Shqiptarët dhe shteti ligjor

Opinione

Shqiptarët dhe shteti ligjor

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 22 prill 2018 Në ora: 18:40
Abdulla Mehmeti

Tranzicioni ndër shqiptarët gati sa nuk e ka arritur jetëgjatësinë e regjimit komunist; përderisa komunizmi zgjati nga viti 1945 - 1990 (45 vjet), tranzicioni po e përfundon dhjetëvjetëshin e tretë (1990 - 2018) dhe po i afrohet me jetëgjatësi regjimit komunist.

Dallimet janë tepër të vogla, të kufizuara vetëm në sferën e lirësë së fjalës dhe të mendimit (jo gjithherë), në qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit, në zbatimin e sistemit shumëpartiak, ndërsa esenca nuk ka ndryshuar aspak në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të shqiptarëve.

Atëherë thuhej: "popull - parti, jemi një", ngjashëm thuhet e veprohet edhe sot, me një dallim sa edhe populli tani është ndarë sipas përkatësisë partiake.

Atëherë kishte një klasë politike të privilegjuar, të quajtur ,,bllokmenë", sot ka një klasë politike më të korruptur dhe kriminale se e para, të njohur si ,,oligarkë".

Atëherë mbaheshin zgjedhjet për pushtet pa i pyetur qytetarët për bindjet e tyre, sot falsifikohen zgjedhjet dhe blehen mandatet me votat e qytetarët (të manipuluar, ose për nevoja ekzistenciale).

Atëherë, për fatin e popullit vendoste vetëm një elitë politike (diktatori dhe komitetet e partisë), sot vendosin liderët dhe mafia (nëntoka kriminale).

Atëherë, u merrej toka pronarëve dhe bëhej shtetëzimi i tyre, tani uzurpohet, merret toka dhe pasuritë e shtetit, nuk u kthehen pronarëve të tyre (qytetarëve), por u shiten të huajve (toka, deti, pasuritë, burimet).

Atëherë, kundërshtarët politikë dënoheshin, internoheshin dhe burgoseshin (disa edhe vriteshin) nga regjimi; edhe tani kundërshtarët politikë dëbohen nga shteti, izolohen ose vriten, pa të drejtë të mbeten gjallë qoftë edhe nëpër burgje, si rrezik potencial për t'ua marrë pushtetin.

Atëherë kishte „monogami“ të pushtetarëve me sigurimin e shtetit dhe „bigami“ mes pushtetarëve dhe agjenturave të shteteve të të njëjtit bllok ideologjik, tani funksionon „poligamia“ e oligarkëve me shërbimet sekrete të gjithë botës, vetëm për realizimin e interesave të tyre.

Qytetarët, atëherë nuk kishin të drejtë t'i shfrytëzojnë pasuritë, begatitë dhe të mirat e shtetit, nga kjo e drejtë janë të privuar edhe sot shumica e qytetarëve.

Shteti i së drejtës nuk funksionon, pushteti është kapur nga nëntoka kriminale dhe mafia, kriminelët e kanë plaçkitur pa mëshirë pasurinë e shtetit dhe qeverisin me atë si pronë të veten; ia shesin kujt të duan dhe kur të duan, pa pasur asnjë pasojë ligjore dhe përgjegjësi penale.

Ky lloj pushteti nuk u duhet shqiptarëve, sepse nuk u shërben interesave të tyre, i shkel dhe kufizon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, prandaj, ky pushtet si i tillë duhet të rrënohet nga themeli për të ndërtuar shtetin e ri të qytetarëve të lirë, në interes të progresit, paqes dhe sigurisë së vendit.

Kush thotë se kjo është demokraci? Ky tip i demokracisë që u shitet shqiptarëve është nëna e së keqes, është pushtet i krimit të organizuar, më i zi se diktatura komuniste. Shqiptarët kanë nevojë për demokraci të mirfilltë, me frymë perëndimore, për shtet ligjor dhe barazi të plotë, për liri të plotë, mirëqenie dhe progres.

Shqiptarët kanë më tepër nevojë se çdo popull tjetër për SHTET LIGJOR, por këtë nuk mund ta ndërtojnë vetëm me forcat e veta, para së gjithash pa pastruar mirë me të kaluarën komuniste, tanimë është e qartë, edhe pa e pastruar skenën politike nga bandat kriminale të periudhës së tranzicionit, të ndërruar në përbindësh për qytetarët dhe funksionimin normal të shtetit.)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat