Zgjedhjet e reja parlamentare në Republikën e Kosovës, janë të domosdoshme!

Opinione

Zgjedhjet e reja parlamentare në Republikën e Kosovës, janë të domosdoshme!

Nga: Nehat Hyseni Më: 22 prill 2018 Në ora: 10:50
Nehat Hyseni

Raporti i Progresit i këtij viti, ashtu siç ishte testi i PISA-s i vitit të kaluar për të arriturat në lëminë e arsimi, realisht ishte një pasqyrë e të arriturave të gjithëmbarëshme të Republikës së Kosovës në fushat e arsimit, gjyqësisë, shëndetësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, demokracisë, mirëqeverisjes, etj. 

Për fat të keq, në të gjitha këto lëmi, Raporti i Progresit i Unionit Europian konstatoi ngecje, mosavancim, madje edhe kthim prapa.

Kurse, Shqipëria dhe Maqedonia u shpërblyen për të arriturat e tyre, me marrjen e ftesës për fillimin e negociatave rreth plotësimit të kushteve për anëtarsim në BE.

Askush nuk ka mundur ta merr me mend se Republika e Kosovës nëntëmbëdhjetë vjet pas çlirimit nga Serbia dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë do të mbetet i vetmi shtet në Europë, populli të cilit është i izoluar si në karantinë, që mbahet jashtë mundësisë së udhëtimit pa viza nëpër Europë, thuajse bëhet fjalë për një pjesë të infektuar apo të kontaminuar, që mund ta rrezikoj apo kontaminoj Europën.

Republika e Kosovës, pra, ka arritur deri në atë derexhe, sa që konsiderohet rrezik për Europën!

Kush është fajtor për këtë katandisje, për faqe të zezë, të Republikës së Kosovës?

Natyrisht se pak a shumë, fajtorë jemi të gjithë ne. 

Por, dorën në zemër, fajtorë kryesorë për këtë gjendje të turpëshme në të cilën është degraduar e zezuar ky vend i bekuar, është “meritokracia” aktuale, që është duke e qeverisur Republikën e Kosovës në bazë të “meritave të luftës”. Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar, Kosovës iu kompletua “triumvirati i çlirimtarëve”, Thaçi-Haradinaj-Veseli, që realisht paraqesin garniturën më të padenjë dhe më të rrezikëshme të këtij vendi, që Republikën e Kosovës do ta largojnë nga të gjitha rrjedhat civilizuese dhe nga proceset demokratike euro-atlantike.

Ata, Republikën e Kosovës do ta zhysin deri në fyt në krim e korrupsion, meqë e konsiderojnë atë si “plaçkë lufte”, duke pretenduar se ata e çliruan këtë vend dhe u vetshpallën si “çlirimtarë”.

Sipas logjikës se ata e dëbuan Serbinë nga Kosova dhe gjithçka në këtë vend u takon atyre, duke filluar nga pasuria dhe pronat mbi të gjitha asetet publike e private e këtij vendi, e deri te liria dhe të drejtat njerëzore të qytetarëve të saj.

Kështu, busolla apo orientimi i qeverisjes së tyre u distancua dhe u largua e u ndaj nga koncepti euro-atlantik i qeverisjes, duke vendosur “Murin kinez”, si vi ndarëse dhe refuzuese të parimeve themelore të demokracisë së mirëfilltë europiane. Qeverisja e këtij “triumvirati” të “krahut të luftës” është karakteristik për qeverisjet mafioze Latinoamerikane, si psh Bolivia, Çile, Peru, etj. që janë të ngulfatura nga krimi e korrupsioni dhe ligjin e bëjnë atje bandat mafioze që kontrollojnë vendin.

Prandaj, Republikës së Kosovës duhet t’i ndihmohet për të dalur nga ky qorrsokak, duke iu kthyer asaj një qeverisje e re, që udhëhiqet sipas parimeve dhe vlerave të demokracisë euro-atlantike, që do ta çoj këtë vend drejtë integrimeve të mirëfillta, në familjen e shteteve dhe popujve me demokraci të avancuar dhe me standarde të larta të mirëqenies popullore dhe lirive e të drejtave të garantuara të të gjithë qytetarve të saj.

Prandaj, zgjedhjet e reja parlamentare në Republikën e Kosovës janë të domosdoshme dhe çdo ditë e qeverisjes aktuale, realisht paraqet kohë të humbur dhe kthim prapa e regres të këtij vendi të bekuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat