Vettingu: “Pasuritë e grabitura popullit t’i rikthehen popullit”

Opinione

Vettingu: “Pasuritë e grabitura popullit t’i rikthehen popullit”

Nga: Fahri Dahri Më: 14 maj 2018 Në ora: 11:27
Fahri Dahri

I.-Toka-baza e zhvillimit të jetës

Shtresa, sipërfaqja e sipërme e Planetit të Tokës, është baza mbi të cilën zhvillohet jeta, për gjithë gjallesat, është trup i gjallë, gjithmonë në proces ndryshimi, formimi dhe shkatërrimi. Ajo është përbërësja esenciale, qendrore për të gjitha ekosistemet tokësore. Toka është kapitali bazë, ku ushtrohen veprimtaritë e jetës njerëzore. Të vepruarit me kapitalin në “Tokë”sigurohet mbarëjetesa e gjallesave. Kapitali është vlera materiale në duar të pronarëve-kapitalistëve, të cilët blejnë në treg fuqinë punëtore dhe nëpërmjet kontratave të punës, përcaktohen koha, proceset e punës, pagat dhe shtesat mbi pagat. Kapitalistët me kapitalet e tyre dhe fuqinë punëtore realizojnë të ardhura. Mbasi zëvendësohen shpenzimet e kryera, të cilat përbëhen nga kapitali i qendrueshëm dhe kapitali i ndryshueshëm, pjesa që mbetet është fitimi. 

Fitimet që rezultojnë nga çdo veprimtari prodhimi apo shërbimi, zakonisht krijohen në momentin kur mallrat apo shërbimet dalin në treg dhe shiten. Fitimi - qëllimi kryesor i çdo biznesi - rezulton si diferencë mes kostove (shpenzimeve) dhe të ardhurave të realizuara. Fitimi në vetvete përcaktohet nga dy koncepte të ndryshme: Vlera e shtuar dhe fitimi netto.

Vlera e shtuar është shuma e parave të mbetura mbasi zbriten kostot direkte (shpenzimet direkte materiale), nga të ardhurat nga shitja. Vlera e shtuar është e barabartë me të ardhurat nga shitja minus shpenzimet direkte. Fitimi bruto është rezultati që përfitohet nga të ardhurat e realizuara nga shitja duke zbritur shpenzimet direkte dhe indirekte; ndërsa fitimi netto është rezultati që merret duke zbritur nga fitimi bruto tatim fitimin.

Kostot përfshijnë të gjitha shpenzimnet e bëra nga një shoqëri apo firmë me qëllim që të nxirren të ardhura. Shpenzimet ndahen në dy kategori, shpenzime direkte dhe shpenzime indirekte. Kosto direkte, ose shpenzimet direkte janë shpenzimet materiale si dhe shpenzimet e punës direkte. Në kostot indirekte, ose shpenzimet indirekte përfshihet kostoja e materialeve që nuk formojnë produktin përfundimtar, por përdoren gjatë procesit të prodhimit, si karburant lubrifikantet, pagat indirekte të punonjësve që kryejnë detyra kontrolluse, si për cilësinë, standartet, punonjësit e transportit etj.

Kapitali themelor për çdo veprimtari përbëhet nga pasuria fillestare, vlera e të cilave shprehet në para. Kapitali themelor  i investuar në aktivitete të ndryshme, shoqërohet me kapitalin industrial, pasuria e investuar (mjetet e prodhimit dhe vlerat materiale). Me përfundimin e kapitalit industrial, sigurohet Kapitali monopolist, i cili shpreh vlerat materiale të fituara për marrjen e monopolit në degë apo sisteme të ndryshme ekonomike.

Krahas sa sipër, kapitalistët, biznesmenët, përballen edhe me pasojat e Kapitalit të vdekur, i cili përbëhet nga pjesa e pasurisë në materialeve të mbetura stoqe ose me qarkullim të ngadalshëm që nuk futen në proceset e prodhimit. Eksportimi i kapitalit realizohet përmes veçimit, tërheqjes së vlerave materiale nga një model, apo sistem ekonomik në një model tjetër. Deri këtu u njohëm me:

- akumulimin fillestar që disponohet nga pronari, i cili e hedh në një aktivitet të caktuar;

- kapitalin industrial, pasuria e investuar dhe,

- fuqinë punëtore me kontratë pune.

Elementet materiale, përfaqësojnë kapitalin e qendrueshëm dhe fuqia punëtore, përbën kapitalin e ndryshueshëm (c+v), të dy së bashku japin kapitalin monopolist, ndryshe vlerat materiale të përfituara në fund të procesit. Në një fazaë të caktuar të procesit të prodhimit, realizohet shndërrimi në kapital i parave të hedhura.

Nga një vështrim i përgjithshëm, duken si lojë fjalësh kur trajtohet qarkullimi i mallrave, sipas formulës (M-P-M) (mall-para-mall). Në rastin e (M-P-M) kuptohet që shitja e një malli bëhet për të blerë një mall tjetër; ndërsa tek formula e pergjithshme e kapitalit (P-M-P) (para-mall-para), kuptohet që blerja e një malli bëhet me qëllim për tu shitur, po kështu dihet që dalja në treg për të shitur ka si objektiv fitimin.

Vlera e shtuar, që fitohet me çmimin e shitjes, njihet si “mbivlerë”, e cila e shndëron paranë në kapital. Dallimi mes shtijes së mallit për të blerë një mall tjetër qëndron në atë se, nga qarkullimi i mallrave nuk sigurohet mbivlerë, por vetëm shkëmbim mallrash (jep mall dhe merr mall) prej të cilave nuk krijohet ndonjë përfitim apo rritje çmimi; tek blerja e mallrave për të shitur (shet mall dhe merr para), reralizohet vlera e shtuar nëpërmjet çmimit.

Mbasi u njohëm me dallimin mes dy formulave, konkludohet se me formulën (M-P-M) sigurohet kapitali i qendrueshëm, i cili studiohet dhe përdoret nga kapitalisti pët tu gërshetuar me formulën e dytë (P-M-P), ku në këtë formulë (M)-ja perfaqëson formulën (M-P-M), e cila blihet me para, hidhet në procesin e prodhimit, por do ishte e pa realizuar nëse nuk do i shtohet procesit të prodhimit, fuqia punëtore, me të cilën plotësohet cikli i realizimit të produktit të gatshëm për të dalë në treg. Tek (M-P-M) nuk kemi vlerë të shtuar nga këmbimi, pasi vlera e shtuar realizohet tek shitja e mallit, e përfshirë në çmimin e produktit që shitet.

Kështu lind domosdoshmëria e pjesëmarrjes së kapitalit kostant (C) dhe e kapitalit të paqendrueshëm (fuqia punetore) (V). Pronari, kapitalisti apo bisnesmeni, për realizimin e mbivlerës bazohet tek shpenzimet e punës, e cila duke u prdorur në procesin e prodhimit siguron shtesë vlere.

Arritja në fazën e përfundimit të kontributit nga mpleksja e elementeve materiale (jo frymorë) me fuqinë punëtore (frymorë),  sigurohen të ardhurat. Nga mos shpërndarja e fitimit ndërmjet pjesmarrësave në zhvillimin e aktiviteteve prodhuese ose të shërbimit, kriojhet pabarazia e theksuar mes akumuluesit fillestar me fuqinë punëtore të kualifikuar ose jo.

Më qartë, të ardhurat e akumuluara, mbas zëvendësimit të akumulimit fillestar dhe shpenzimeve tërësore në procesin e prodhimit, që shprehen në normë fitimi, lindin diferencat mes pronarit, biznesmenit dhe fuqisë punëtore. Sipas ligjeve aktuale, zotëruesi i kapitalit përvehtëson fitimin në masën 100%. Kjo rishpërndarje krijon disnivelet pasurore mes pronarit dhe fuqisë punëtorëve. Pronari priret drejt rritjes së vazhdueshme të normës së fitimit me të cilën shton pasurinë; ndërsa shpenzimet e punës, fuqia punëtore mbetet po thuaj e pandryshuar.

Statusi ekonomik, mes pronarit dhe punëtorëve apo nëpunësve me mëditje, krijon raporte të zhdrejta. Pronarët rrisin fitimet dhe kapitalet (pasuritë) e tyre në mënyrë progresive; ndërsa punonjësit me mëditje, më e shumta mund të përfitojnë thjeshtë një rritje të vogël në pagat e punës. Rishpërndarja e padrejtë e të ardhurave krijon polarizim të theksuar ekonomik dhe grumbullim të pasurive në pak duar, të cilët jo gjithmonë pasurinë e grumbulluar e përdorin për të kryer investime të mëtejshme, si rrjedhojë lindin pengesa serioze në zhvillimet ekonomike si brenda dhe jashtë vendit, shtohet papunësia, shtrihet varfëria. Për ta sqaruar më thjeshtë po i drejtohemi disa të dhënave të marrë nga shtypi:

Edhe për të pasurit, pasuria e vërtetë është e paarritshme, askush nuk mendon se e ka arritur pasurinë e menduar. Në referim të shifrave të botuara në gazetën “Dita” të datës 5 maj 2018, rezulton se 5% e amerikanëve janë milionerë. Prej këtyre, rreth 95% kanë nga 1 deri në 5 milionë dollarë. Megjithatë këta super miliarderë, mendojnë se nuk e ndjejnë veten të pasur.

Shumë njerëz kujtojnë se nëse përballojnë mbulimin e pjesës së pronave dhe shërbimet, gjithë shpenzimet e domosdoshme, dëshirat për të shijuar një jetë luksi si dhe të mbeten, ose tu teprojnë edhe shumë para gjendje, prej të cilave të sigurojnë për çdo fëmije një shumë parash, përafërsisht 25 milionë dollarë trashëgimi, atëhere me këto arritje sigurohet të qenurit të pasur.

Po kështu, sipas disa analistëve nga “US Trust”, për të qenë i pasur kanë parashikuar se një çifti do ti duhet të ketë një pasuri prej të paktën 100 deri 190 milionë dollarësh, të siguruojnë një jetë lluksoze dhe të quhen të pasur. Madje “qindëshen” si kufi e quajnë “hundy” (‘hundred’), në të folurit e zakonshme thuhet:“Tani e kapën veten. E bënë një Hundy”. Këto shifra ilustrojnë disi të qenurit të pasur ose “pasanikë”. Në masën e gjërë të njerëzve, të gjithë e dimë përdorimin e shprehjes: “I pasuri nuk ngopet kurrë me pasuri”.

Adam Smithi sheh një marrëdhënie dallimi midis interesit të individit dhe të interesit të shoqërisë, dhe vë re se mbajtja e individit në brendësi të një bashkësie sigurohet nga mekanizmat e këmbimit: këmbimi lejon lojën e përbashkët të kërkesës dhe ofertës. Trajtimi që u bëhet mekanizmave të tregut është me vlerë edhe sot(¹).

Por në një shoqëri të dalë nga një rend ekonomiko-shoqëror, ku ligjet e konkurencës dhe kërkesë - ofertës nuk vepronin, marrëdhëniet mes individit dhe shoqërisë, sigurisht e lejojnë që këmbimi të bëjë lojën e përbashkët të kërkesës dhe ofertës, por fusha e veprimit ishte e pafavorshme për shkak të mungesës së kushteve për të hyrë në treg oferta. Mungesa e ofertës, favorizoi klasën politike të para dhe të pas nëntëdhjetës, të zotërojnë tregjet me mallra e materiale të importit, gjë që lulëzoi dominimi (mbizotërimi) i monopoleve në disa duar.

Para vitit 1991, mekanizmat e ligjeve të kapitalit nuk vepronin në fushën ekonomike (të prodhimit dhe tregut), për ne ishin shfaqje borgjeze dhe mikroborgjeze. Nuk ishin pjesë e moralit tonë shoqëror. Në këtë fazë u gjind qenia dhe ndërgjegja shqiptare, në lidhje me moralin dhe përvojat ekonomiko-politike kur  kapërcyem “ylberin” politik.

E vërteta është se ky mentalitet qendronte vetëm tek 90 përqind e popullsisë; ndërsa pjesa e njerëzve të përfshirë në politikë, shfrytëzoi çdo aset pasuror dhe moral duke marrë rrolin e kapitalistit, dmth u bënë pronarë me kapitalin shtetëror, jo me kapitalin e tyre. Siguruan të ardhura nëpërmjet rrugëve të padrejta, informale duke u pasuruan mbi bazat e kapitalit të të gjithë shoqërisë. Krahas përvetësimit të kapitalit ekzistues, që ishte shtetëror, u ndërrtuan edhe legjislacione, ku klauzolat krijonin hapësira për informalitete në ekonomi, siç u veprua së pari me Reformën Agrare.

Reforma agrare gjatë këtyre afro tre dekadave, është përdorur me sukses nga politika në fushatat elektorale. U përdorën mashtrime, grabitje dhe vjedhje, por të habitshme dhe “bajate”, ishin fenomenet e ndodhura në Bankën Qendrore Kombëtare. Lëvizje e parave jashtë rregullave dhe normave, spekullime me interesat për kredimarrësit; mos regjistrim të prerjeve të reja monetare; nuk veprohej me nxjerrjen jashtë përdorimit të parave të dëmtuara, por rifuteshin në qarkullim. Nga individë të caktuar, u përdorën paratë e bankës në tregun informal të këmbimit valutor. U sajuan luhatje të shpeshta me kurset e këmbimit të valutave, duke përvehtësuar djersën, mundin dhe sakrificat sublime të moshave të reja në emigracion. Sipas gazetës “Telegraf”, të datës 06 prill 2018, në fund të muajit shkurt 2018 shuma e kredive me probleme kapte shifrat 560 milionë euro. Këto ndërhyrje të qëllimshme vazhdojnë të jenë më të thelluara dhe me ndikime të ndjeshme, duke shkaktuar humbje në ekonomi. Po kështu sipas shtypit të ditës, vetëm me deeurozimin, masë e marrë nga Banka Kombëtare, dëmi llogaritet në 140 milionë euro, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat