Si diplomatët, ashtu edhe politika e jashtme

Opinione

Si diplomatët, ashtu edhe politika e jashtme

Nga: Prof.Dr. Mehdi Hyseni Më: 18 prill 2018 Në ora: 00:38
Mehdi Hyseni

***  Në shtetet e mirëfillta, diplomacinë  dhe politikën e bëjnë ata që dinë, që kanë kryer studimet  përkatëse për këto disiplina shkencore, jo puthadorët dhe diletantët e privilegjuar të pushtetit siç po ndodh në Kosovë (2008-2018).

Ky observim i Ramush Haradinajt është i pranueshëm, sepse Kosova nuk mund të ketë politikë të jashtme të suksesshme (derisa në strukturën e aparatit të saj ka një numër të madh inkompetentësh), sepse, pikësëpari nuk ka të përkufizuar interesin kombëtar dhe objektivat prioritare strategjike.
 
Natyrisht, Kosova nuk ka, dhe nuk mund të ketë politikë të jashtme të suksesshme, sepse i mungon baza e politikës së brendshme. Më thjesht, nuk mund të ketë politikë të jashtme pa politikë të mirëfilltë  të brendshme.  Kjo, pikësëpari ndodh për shkak të mungesës së kuadrove të afta përkatëse profesioniste, përkatësisht  për shkak të përzgjedhjes negative dhe  nepotiste të tyre. Gjithashtu, nuk mund të ketë politikë të brendshme të suksesshme  pa bazën e qëndrueshme dhe të  zhvilluar ekonomike  të  shtetit.
 
Prandaj,  kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj  me të drejtë ka pohuar se “Kosova nuk ka politikë të jashtme…”. Por, kryesorja “diplomatët”   dhe dekretuesit e tyre jetojnë për mrekulli me paga, me favore dhe me privilegje të ndryshme, pavarësisht nga të metat dhe mungesa e rezutateve  dhe e suksesit të tyre të përbashkët si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë jashtme.
 
Ky konstatim i Haradinajt, është më se i vërtetë se Kosova nuk ka kurrfarë politike të jashtme. Së  pari, i mungon substanca profesioniste ngase “superstruktura” e saj është e ndërtuar mbi bazën e “infrastrukturës” nepotiste, provincialiste, burokratike, ideologjike, oligarkike, feudale dhe partiake. Së dyti,  Kosova nuk ka sovranitetin e plotë as të brendshëm e as të jashtëm.
 
Mirëpo, kjo është pozitive për Kosovën, sepse pa mbështetjen e Amerikës dhe të aleatëve të saj  evropianë perëndimorë, shteti i Kosovës nuk do të mund të “mbijetonte” si i tillë ngase Serbia me Rusinë, do ta gllabronin brenda natës. Këtë të vërtetë, tanimë e dinë  edhe zogjtë e malit.
 
Duke qenë se, sipas Haradinajt   Kosova nuk paska politikë të jashtme, atëherë, pse gjithë ato shpenzime  enorme dhjetëvjeçarev(2008-2018) për ambasadat dhe  për konsullatat e saj nëpër vende të ndryshme të botës? –Çfarë dobie paska Kosova prej tyre dhe, kujt i duhen ato, veç atyre që u ka “rënë miza në mjaltë” pa pritur dhe pa ëndërruar ndonjëherë, se prej lopëve, prej dhive, prej pazareve të gjedheve dhe  të specave, do të bëheshin ambasadorë  dhe diplomatë të Kosovës.
 
Nuk ka politikë të jashtme pa politikë të brendshme të suksesshme
 
Pra, nuk mund të bëhet fjalë për suksesin dhe për të arrirat e politikës së jashtme pa përkufizimin e qartë strategjik të interest nacional  dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.

Për më tepër as politika e jashtme e as ajo brendshme nuk mund të kenë kurrfarë suksesi as në planin e brnedshëm, as në atë ndërkombëtar, kur në ballë tyre ndodhen  diletantët dhe matrapazët e grupeve dhe të partive të ndryshme politike, që nuk njohin interesin e përgjithshëm nacional, por vetëm interesin personal dhe grupor, partiak, si dhe llogarinë e tyre mafioze korrupcioniste dhe oligarkiste si instrumente kryesore  të luftës së tyre për pushtet dhe për t’u pasuruar në kurrizin e popullit dhe të Kosovës. Kjo është substanca dhe emëruesi i përbashkët i politikës së jashtme dhe i politikës së brendshme të Kosovës (1999-2018).
 
Pa ndërlidhjen strategjike të interest të përgjithshëm nacional me interest vitale të shtetit, siç janë siguria, rendi, mbrojtja, shteti  i së drejtës, zhvillimi ekonomik, demokratik, arsimi, shkenca , kultura etj., si dhe lufta juridiko-ligjore permanente kundër dukurive kancerogjene siç janë “armata” e  injorancës, të papunëve ( mbi 40%), e varfanjakëve (40%),  krimi i organizuar, korrupsioni dhe shfrytëzimi i egër të shumicës dërrmuese të qytetarëve,  Kosova nuk do të ketë as politikë të brendshme e as politikë të jashtme të suksesshme, por, do të mbetet një nga shtetet më të pazhvilluara dhe më të varfëra të botës.
 
-Pa asnjë rezultat konkret në praktikë, vetëm brohoritja dhe përsëritja deklarative  e sloganit propagandistik nga papagajtë e politikës ditore,  se “Kosova është përcaktuar për strukturat euro-atlantike”,  nuk mjafton që  të përkufizohet  dhe të jetësohet interesi nacional në strategjinë  e politikës së jashtme me gjithë mbështetjen e madhe dhe të parezervë të faktorëve relevantë evro-perëndimorë dhe ndërkombëtarë siç janë BE-ja, NATO-ja dhe Amerika. 

Për të mos rënë gabim të përdorimit të termave politike,  duhet pasur kujdes në përdorimin e sintagmës  së interest  të përgjithshëm nacional shqiptar, që të mos barazohet me sintagmën e interesave multinacionale të BE-së, sepse kjo ka shumë interesa të shteteve-anëtare të saj, Jo vetëm një interes kombëtar  sikurse Shqipëria Etnike (hëpërhë Kosova e Shqipëria londineze).
 
Prandaj, si në kuptimin logjik, ashtu edhe në atë teoriko-praktik dhe pragamtik, politikën dhe diplomacinë e BE-së, duhet kuptuar dhe përqartësuar vetëm si partner dhe instrument poetncial dhe racional mbështetës, që pritet ta ndihmojë jetësimin e interest të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të shqiptarëve në Ballkan.
 
Me qatipë, me qebapçinjë dhe  me zanatçinjë  nuk ka diplomaci e as politikë të jashtme
 
-Keni dashur matrapazë, ilake, injorantë dhe “bisht pas gardhi” me “kurse të natës”, ndaj, qysh e keni “ mbjell?ë, po e korrni” sot, dhe, do ta korrni, edhe nesër.  Në vend se me kohë (menjëherë pas luftës) t’i angazhonit kuadrot e  gatshme të specializuara për politikë, për diplomaci, për politikë të jashtme dhe për drejtësi,  sundimtarët e rinjë krahinaristë të prirur (sipas mahallave, partive, klaneve, grupeve të ndryshme të interest) rekrutuan dhe favorizuan të afërmit e tyre, me qëllim që “brenda natës” të fabrikonin  kuadro fiktive politike, diplomatike, ekonomike dhe juridike.
 
Në kohë paqeje, kjo ishte strategjia e seleksionimit negativ burokratik dhe autoritar e kuadrove fiktive, me qëllim që të  diferenconin kuadrot e gatshme të specilaizuara dhe me ekperiencë në fushën e drejtësisë, të politikës, të diplomacisë dhe të ekonomisë.  Ky lloj izolimi  i kuadrove, të arsimuara (para lufte) nëpër univeristetet e  njohura të RSFJ-së (1970-1999), ishte vazhdim i diferencimit, i izolimit dhe i diskreditimit të kuadrove të specializuara ushtarake shqiptare (oficerë, togerë, kolonelë, kapitenë dhe gjenralë), me qëllim të falsifikimit të historisë së luftës së UÇK-së dhe të pavarësisë së Kosovës (1989-2018).
 
Së fundi, pa ndryshime  rrënjësore   dhe reforma të thella  në sistemin  politiko-shtetëror dhe shoqëror, nuk mund të priten rezultate as në sferën e politikës së brendshme  e as në atë të jashtme, sepse   shteti demokratik dhe i së drejtës nuk mund të ndërtohet, të zhvillohet dhe të modernizohet  vetëm me  "ushtri terciare" (marangozë, berberë, axhustatorë, muratorë, hallvaxhinjë, burekgjinjë, qebpaçinjë... etj.).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat