“Çokollata” e presidentit grek për Shqipërinë - Bota Sot
“Çokollata” e presidentit grek për Shqipërinë

Opinione

E mërkurë, 15 gusht 2018

“Çokollata” e presidentit grek për Shqipërinë

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 15 maj 2018 Në ora: 14:12
Prof.dr. Eshref Ymeri

Gjatë një vizite para do kohësh në shtabin e forcave ajërore në Larisa, presidenti grek Prokopis Pavlopoulos deklaroi:

“Është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështje çame. Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturve çamë gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi. Nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë evropiane. Më vjen keq që jam i drejtpërdrejtë, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit ata guxojnë të flasin për çamët. Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke. Respekti për historinë është baza ndërkombëtare për miqësinë dhe fqinjësinë e mirë” (Citohet sipas: “Presidenti grek: Shqipëria të mos e kujtojë çështjen çame, nëse do perspektivën evropiane”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 04 shkurt 2018).

Kjo deklaratë e kreut të shtetit grek në adresë të Shqipërisë është tepër domethënëse. Kjo për arsye se ai e lëshon këtë deklaratë në një mjedis jo dokudo, por pikërisht në një mjedis ushtarak dhe nënkuptimi (konotacioni) është fare i qartë: ai i hakërrohet Shqipërisë me gjuhën e një ushtaraku.

Duhet theksuar se përderisa presidenti grek përmend shprehjen “çështje çame”, kjo do të thotë se një çështje e tillë ekziston, por ai kërkon ta mohojë.

Prej 29 prillit 1941 deri më 12 tetor 1944, Greqia ka qenë e pushtuar nga trupat gjermane. Gjatë asaj periudhe ajo ka pasur një qeveri kolaboracioniste me tre kryeministra, si Georgios Colakoglu, Konstantinos Logofetopulos dhe Ioanis Ralis. Pikërisht kryeministri i fundit i qeverisë kolaboracioniste greke organizoi masakrën masive kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, duke autorizuar kriminelin Napoleon Zerva për kryen e saj përmes vrasjeve masive me metoda nga më barabaret dhe për dëbimin nga trojet amtare të pjesës tjetër që mbeti gjallë.

Në një letër që i dërgonte mikut të vet Jani Dani më 04 gusht të vitit 1953, Napoleon Zerva shkruante:

“I dashur Jani Dani,

Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin e atdheut nga çamët myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjetë mbi qafë të helenizmoit, duke ua bërë të mundur malësorëve të zbresin në fushat pjellore e t’i gëzojnë ato. Për këtë ta ndiejmë vehten krenarë.Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, ulërima fëmijësh, nuse dhe gra nudo që futeshin në furrat e ndezura që të mos pillnin më shqiptarë, burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë” (Citohet sipas: Spiro T. Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”. Botim i tretë. Janinë1997, f. 104).

Pra, vetë krimineli Napoleon Zerva, në letrën e vet, nuk thotë kund se viktimat e vrara me aq mizori u masakruan jo se kishin qenë bashkëpunëtor me pushtuesit gjermanë. Përkundrazi. Qëllimi i Napoleon Zervës, sipas orientimit që kishte marrë nga qeveria kolaboracioniste e kryeministrit Ioanis Ralis, ishte shfarosja në masë e popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe dëbimi i pjesës tjetër nga vatrat amtare për të vetmen arsye se ajo ishte e besimit mysliman dhe se pronat e saj duhej t’i zaptonin grekët që duhej të zbrisnin nga malet.

Në masakrimet e popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe në shkatërrimin dhe grabitjen e pasurive të saj me urdhër të Athinës kolaboracioniste me nazistët gjermanë, nuk ka asgjë për t’u habitur. Kjo për arsye se qëndrimi armiqësor i Athinës zyrtare ndaj popullit shqiptar ka një traditë të kahershme. Ky qëndrim armiqësor dëshmohet me të dhëna historike. Le të flasim me gjuhën e fakteve.

Le t’i referohemi një figure të shquar të politikës sonë kombëtare, e cila zbulon fytyrën e vërtetë të shovinizmit grek në qëndrimin ndaj vendit tonë fill pas shpalljes së pavarësisë.

Në kujtimet e veta, Eqrem bej Vlora shkruan:

“Në mesditën e 21 dhjetorit (1912 - E.Y.)… grekët na bënë një peshqesh të papritur. Unë po qëndroja para dritares së dhomës sime.., kur dëgjova një gjëmim dhe një kërcitje poshtë e një çast më vonë një shtatërvan dheu u ngjit pothuaj deri te dritarja ime… Disa minuta më vonë gjëmoi topi i dytë! Vrapova atëherë në ballkon për të parë këtë top kaq të saktë, e ç’të shihja: ishin… dy kanonieret greke.., të cilat po dërgonin “përshëndetjet” e tyre me rastin e shpalljes së pavarësisë sonë. Pra, ato po bombardonin skelën dhe qytetin” (Eqrem bej Vlora. Kujtime. Vëllimi i dytë 1912-1925. Shtëpia e librit dhe e komunikimit. 2001, f. 18).

Ndërsa lidhur me masakrat e bandave kriminale greke në Shqipërinë e Jugut në vitet e Luftës së Parë Botërore (banda këto, të përbëra prej 8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt), Eqrem bej Vlora shkruan se ato “kryen masakra të tilla të turpshme që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve” (po aty, f. 39).

Asokohe, masakrat e kriminelëve të Athinës në Shqipërinë e Jugut, janë përjetësuar edhe në një këngë popullore me përmbajtje tragjike:

Qaj, moj Shqipëri dhe ulër, moj e gjorë / Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë, / I përzuri greku me foshja në dorë / Dyqind e ca burra u therën në Hormovë.

Me deklaratën e vet në shtabin e forcave ajërore të Larisës, presidenti grek, duke e vlerësuar popullsinë shqiptare të Çamërisë të besimit mysliman si bashkëpunëtore të trupave naziste, mbron masakrat e kriminelit Zerva dhe të frymëzuesit të tij, kryeministrit kolaboracionist Ioanis Ralis. Në vend që presidenti grek, të gjithë pararendësit e tij dhe krejt udhëheqësit grekë të reagojnë ndaj masakrave të rënda të Napoleon Zervës, i cili la prapa “rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, ulërima fëmijësh, nuse dhe gra nudo që futeshin në furrat e ndezura që të mos pillnin më shqiptarë, burra të varur, shpuar me bajonetë”, ata, përkundrazi, dalin në përkrahje të atyre masakrave. Kësisoj ata dëshmojnë në sytë e opinionit publik shqiptar se Athina zyrtare ka qenë dhe vazhdon të mbetet deri në ditët tona  mbështetëse e fuqishme e mizorive të tmerrshme që shteti grek kreu kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Në kuadrin e lëshimeve që i janë bërë Athinës gjatë këtyre 27 vjetëve nga ana e klasës politike shqiptare, lëshime të rënda këto që bien era tradhti kombëtare, Presidenti Pavlopoulos, me kusht që Tirana zyrtare ta mohojë Çështjen Çame, po shfrytëzon Bashkimin Evropian, të cilin Shqipërisë po ia tund para fytyrës, si një “çokollatë”, me të cilën një prind kërkon ta joshë fëmijën e vet që të mos bëjë diçka.

Është në dorën e klasës politike të Tiranës të zgjedhë se çfarë do të bëjë: do të joshet nga “çokollata” e presidentit grek, të cilën ai po ia tund para hundës, apo do të mbrojë dinjitetin kombëtar, çka nënkupton mbrojtjen dhe zgjidhjen politike të Çështjes Kombëtare të Çamërisë. Praktika 27-vjeçare ka vërtetuar se klasa politike shqiptare, në marrëdhëniet që ka ndërtuar me Athinën zyrtare, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e zhveshur krejtësisht nga dinjiteti kombëtar. Madje ajo është gati që jo vetëm ta pranojë “çokollatën” e presidentit grek, duke e mohuar Çështjen Çame, por edhe të bjerë në barkë dhe madje të tëhiqet edhe zvarrë para Athinës, vetëm e vetëm që kjo t’i hapë dritën jeshile për në Bashkimin Evropian.

Me këtë rast, presidentit grek Pavlopoulos dhe klasës politike të Tiranës dëshiroj t’ju kujtoj një shënim të një gazete angleze të vitit 1970. Në atë shënim bëhej fjalë për Toni Benin  (Anthony Benn - 1925-2014), politikan dhe disa herë ministër i partisë laburiste kur kjo ishte në pushtet në vitet 1964-1970. Si një politikan i njohur, Toni Beni ishte një përkrahës i fuqishëm i Tregut të Përbashkët (Bashkimi Evropian i ditëve tona). Gazeta shkruante asokohe:

“Zoti Ben duket sheshit që shikon ëndrra me sy hapur, duke menduar sikur “Tregu i Përbashkët” na qenka krijuar për mbrojtjen e sovranitetit të vendeve pjesëmarrëse” (Citohet sipas gazetës “Morning Star”. 16 nëntor 1970).

Koha vërtetoi se gazeta angleze kishte pasur shumë të drejtë: pas 46 vjetësh, në vitin 2016, Anglia, me referendum, e braktisi Bashkimin Evropian. Kur një shtet me autoritet në botë, si Anglia, vuri re se Brukseli synonte t’ia cenonte sovranitetin, duke i diktuar kushtet e veta, ajo, përmes vullnetit të shumicës së popullit anglez, i tha “ku të kam parë”. Tani, në rast anëtarësimi në Bashkimin Evropian, merret me mend se ç’qëndrim do të mbajë Brukseli ndaj vendit tonë, të cilin e shikon si “vrimën e fundit të kavallit”.

Kërkesa e presidentit grek, e konkretizuar me “çokollatën” që po ia tund Tiranës zyrtare para hundës, të bën të shtrosh një pyetje dhe të biesh në përsiatje:

Cila është arsyeja që Athina tallet me Shqipërinë, duke e nëpërkëmbur haptazi, pa drojën më të vogël?

Përgjigjja është fare e thjeshtë:

Athina nuk ka kurrfarë respekti për vendin tonë që asokohe kur Enver Hoxha, pas dhjetra kërkesave jargavitëse që i kishte drejtuar asaj për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, pranoi përunjësisht t’i lidhë marrëdhëniet në fjalë më 08 maj 1971, duke mos kërkuar shfuqizimin e ligjit famëkeq të luftës, njohjen e Çështjes Çame dhe të tërësisë territoriale të vendit tonë. Pikërisht që asokohe Athina e ka shikuar dhe vazhdon ta shikojë me përbuzje vendin tonë, sidomos pas vitit 1990, kur vendin tonë e ka drejtuar dhe vazhdon ta drejtojë një klasë politike pa dinjitet kombëtar, e cila i ka bërë asaj lëshime shumë të rënda. Me këto lëshime, klasa politike shqiptare, duke mos kërkuar asnjë lëshim nga Athina në mbrojtje të interesave tona kombëtare, është zhvlerësuar tërësisht në sytë e politikës greke. Por duhet pranuar se ky qëndrim shpërfillës  i Athinës ndaj vendit tonë shpjegohet edhe me një tjetër arsye:

 Grekët, ashtu si edhe serbët, i ka munduar dhe vazhdon t’i mundojë kompleksi i inferioritetit para kombit shqiptar. Kjo për arsye se në kodin moral të shqiptarëve, në formimin e tyre psikologjik, janë të paimagjinueshme vrasja e grave, e fëmijëve, e pleqve dhe e plakave të huaja të pafajshme, përdhunimi i i vajzave dhe i grave të huaja, masakrimi i njerëzve me metoda të kohës së inkuizicionit, poshtërimi dhe djegia e kufomave, siç kanë bë grekët në Shqipërinë e Jugut në vitet e Luftës së Parë Botërore dhe në Çamëri në qershorin e vitit 1944 dhe serbët gjatë luftës në Kosovë në fundin e viteve ’90. Ky kompleks inferioriteti i grekëve dhe i serbëve është plotësisht i shpjegueshëm, sepse kriminelin është e pamundur të mos e mundojë kompleksi i inferioritetit para një njeriu fisnik, hajdutin është e pamundur të mos e mundojë kompleksi i inferioritetit para një njeriu të ndershëm, gënjeshtarin, mashtruesin dhe shpifësin, siç janë grekët dhe serbët në trajtimin e historisë sonë kombëtare, është e pamundur të mos e mundojë kompleksi i inferioritetit para një njeriu me dinjitet, frikacakun është e pamundur të mos e mundojë kompleksi  inferioriteti para një trimi.

Faik Konica shkruan:

“Lordi Bajron ka thënë se grekët “kishin të gjitha veset e turqve, por pa guximin e tyre”. Gjatë luftës për pavarësinë greke, në çastin e ndodhive të mëdha dhe të luftërave të përgjakshme, grekët shkuan e u fshehën nëpër pullazina e stalla, ndërkohë që shqiptarët u bënë ballë turqve. Boçarin tonë grekët vanë e bënë një Vuzariss, Kanarin tonë një Kanarîss, Bubulinën tonë një Vuvuliss apo Bumbuliss” (Citohet sipas: Fotaq Andrea. “Faik Konica - Përlindësi modern. Fletore Koniciane”. Botim Zenit. Tiranë 2016, f. 351).

 Sigurisht, sikur ata shqiptarë të shquar që kryen revolucionin në Greqi, të kishin qenë të vetëdijshëm se sa rëndësi jetike ka uniteti dhe se sa tragjike është përçarja, do ta kishin marrë situatën në dorë, për të mos lejuar që grekët t’u ndërronin emrat dhe t’u grabitnin historinë dhe, për pasojë, Greqia sot gjuhë zyrtare do të kishte gjuhën shqipe. Por ata shqiptarë të shquar nuk qenë të zotë për të administruar situatën e krijuar pas atij revolucioni dhe grekët ua rrëmbyen fitoren nga dora.

Shqiptarëve e keqja u ka ardhur gjithmonë nga vetja, prandaj edhe jemi katandisur në gjendjen ku jemi dhe gjasat janë se zor që të dalë ndonjëherë në skenë një e tillë klasë politike me dinjitet kombëtar, e cila një ditë të bukur t’i thotë Athinës: ndalu grek se ka hendek. Ne nuk do ta kemi fatin për të pasur në krye të vendit një klasë politike me dinjitet kombëtar, prandaj edhe do të vijë duke u pasuruar gjithnjë e më shumë materiali me titull “Dosja e zezë e Greqisë”, e cila qarkullon prej vitesh në faqet e internetit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test