Përpjekje e turpshme për të njollosur veprimtarinë e shkëlqyeshme atdhetare të viteve të 90-ta - Bota Sot
Përpjekje e turpshme për të njollosur veprimtarinë e shkëlqyeshme atdhetare të viteve të 90-ta

Opinione

E enjte, 16 gusht 2018

Përpjekje e turpshme për të njollosur veprimtarinë e shkëlqyeshme atdhetare të viteve të 90-ta

Nga: Hamzë Morina Më: 10 maj 2018 Në ora: 15:04
Hamzë Morina

I ka ngulë kamt si gomari n’ baltë! Ukshin Hotin e ka përjashtu Dega e LDK-së në Rahovec dhe pikë!!!  Duke vazhduar sërish me thane e t’ thashme se si  e kemi marrë në makinë bashkë me Dervishin filan Kamishin dhe na kanë thënë se dojmë me shku me përjashtu Ukshinin n’ Kuvend të Krushes!  Një Komedi  e llojit të vet që s’ do ti argëtonte as kalamajtë. Tashmë, pas artikujve të vet F. Berishës lidhur me këtë çështje, njeriut që posedon të gjitha dokumentet relevante të kohës lidhur me çështjen e Kuvendit të famshëm dhe sqarimin që dhashë për marrëdhëniet mes Fetahut dhe të ndjerit të asaj kohe besoj se opinioni publik, edhe ata që kanë lindur pas kësaj periudhe, e kanë të qartë manipulimin e "DR" Saliut. Bile në shumë pika ai e demanton këtë edhe vet në reagimin e fundit, duke mos ja lidhur kryet kësaj pune si pjesëmarrës i dretpërdrejtë i këtij Kuvendi, pasi  tregon se ishin nisur për ta përjashtuar Ukshinin,  por në kuvend një propozim i tillë nuk u votua dhe pastaj doli në foltore Ukshini, ku sqaroj se pse në këtë parti më nuk mund të qëndrojë...Parodi e vërtetë. Ai më tutje, thërret zëra nga gazetat e kohës ku  kishte deklarata se kjo parti e kishte izoluar e marifete tjera të shumta , por kurrë një dëshmi se vërtet Ukshin Hotin e kishte përjashtuar Dega e LDK e  asaj kohe në Rahovec. Pra,  edhe vet si dëshmitar okular e dëshmon se Dega e LDK në Rahovec nuk e kishte përjashtuar Ukshin Hotin nga partia. Me sa di unë kjo parti jo atëherë, po as sot, nuk ka përjashtuar askë nga radhët e saj. Por,  pse kjo tezë e "Dr" Saliut sillet në opinione as sot se kam të qartë?! Ndoshta Doktorit  i duket vetja më i madh se ç’ është  duke shpifur për të ndjerin që s’ është më në jetë dhe nën hijen e të cilit pretendon të jetë dikushi?! Apo  vuan nga fobia anti Berishë, kjo e dyta edhe mund të ma mbushë mendjen.

Po pse kaq urrejtje ndaj Fetah Berishës?!

Arsyet duhet kërkuar në fillim, kur policët serbë e rrahin Berishën i cili po shërohej në Spitalin  e Gjakovës e kur "Doktori" e sheh "se sa i zi ishte edhe më i zi ishte bërë"... (citim nga një artikull më i hershëm i Sali Bytyqit).Si duket "Doktorit" të tanishëm e studentit të atëhershëm urrejtja kundrejt F. Berishës ja kishte errësuar sytë! Se pse? Mund ta dijë vetëm ai.

Po si mund të urrehet një njeri që atëbotë torturohej nga sigurimi serb për të vetmen punë,  veprimtarinë politike dhe patriotike në favor të lirisë së Kosovës e Saliun ta ngazëllejë aq shumë?! Vetëm një sadist mund ta përjetojë një gjë të tillë, ky është kulmi i marrëzisë.

Edhepse "Doktor" Saliu e di që F. Berisha ka një Background patriotik që nga burgosja e vitit 1981 dhe stigmatizimi i mëhershëm komunist  kur ky ishte student dhe arsimtar. I persekutuar dhe i ndjekur si askush në komunën e Rahovecit dhe kalimi në Shqipëri, atij i mundëson vetëm shpëtimin e Kokës, veprimtari që do ta vazhdojë edhe në Shqipëri dhe Zvicër, për te ai ishte dhe mbetet një i matufosur. Ky terror i egër serb dihej pse ushtrohej, ashtu si ushtrohej kundrejt çdo patrioti dhe veprimtari në Kosovë.

 Por, përndjekja nuk do t’i ndalet as me rastin e kthimit në Rahovec pas lufte, ku sërish do ta vazhdojë punën, fillimisht si drejtor arsimi e më vonë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, të cilit populli ja jep votën për ta përfaqësuar sërish si para lufte në dy mandate,  po në të njëjtën parti LDK- në e Ibrahim Rugovës.

Derisa para lufte përndjekjen ndaj tij dihet, e bënte aparati policor e ushtarak serb, tash pas kthimit të tij, si për habi përsëri po për të njëjtat "gjynahe" marrja me politikë dhe jo konvertimi në parti tjetër do të jenë sebepi  i kërcënimit  dhe shantazhit  nga  një komision Juridik me "juristë eminentë" i jep urdhër të heq dorë nga veprimtaria politike pacifiste, përndryshe brenda 10 ditësh do të likuidohej. Është gushti i vitit 2001 dhe s’ kishte kaluar shumë kohë nga kur një pjesë e mirë e veprimtarëve të LDK së Rugovës ishin likuiduar e kundër një pjese tjetër ishin shtuar kërcënimet dhe shantazhet. Se kush qëndronte pas tyre, Drejtësia e Kosovës nuk ka provuar ende t`i gjej fajtorët. Se kush mund të jenë ata, nuk dua të paragjykoj?! Por, kur po lexoj shkresën e tillë, njeriu ballafaqohet me një horror të llojit të veçantë që s’ mund ta paramendonte as në filma kriminalë...

Image
(Shiko argumentin "DR" se ndoshta s’ të ka rënë ta lexosh)

Dhe Fetahu mendonte se do të jenë të rinj të frustruar nga lufta apo njerëz që kanë humbur orientimin pas gjithë asaj katrahure dhe nuk ishte marrë fort me ta. Por,  pas 16 vitesh tash del në skenë një "DR" sharllatan dhe shpif për të bëmat e tij të para 25 vitesh. Tash dilema është  e madhe. Pse ndodh kjo sot?! Pse nga një "DR" shkence i cili vegjeton në një institucion prestigjioz?!  Çfarë halli ka ai tash kur Fetah Berisha po jeton në qetësi ditët e pleqërisë me pensionin qesharak që ja jep atdheu për të cilin dha gjithçka. Pse dikush si  hienë përpiqet ta paraqes punën dhe veprimtarinë e tij si anti kombëtare. Kush është ai? Çka kërkon? Pse shpif e mashtron kur gjithçka është e qartë në veprimet e tij politike dhe patriotike?  Dhe në vend që, për diçka të tillë Fetahu të ngrejë zërin me plot të drejtë, ai thotë se nuk do t i fryjë përçarjes, bile ato ditë të kërcënimeve u lutet edhe misioneve të huaja të mos përkujdesen për të.

- Le të më vrasin,- thoshte ai. Unë punën time e kam kryer. A s’ka ndodhur kështu gjithmonë me ne shqiptarët?!...

Kur të gjitha këto si duket janë të qarta dhe opinionisti e shef se ka shkelur në dërrasë të kalbët, i ç’ orientuar fillon me akuza bajate, sharje e shpifje të reja, tash ndaj H. Morinës, i cili ja demanton ato që në opinione i kishte sjellë si "të vërteta".

Akuzat e tij fillojnë me ikjen tonë. Por, ai se ka idenë se kur dhe pse kemi ikur. Vazhdon me  shpifjet e ulëta se ne kishim dekonspiruar dhe ua qan hallin atyre tjerëve për sakrifica në burg, si kasta e tij përçarëse, kur s’ gjejnë argumente trillojnë me konspiracione e teori banale të mësuar nga shkollat e banalitetit partizan. Për këto dhe kërkon përgjigje për t’ua qajt hallin shokëve tanë të idealit për sakrificën në burgje, pa ditur i gjori se logjika e atyre  që bënë këto sakrifica, as që u shkon mendja në marri të tilla. Një idiotizëm i tillë nuk do të duhej të kaplonte njeriun që punon në një institucion prestigjioz si Instituti Albanologjik. Se mund të jenë shtrirë metastazat e krimit ndërshqiptar deri te këto nivele, qoftë edhe si inspirim, kjo do të duhej të ishte një alarm i fortë për intelektualët në Kosovë.

"DR" Saliu mashtrohet kur bazohet në teoritë konspirative me te cilat ka krijuar filozofinë e tij të mbrapshtë dhe kulturën e komunikimit,  për të futur përçarje në stilin partizan për patriotët dhe tradhtarët. Tenton të më demaskoj si jo patriot anipse askund nuk jam thirrur të jem i tillë dhe të mburrem, si komunist  dhe anti luftës çlirimtare dhe këtu rrëshqet. Gjuha e "DR" shndërrohet në gjuhë rrugaçi dhe banalizohet deri në skajshmëri. Ai mendon se edhe njeriu që e mbroj tash F. Berisha në librat e tij nuk ma var, më ka lënë anash, thua se unë i jam ankuar "DR" që të ma ndreq imazhin,  apo do të fus  pykë mes meje  e Fetahut, Çudi? Këtë punë  bën vetëm një fikmagji i ulët dhe një shpirtkeq që ka për orientim përçarjen mes njerëzve. Po a pijnë ujë këto digresione dhe sharje ndër më të ulëtat? Jo,  o "DR" ziu,  ti mendon se me to do dekurajosh intelektin e dikujt që i ka shërbyer me devotshmëri vendit dhe njerëzve të tij. Jo, mor zotëri, këto si bëmë kurrë për t’u mburrur si një pjesë e juaja sot, për grada akademike e përfitime,  por si detyrë humane dhe njerëzore, të cilat si duket te ti janë të panjohura.

"Doktori" futet pastaj llugave për të bëmat e mia si mësues  dhe përgjegjës në arsim në Komunën e Rahovecit në ato vite, duke e cilësuar si punë private krejt misionin për ta mbrojtur arsimin shqip në vitet e 90-ta. Për këtë, s’ duhet koment, opinioni e ka të qartë kaherë këtë mision që "Doktori" ende e paska të mjegulluar. Po ashtu,  edhe veprimi në shtabin Komunal të Ministrisë së mbrojtjes për te është krejt i paqartë.

Ku del se unë paskam mashtruar jo vetëm këta në Rahovec e Prishtinë por edhe ata në Zvicër për punët që kam kryer në atë kohë. Leri more ato pallavra që s’u besojnë as fëmijët e vegjël dhe merru me punën që duke shantazhur e sharë të tjerët mbase ta kanë besuar.

Kam qeshur me një pasues kur shkruan se asnjë drejtor i arsimit s’ është dënuar në vitet e 90-ta dhe se kot paskam ikur në Tiranë. Kjo më përputhet fjalë për fjalë me ato të një bedeli të sigurimit të Serbisë, fatkeqësisht edhe ai shqiptar, i cili pas dy ditësh më qan hallin dhe më thotë se lirisht mund të kthehesha në Kosovë duke përmendur tekstualisht këto fjalë. Tash, pas kaq vitesh largësi,  nuk më habit ky fakt i një mendjetrullosuri. Se pse ngrihet kjo tezë nga "Doktori" sot le ta shtjelloji vet ai, unë s’dua të hyj në gjynah e të them se të dy tashmë,së paku në ato që thonë janë identik. Por,  dije o Sali Dejni se unë isha oficer rezervë në atë kohë dhe detyra ime ishte ti shërbej këtij vendi. Ajo më është kërkuar në  atë kohë dhe unë nuk e refuzova edhepse i dija pasojat. Nëse,  nuk e di po ta sqaroj se gradat dhe çmobilizimin tim e kishin bërë organet e Mbrojtjes territoriale në shtator të vitit 1980, disa muaj para demonstratave të vitit 81 dhe unë në vitet e 90 dukej të isha ndër ata që duhej besuar kjo punë, por gabimi është se nuk t’u kam lajmëruar ty në atë kohë e të raportoj për këtë, por atyre që duhej dhe ishin mjeshtër të zanatit të luftës. Po ato punë i kam bërë, sepse kam qenë i bindur se duhet bërë në momentin e duhur me njerëz të duhur, edhepse e di  pa ndonjë sukses të madh,duke mos i kundruar as si punë të mëdha, siç do të përpiqesh ti t`i kundrosh me ironi, as të vogla; por një detyrim profesional dhe kombëtar kur ju të tjerët ende fshiheshi pas manifesteve të partive motra marksiste- leniniste që do t’ua mundësonin bashkimin kombëtar dhe ndoshta ëndërroni ende!? Gjithmonë pa u mburrur siç po mburren sot shumë gjeneralë e veteranë ,  që as sot s’ dinë ku lidhet  gomari në front se le ma për strategjinë luftarake.

 Për një gjë të falënderoj, lekturimin e kujdesshëm të tekstit të komentit tim të parë . Kjo ndoshta do të ishte puna që do të duhej ta bëje në Institut. Ndoshta në Institut të kanë ngarkuar për lekturimin e teksteve gazetareske, apo ke edhe ndonjë detyrë për ndjekjen për agjitacion e propagandë të njerëzve që nuk mendojnë si ju?!  Unë jam i vetëdijshëm se ka gabime teknike edhe drejtshkrimore që me normat e 72- tës nuk përputhen, s ka gjë. Presim prej jush dhe Instituteve një Reformë gjuhësore, por kështu si ja keni nisur do ta dreqosni më keq.  Më mjafton që opinioni im të ka vetëdijesuar që të mos futesh shumë llugave se mund të mbetesh lakuriq dhe opinioni publik të qesh me ty si me arushën. Te kemi "Doktor shkence" apo?!....

Dy fjalë edhe për atë bisedën e odës që nuk do të duhej ta bëja publike?! Atë që dëgjova atë ditë ishte vërtet shokuese dhe shumë e dhimbshme. Për hir të miqësisë dhe shoqërisë që keni pas me vëllanë tim,  s’do ta nxjerrë asnjëherë në publik, por me të thënë të vërtetën jam skuqur për ju. Po fjalët  tua të budallme se për cilin shërbim punoj unë,  vërtet më kanë habitur. Ma mori mendja se artikulli për kanosje ndaj F. Berishës që ishte botuar ato ditë në gazetë dhe kërcënimet për likuidim të paskan prekur. Miku im i nderuar, ta thash atëherë, dhe po ta them edhe sot, do të publikoj dokumente që flasin për kohën dhe njerëzit kur kam në dorë pavarësisht se dikujt s’do ti pëlqejnë apo se dikush e ka mizën nën kapuç, por kurrë s do të shpif me thash e t thënme, siç bën ti. " Kush e ka ngucë Fatën le të ikë natën",  thotë një fjalë e urtë. Pse, si paske menduar more "DR" se të kërcënohet F. Berisha e të mos flitet e publikohet për to!?  Çka kujtove ti, se shqiptarët janë Bangladesh që të mos guxojnë të publikojnë as kërcënimet që ua bëjnë hienat e hutuara natën!?

Dhe në fund thua, se s do të kesh punë me njerëz që s’ kanë bërë asgjë të hajrit për këtë vend dhe unë ta kthej se as unë nuk dua të merrem kurrë me njerëzit që i kanë bërë keq këtij vendi dhe vazhdojnë t`i bëjnë me shpifje e intriga.

Opinioni  e ka të qartë përditë e më tepër se nga kush po i vjen e zeza Kosovës.

E di që nuk i përfill këshillat, sepse ju dhe kasta juaj jeni të gjithëdijshëm dhe postullati juaj është se vetëm e vërteta juaj është e vërtetë, por s’ mundem pa të sugjeruar që ta vizitosh ndonjë klinikë neuropsikiatrike që të kthjellesh. Sa për akuzat dhe të sharat që ke drejtuar kundrejt meje të jam mirënjohës. Do të isha revoltuar të thoje ndonjë  fjalë miradije. Kur të shan i marri, dije se i ke punët në terezi.

Idiotizmat shko shiti me ata që je mësuar ti krijosh!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test