Mjegulla e përhitur

Opinione

Mjegulla e përhitur

Nga: Gani Mehmetaj: Më: 12 maj 2018 Në ora: 07:34
Gani Mehmetaj:

Mjegulla shtrihej e dendur si asnjëherë më parë. Nuk shiheshin trajtat e qytetit, as udhëkryqi me godinën shumëkatëshe përballë. Për herë të parë mjegulla e pazakonshme për këtë kohë të vitit më gëzoi si kurrë më parë, Mjegulla nuk më pëlqente asnjëherë, më shkaktonte nervozë e depresion, ndërsa në qytetin tonë kur nuk binte borë dimrit e acari shtrëngonte, mjegulla paralizonte trafikun. Sa do të doja që kjo mjegull të mos tërhiqej deri në fund të luftës. Njerëzit e fshehur mund të lëviznin pa frikë, unë do të shpija këmbët, mjegulla do t'i fshinte nga shikimi policët e rojat e pikave neuralgjike të qytetit. Vetëm atëherë qyteti do të frymonte më lirshëm në gjendjen e jashtëzakonshme.  Ç'bënin banorët e mbetur? I gëzoheshin apo i frikësoheshin mjegullës?  Qyteti nuk i ngjante vetes: i shkretë, i braktisur si pas betejës së përgjakshme, apo pas murtajës. Kronikat e priftërinjve nga kryeqyteti i Dardanisë rrëfenin për fatkeqësi të tilla. Qyteti përjetoi disa herë shkretime lufte, shfarosje murtaje, fatkeqësi zjarri. Qetësia vdektare më ngjante me qetësinë pas fundit të botës, apo një ditë pas, sikurse thuhej, një qetësi ndjellakeqe e pikëllimtare. Por unë kështu e doja, sepse nuk do ta shihja asnjë fytyrë të shëmtuar dhe as një ngërdheshje mujsharësh. 

Para shumë vjetësh ra mjegulla e përhitur në gjysmën e majit. Njerëzit u çoroditën, fëmijët qanin kot, sa e shihnin mjegullën shkreheshin në vaj, gratë nisën të shihnin me tmerr, kërkonin mbështetjen e burrave, po burrat s'dinin  ç't'u thoshin as si t'u ndihmonin, plakat luteshin në heshtje. Erdhi fundi i botës iu mbush mendja të gjithëve, prisnin kur do të nisnin boritë. Gjysma e ditës u shkoi  në pritje të ankthshme e frikë të paskajshme. Dikur mjegulla filloi të tërhiqej, qyteti mori trajtat e mëparshme, nuk e kishte humbur asnjë formë, kurse banorët e harruan pas disa orësh mjegullën. Frikën e pakmëparshme e rrëfenin si një aventurë emocionuese.

 Mjegullës ia zu vendin vapa e lagështisë që ta zinte frymën. Koha ndryshoi befas. S'pati lëvizje. Policët koteshin para shitores me pushkët në prehër e shkopinjtë e bejsbollit pranë këmbëve. Ndonjë kalimtar i rastit, po aq i habitur sa edhe unë ecte tutje i përhumbur. Ndërkaq, pasi e mora veten nga ndryshimet e papritura, duke përsiatur, në notesin tim të zhubravitur kisha shkruar: “Të gjithë prisnin masakër, ndërsa askush s’donte ta besonte, sikur thoshin: "Bëje Zot ëndërr!" Varret, të vjetra e të reja, na e kujtonin tragjedinë që i priste, ndërkaq njerëzit silleshin të mpirë.

Kur e vrojtoja disa orë para se të nisnin bombardimet nga dritarja ushtarakun e majmur pa epoleta se si kërcënonte, mornica ma përshkonin trupin. Ai e përsëriti tërë ditën ogurin e zi, por njerëzit i rrëshqisnin për anash dhe nuk donin ta dëgjonin. Ai e thoshte atë që flitej brenda sojit të tyre, ai e tregonte atë që e bënë ata të llojit të tij në Bosnjë, Kroaci e gjetiu. Ushtaraku i dehur evokonte kujtime, përcillte mesazh ogurzi. E njihte lagjja që nga dita kur erdhi këtu, i dehur e i dhunshëm. Disa thoshin për të se atje nga vinte u shqua për mizori. Ndërkaq, njerëzit shpresonin që kësaj radhe fati do t’u printe mbarë. Ua dinin huqet. "Mbase jemi ëndërr!", e përsërisnin shumica syresh. 

Por, shenjat ishin: Një zyrtar i lartë serb, që i ngjante hienës, ndërsa shndërrohej në ujk, natën para bombardimeve i kërcënoi vendësit: "Hakmarrja do të bjerë pa mëshirë mbi ju. Patkoi do t'ju fshijë nga faqja e dheut. Do t'i mbani në mend këto ditë përjetë e  mot ". Të gjithë e dëgjonin dhe askush s'dinte si të vepronte.  

Zyrtari tjetër që paraqitej shpesh në televizionin e tyre, ndërsa ngjasonte në hipopotamin, i kërcënoi se do t'i shpërngulte përtej Bjeshkëve të Nemuna, që t'u lëshonin hapësirë bashkëkombësve të tij. Kërcënimet përsëriteshin aq shpesh, saqë askush nuk i merrte për të qenë. S'dinin kujt t'i besonin: kërcënimeve serbe apo premtimeve ndërkombëtare.  Çuditërisht të gjithë druanin e askush nuk ndërmori asgjë, asnjë veprim që do të pakësonte vuajtjet e pafundme të të dëbuarve, që do të pengonte vrasjen e popullatës në masë, askush nuk tha:  "O burra, t'ia mbathim një orë e më parë, nëse s'kemi armë të mbrohemi!"

Se lufta do të merrte përmasa të tilla askujt nuk i shkonte ndër mend. Besonin se gjenocidi i takonte së kaluarës. Nuk them se ndokush e mori lojë fëmijësh kobin që po gatuhej, porse silleshin si pata në mjegull. As ata që i planifikuan bombardimet nuk menduan se hakmarrja e serbëve do të bëhej aq mizore. Secili prej nesh përpiqej t’i hiqte retë e zymta të dyshimeve, të cilat rrinin pezull në mendjen e tyre, sepse secili mbante në mend rrëfimet e prindërve.

“Është fillimi i mileniumit të tretë, gjenocidi i takonte historisë. Evropa nuk do ta përballonte e nuk do ta duronte një gjenocid tjetër pas Holokaustit”, e përsërisnin ngushëllimin, që u bë mashtrim, i mori në qafë. 

Nuk dija ç’t’i shtoja kësaj. Nuk isha historian, as sociolog. Në përsiatje të këtilla më kalonte nata, kur nuk dëgjoheshin shpërthimet e bombave, sepse herë-herë aeroplanët luftarakë pushonin, ose sikur thoshin lajmet për shkak të kohës së keqe, bombardimet nuk tregonin suksesin e planifikuar. Ndërkaq, policët ishin të efektshëm si netëve me re, ashtu edhe netëve të kthjellëta. Veçmas kur nuk u druanin bombardimeve", kisha shkruar në notesin tim nga kotësia e dëshpërimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat