dhe në botë!

Le të tubojë Ramushi edhe këshilltarët dhe të mbyllë Kuvendin, kështu kursehet buxheti. Ligjet aprovon qeveria, pastaj atyre patriotëve, që kanë pasur ndërgjegje të bëhen zëvendës, që kanë pranuar ato pozita si në cirk, si askund në planetin Tokë, u rriten rrogat. Kuptohet, jo ministrave dhe zëvendësve, por institucioneve!

Një opozitë që duron këtë gjendje piraterie kolosale institucionale, i duhet litari!

Një popull, që duron këtë gjendje, i duhet trajtim psikologjik!

E ku dëshironi të anëtarësoheni me një qeveri, që i duhen dy autobusë për të shkuar në zyrë? E ku do të anëtarësohet Kosova, kur bota zgërdhihet me atë zogori karrieristësh të sëmurë, që kanë pranuar pozitat vetëm për të përfituar vet, por duke qenë të vetëdijshëm se dëmtojnë vetëm buxhetin e vendit, pa pasur mundësi të japin asnjë kontribut!

Nuk është për gaz vetëm ai që karrierizmi e hodhi në kokërr të shpinës, por edhe ata që kanë pranuar të marrin ato pozita, edhe atë, pa ditur se a do të kenë zyra apo do të punojnë në oborr të Qeverisë. Kjo është Qeveri e turpit, e maskarallëkut, e çudisë dhe e injorancës. Ky grup makiavelistësh, mund të dojë çdo gjë, por jo vendin, jo përparimin. Ajo Qeveri që grumbullon rreth vetes 74 zëvendëse, nuk është Qeveri, ajo është kope! Ata nuk janë aty për të punuar për popull, por për të plotësuar epshet e tyre të sëmura karrieriste.

E si t‘ i hiqen vizat një maskarallëk qeverie, që haptas vjedh popullin? E si mund të luftojë korrupsionin, krimin dhe të ndërtojë shtet ligjor, një Qeveri e formuar për të kënaqur vetveten!? Qeveria është jonormale, joligjore, e sëmurë, e pa dinjitet, e pa sedër dhe paempati ndaj vendit! Me këtë turmë Kosova është shndërruar në grazhd!

Kësaj Qeverie një ditë do t’i vijë ultimatumi nga BE: Ose shpërbëni krimin e organizuar qeveritar, ose nuk ju hiqen vizat!

Turpi nuk është pse pranuan vetëm pozitat, por si nuk skuqen kur shfaqen para popullit si ministra, si zëvendës? Si kanë fytyrë të shkojnë në shtëpi dhe t’u thonë anëtarëve të familjes, janë ministra e zëvendësministra?! A nuk shohin se kështu mësojnë edhe fëmijët e vet të vjedhin dhe rrënojnë shtetin?!

Si nuk skuqen, kur takohen me delegacionet e jashtme? Ata, sapo të largohen, tregojnë gazmore dhe tallen me një Qeveri-turmë të ndërtuar nga Hasa dhe Husa, që janë bërë personazhe të shkëlqyeshme për gazmore: Hashimi dhe Ramushi!

Çfarë mendojnë të huajt për një opozitë që lejon zhvatjen e vendit? Çfarë mendojnë ata për një popull, që duron këtë gjendje dhe që është i bindur se ka Qeveri, e jo krim të organizuar?

Kosova nuk ka Qeveri! Kosova ka një hordhi, e cila nuk ka asnjë aftësi për të kuptuar se nuk është aty për të plotësuar nevojat e veta themelore, e as të besojë se ky popull, mund të dërgohet në kullosë.

Imazhi i shqiptarit nuk po dëmtohet në Perëndim vetëm nga arrestimet gati të përditshme të shqiptarëve diku me drogë. Imazhi i shqiptarëve po rrënohet brenda, nga ata që janë të paguar të mbrojnë atë. Pengesa kryesore për përparimin e vendeve shqiptare, është kriminaliteti i organizuar në skenën politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat