Nada rrëfente për bombardimet, luftën dhe burrin e saj polic

Opinione

Nada rrëfente për bombardimet, luftën dhe burrin e saj polic

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 prill 2018 Në ora: 08:20
Gani Mehmetaj

Natën e dytë nuk erdhi deri në mëngjes. Jashtë kishte më shumë lëvizje. Bastiseshin  shumë apartamentet të shqiptarëve, pëshpëritej sikur endeshin terroristët nëpër hyrje e banesa. Gjatë kohë e prita, pasi u ktheva nga strehimorja. Dikur më lodhi gjumi. Nuk e dëgjova ardhjen e tij. Më dërmoi frika e bombardimeve.

Çfarë t'u them për bombardimet? Alarmi ajror na mobilizonte t’ia mbathnim në strehimore. Gjithnjë shkoja vetëm, burri në atë kohë ishte në shërbim. Luftën e urreja, i urreja bombardimet, e urreja strehimoren, i urreja shqiptarët që na e sollën luftën, e urreja tokën që na e premtuan e na mashtruan, i urreja gratë e kombit tim që qanin e frikësoheshin në çdo lëvizje në errësirë. Strehimorja, ku fshiheshim çdo natë me të filluar tingulli i alarmit ajror ishte një hapësirë që ta zinte frymën, me gra grindavece e të frikësuara, me disa burra të moshuar që rrudheshin si të binin bombat mbi kokat e tyre të të shogëta. Ndërkaq, fëmijët më bënin nevrike, nuk pushonin asnjëherë. Flisnin e kërkonin gjësende në sikletin më të madh, ose nisnin e klithnin si t’i therte dikush në fyt. Mbase më mirë të dëgjoja klithmat e tyre se sa të na e çanin timpanin e veshit shpërthimet e predhave. Predhat i përgjonim sy e vesh, hamendësonim e përpiqeshim të kapnin ku plaste, cilin objekt qëlluan? Asnjëherë nuk qemë të sigurt. Disa thoshin është kazerma e ushtrisë në periferi të qytetit, tjetri e kundërshtonte jo është depoja e municionit në Hajvali a Graçanicë. Kur largoheshin zhurmat e shpërthimeve, përpiqeshim të kapnin edhe shpërthimet në Kurshumli e tutje nga Nishi.

Vonë vinte burri në banesë, pak para se të agonte. Ia kriste gjumit i dërmuar. Më vinte keq për të, shteti kërkonte shumë nga rezervistët. Para se të binte muzgu e mbërthente uniformen dhe nisej në detyrë. Gjithnjë frikësohesha se do ta vrisnin. Ai pinte gjithnjë e më shumë. Ndonjëherë bëhej agresiv...  

Sa ka ndryshuar Strahinja im, nuk do ta njihnit. Dikur më bënte lajka, më miklonte, më premtonte.  Kaluam ditë të lumtura. Pastaj çdo gjë mori rrokullimën. Shkonte nëpër ca tubime, nuk ia varte punës në ndërmarrje. Nuk e fshihte urrejtjen ndaj shqiptarëve, në ato tubime ku shkonte vetëm për këto gjëra flitej. Kemi dy djem binjakë në shkollë të mesme. Unë jetoja vetëm për ta. "Zot, m’i ruaj nga e keqja!", e lusja Zotin. Nuk isha besimtare, nuk shkoja asnjëherë në kishë, nuk shkonte as burri, edhe pse disa nga hyrja jonë nisën të shkonin.

Ai e shante Zotin, kur bëhej nervoz. Në këtë çmenduri bëmë mirë që dy binjakët  para se të nisnin luftimet i nisëm në Serbi. Druanim për jetën e tyre. Këtu e ndienim veten të huaj. Bashkëjetesa, sikurse e quanim, nuk funksiononte as më parë. Ata nuk na donin. Edhe pse s'na e thoshin, e kuptonim që jemi të tepërt. Ku të shkonim? Këtë tokë na e premtuan. Erdhëm, u vendosëm në të, krijuam familje, na e dha ndërmarrja ku punonte burri banesën, morëm kredi për veturën "Zastava". 

Në këto rrethana përpiqeshim të jetonim e të punonim si të mos ndodhte asgjë. E mashtronim veten, sepse asgjë nuk rridhte rrugës së normalitetit. Plasi lufta. Prisnim në radhë për bukë, shitoret e gjërave ushqimore u zbrazën, pos rakisë së lirë e cigareve që kundërmonin nikotinë të kalbur, vështirë të gjeje diçka tjetër si dikur. Frikësoheshim nga bombardimet, flitej se na kërcënonin shqiptarët me hakmarrje, pritej që terroristët do të zbrisnin nga malet e do të na prisnin në fyt. Jetoja me frikë.

Sa e harroja frikën nga shqiptarët, mendoja për burrin që po më largohej gjithnjë e më shumë. Tërë kohën dyshoja në sjelljet e tij. Një herë më solli stoli ari, për të cilat tha se i gjeti në rrugë. Argjendarinë e plaçkiti dikush, ndërsa u paska rënë kjo stoli, një qafore e shtrenjtë dhe e rëndë. Herën tjetër e solli një video, të cilën vetëm mund ta ëndërronim, sepse para për të nuk kishim, ishte prodhim i huaj që blihej me marka. Dyshoja se këto gjëra gjendeshin në rrugë, porse si më dukej: të gjithë plaçkitnin, ose i merrnin nga dyqanet e shqiptarëve. Ata ia mbathën përtej kufirit, nuk u hynin më në punë, kurrë më s'do të ktheheshin. 

“Po nuk i mori burri im, do t’i merrte dikush tjetër”, e kapa veten duke arsyetuar, sepse gjërat e shtrenjta e të mira më pëlqenin, i patëm mall kohë të gjatë, me rrogat tona nuk e mbushnim apartamentin me mobile e aparate të shtrenjta. Të gjitha këto do t'i përbuzja sikur ta kisha burrin çdo natë në shtëpi, sikur të  mos mungonte net me radhë. Ku e bënte natën? Me se merrej?

Ndaras me burrin jetova edhe vitin e kaluar kur nisi ofensiva kundër shqiptarëve në Dukagjin e në Drenicë. Me t'u kthyer dukej ndryshe, më i vrazhdë, më i përhumbur, por edhe më agresiv. Fliste për vrasje, tregonte për bëma, kërcënonte se të gjithë do t’i zhduknin. Qarkullonin fjalë se burrat tanë çnjerëzuan gratë e tyre. Kjo gjë më rrëqethi, me zemëroi gjatë, por nuk ia thashë. Nuk do ta pranonte edhe po ta pyesja, vetëm sa do t’i acaronim raportet tashmë të acaruara. Nisa të arsyetoja: ku e dija unë që ai ka përdhunuar? Nuk e bënte burri im këtë gjë, i njihja unë burrat lapërdharë, u tregonin sytë lojcakë e sjelljet e pista. Ai nuk do ta përdhunonte asnjë femër, ai nuk më tradhtoi asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat