Mos më bëj dëshmitarë të tmerrit!

Opinione

Mos më bëj dëshmitarë të tmerrit!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 26 prill 2018 Në ora: 07:44
Gani Mehmetaj

Fytyra e mjekes u shkri, humbën edhe të dy engjëjt. Mbeta i ngrirë me sytë e hapur tej mase sikur doja t'i dalloja në errësirën e furrikut tim. Por errësira e pafund nuk ma dha asnjë pamje, asnjë refleks nuk më vinte trurit nga skenat që zhvilloheshin në ndonjë cipë të përgjumur e përtace.

Pastaj pamjet më shumëzoheshin, shtyllat elektrike shtriheshin nga qyteti im deri në qytezën kufitare, nëpër magjistrale, a shina treni, me femra të çnjerëzuara e të mbërthyera, me pamje të trishtuara e fytyra të zbehta prej të vdekuri. Asnjëra nuk i ngjante tjetrës, secila kishte plagë të ndryshme, në pjesë të ndryshme të trupit, njëra kishte fytyrë të mbufatur e të nxirë nga torturat, tjetra fytyrë të zbehtë e të përvuajtur, së tretës vetëm kurora e flokëve i shihej. Një herë m’u bë se e pashë fytyrën e zbehtë të së dashurës sime. Lëshova një klithmë të mbytur, por zëri nuk më dilte. Zgjata duart të kapja fytyrën e zbehtë engjëllore, por se si më ikte, më zhbëheshin edhe figurat e tjera të kolonës së gjatë të të kryqëzuarave. Ndërkaq, diku nga thellësia e trurit më vinte një zë i përmallshëm tenori "Ave Maria" i Luçiano Pavarotit. Ai këndonte e qante, kurse gratë rrinin të mbërthyera me kokë të anuar, heshtja e mistershme me mjegull të hollë i mbërthente nga këmbët te koka.

Mijëra duar grash shtriheshin në qindra kilometra skaj rrugës, duke kërkuar ndihmë, përgjëroheshin, qanin, herë vetëm shikonin me pikëllim, të pafuqishme. I nënshtroheshin fatit, përderisa mjegulla ua mbulonte fytyrën. Mua më largonte nga to një mjet transporti, nuk e kuptoja pse; në vend t'u afrohesha, largohesha, ndërkaq, ato zhdukeshin në horizont, derisa nuk mbetej asgjë nga pamjet e tyre individuale, as nga kolonat kilometrike të shtyllave elektrike që zhdukeshin prapa mjegullës e prapa kthesave të rrugës së asfaltuar.   

Pamja e gruas së mbërthyer e të përgjakur nuk m’u hoq edhe një kohë pasi më lëshoi ankthi. Hëna në të shuar rrinte në skaj të horizontit. Nuk pata fuqi të shihja figurën e fatkeqit në shtyllën elektrike, por e dija se aty duhej të ishte.         

Krismat e kallashit më zgjuan trembshëm derisa isha në kufirin në mes të gjumit e zgjimit. Kërceva instinktivisht në këmbë, të shihja nga udhëkryqi, sikur parandieja më të keqen. Policët shtinin për herë të dytë në viktimën e kryqëzuar. Prapë sytë më shkuan nga dritarja: kalamajtë me gruan të mbërthyer në qelqe shikonin të mpirë. Asnjëri nuk qante, as nuk e lëvizte kokën... 

Pamje më të rëndë nuk kisha parë as nëpër filma. Linçimet nuk më bënin përshtypje para kësaj skene të rëndë, frymëzënëse që të bënte të ulërije. Për herë të parë e të fundit në jetën time iu drejtova Zotit  me pëshpërimë: ”Zot ma merr shpirtin! Mos më bëj dëshmitarë të tmerrit!” Dridhesha.

Qaja më zë. Kapa kokën me duar.    

Policët nuk u kënaqën me poshtërimin e viktimës para familjes, nuk u ngopën me dhunën që ushtruan ndaj tij, por e vranë në kohën kur gruaja fatkeqe mbase priste t’ia kthenin burrin të gjallë pas poshtërimit mizor.

Ecja nëpër furrikun e ngushtë gjysmë dite pa gjetur prehje. Po fati i gruas e dy fëmijëve? Po kufomën ku do ta dërgonin? U ktheva dikur: kufoma qëndronte aty me kokë të lëvarur e pamje të shpërfytyruar. Në dritare nuk rrinte askush. Policët pinin të qetë para shitores.

Në mëngjesin tjetër nuk e pashë kufomën, nuk pati as njolla gjaku. Vendi i krimit qe fshirë, skena e dramës tragjike nuk ishte më si të mos kishte qenë kurrë. Por shtyllën  elektrike nuk e shkulën. Kryqi i torturave qëndronte i patundur. Një fluturim pikiato i një avioni të NATO-s si në filmat e luftës do ta bënte rrafsh shitoren, shtyllën elektrike me policët -cerberë para derës së ferrit.     

Tërë javën, me të rënë muzgu më fanitej pamja e fytyrës së zbehtë të mjekes. Nuk më shqitej as natën, ia shihja buzët që i pëshpëritnin, më vinte zëri i saj si jehonë e një klithme të mbytur, më dilnin para sysh dy engjëjt që i silleshin përreth. Prapë më shumëzohej figura e saj, ajo shtrihej në qindra e mijëra trupat e kryqëzuar në shtylla elektrike, pemë, shtylla telefoni.  "Shën Mëria e mbërthyer në kryq,  Shën Mëria e çnje...", nuk guxoja ta nxirrja deri në fund këtë fjalë blasfemie nga goja. Kisha makthe, mundimet sa vinin e më shtoheshin, ndonjëherë më ikte ky delir që më lodhte, ndonjëherë kaloja kriza deliri. E shihja tërë botën të mbërthyer në kryq, shihja ushtarë armiq se si qeshnin, zgërdhiheshin dhe ndiqnin në euforinë e tyre vrastare me krisma pushkësh. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat