Ndryshime pozitive në statusin e emigrantit

Opinione

Ndryshime pozitive në statusin e emigrantit

Nga: Frrok Vukaj Më: 17 prill 2018 Në ora: 10:39
Frrok Vukaj

Pas vizitës së parë në ndërrimin e viteve 2012 – 2013 në disa fshatra e qytete të Greqisë përfshire Athinën e Akropolin , kjo është vizita e dytë. Më joshi e më mundësoi këtë vizitë shoku dhe miku im, baxhanaku Viktor Lika, i cili erdhi në Shqipëri bashkë me gruan dhe djalin për të festuar Pashkët Katolike. Këtë herë isha më i familjarizuar për ta zgjeruar rrethin e të njohurve dhe për t’u informuar më mirë me problemet e emigrantëve.

Qysh në fillim të këtij shkrimi dua të pohoj me kënaqësi se përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri – Greqi ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin konkret të statusit së emigrantëve që janë të shumtë dhe me shtrirje gjeografike. Shqiptarët, sidomos familjarët, e kanë rritur kredibilitetin e besueshmërinë tek grekët. Gjithnjë e më shumë po integrohen në jetën ekonomike – shoqërore. Të dy palët e kanë kuptuar se mund të rritin sukseset nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë e respektin ndaj njëri – tjetrit. Kjo është një vlerë e shtuar e me interesa të ndërsjella. Urat e komunikimit kanë ardhur duke u forcuar pas shumë luhatjesh e paragjykimesh. Përfitimet e dyanshme kanë qenë produktive për të dyja palët. Mund të thuhet pa frikë se ky partneritet solid është formësuar nëpërmjet punës ; kjo një dukuri e re. Kjo klimë pozitive është përcjellë deri në organet më të larta të qeverisë Greke e cila ka sjellë refleksione të drejta e pozitive. Tashmë janë krijuar lehtësira për pajisjen e emigrantëve me pasaporta e leje qëndrimi. Këto lehtësira kanë joshur dhe rikthyer shumë emigrant që kishin humbur këtë status.

Nuk ekziston më ajo gjendje e frikshme e poshtëruese e viteve të fillimit … Pothuajse të gjithë e ndjejnë veten të qetë e dinjitar, enden cep më cep pa ndrojtje e ngurrim. Kjo është domethënëse e tregon shumë në këtë realitet krejt të ri e me të drejta afërsisht 100% të barabarta me vendasit.

Problemi i njohjes së vjetërsisë në punë e i pensioneve është në rrugën e zgjidhjes, drejt finalizimit. Jeta social – ekonomike ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit ndonëse me sakrifica. Emigrantët me letra prej 5 vitesh përfitojnë përkrahje sociale dhe bonuse njëlloj si vendasit, kur kanë të ardhura të pakta. Këta familjarë marrin mesatarisht 200 – 300 euro në muaj, gjysma e tyre ushqime e pjesa tjetër u kreditohet në bankë. Në rast papunësia kjo shumë arrin deri ne 500 euro, madje u kompensohet me 70% energjia elektrike. Shërbimi mjekësor është falas dhe shteti përballon vlera monetare të konsiderueshme.

Gjelosh Biçaku nga Lummardhi i Pukës me probleme shëndetësore na shpjegon me detaje e pasion për pagesat e paaftësisë, por edhe përballimin e shërbimit shëndetësor deri ne 100,000 euro për 1 person. Arsimi Para universitar është falas, bilës edhe librat e transporti nga fshatrat më të largëta për në shkolla. Në klasat e Ciklit të Ulët aplikohet edhe një vakt ushqimi falas. Nga këto lehtësira përfitojnë edhe nxënësit shqiptarë, por shumë prej tyre mezi e flasin gjuhën amtare. Krijimi i mundësive për hapjen e Shkollave Shqipe me mësim plotësues do të ishte një vlerë e shtuar e politikës greke, e njohur kjo edhe nga Konventat Ndërkombëtare. Për të arritur në përfundime sa më objektive, vizitat dhe kontaktet e mia këtë radhë ishin më të shumta e më të plota. Po veçoj disa prej tyre :

Në Ipad (ish komunë), Lutra, Likno, Laskuvi, Peristeri, Pirgu, Spehiolla – Makronomi, Lanios, fshatra të tjera për në Karpenis, Virgjini, Lamia, Volos, Selanik etj.  Festa e Pashkëve Ortodokse qe një rast i mirë për njohje të reja, vizita e miqësi.

Takova grekë e shqiptarë nga shumë krahina të Shqipërisë : Vangjel e Pandeli Koçollarin, Gjovalin e Gjelosh Biçakun, Sokol Memën, Baçi e Dhurata Hoxhën, Dhimitër e Violeta Dimojani etj. Të ngrohta e miqësie vizitat në familjet e Artur e Xhvahire Likes, Nikolin e Violeta Smajlit.

Për marrëdhënie qytetarie, për mikpritje e bujari, për punë të ndershme dhe ndjenja humane shquhej dhe familja e Viktë Likës. Pashkët Ortodokse i festonin me kurban e vizita edhe besimtarët katolik dhe mysliman.

Rritja e nivelit ekonomik është pasqyruar me ndryshime edhe në nivelin social – kulturë. Përveç bujqësisë kanë filluar punësimet edhe në industri, tregti, shëndetësi, arsim e sektor te tjerë, por më me pakicë. Besmir Lika vazhdon studimet në Athinë për gazetari, por paguhet edhe në një biznes privat. Silvana Lika ka mbaruar gjimnazin e punon me tregti, aspiron e përgatitet për studime universitare jashtë shtetit. Arbër Lika mekanik prej vitesh në një firmë private. Mund të numërosh e të shtosh edhe shumë emra të tjerë, por e ndjeva veten keq kur një kamerier rreth 20 vjeçare mezi fliste shqip (i lindur në Greqi).

Duhet të theksoj edhe njëherë krijimin e një klime pozitive mes grekëve e shqiptareve. Për model mund të përmendim familjen Lika e Vasilinikolos. Për këtë e të tjera kam folur edhe në një shkrim të botuar në disa media në janar të vitit 2013. Plaku Panajot ka ndërruar jetë para 2 vitesh. Asnjë ftohje nuk ndodhi midis këtyre 2 familjeve, pë miqësia vazhdon. I takuam në ditën e Pashkëve : çiftin Jani e Theodhora e vajzat , Eleni e Vasho, një familje intelektuale që jeton në Athinë. E motra e Janit, Karula e qeshur e komunikuese, është pedagoge në një Universitet me emër. Më bëri përshtypje ngrohtësia dhe sinqeriteti i tyre. Vasho, nxënëse në 9-vjeçare, dinte  4 gjuhë të huaja ; përqafonte Linën, gruan e Viktorit, si ta kishte nënë. Familja Lika, deri kur bleu një shtëpi 2 katesh, banoi në shtëpinë e grekut, tashmë e ri konstruktuar për bukuri. Favoret nuk kanë ndryshuar; administron për nevojat e veta pa ndonjë detyrim 7 hektar tokë e punon me zetorin e dhuruar para vitesh, por edhe këta janë mirënjohës ndaj familjes greke. Në shumë zona popullsia ka lëvizur drejt qyteteve ; shikuam fshatra e plot shtëpi pothuajse të braktisura. Kjo dukuri ka shtuar kërkesën për fuqi punëtore e shqiptaret janë më të preferuarit për punë, për administrator e mbikëqyrës të këtyre pronave. Grekët e vetmuar në fshatra përpiqen t’i punojnë tokat vetë e me ndihmën e fëmijëve e emigrantëve. Me gjithë luhatjet e tronditjet sociale vazhdon lidhja me trojet e pronat e të parëve. Ata të moshuar, të rënduar nga vitet, janë dëshmi e këtyre lidhjeve të zbehura vit pas viti, por jo në bujari. Në Laskuvo, Janis Maklara na dhuroi 6-7 kg raki e verë. Viktori kishte shumë të njohur dhe gëzonte respekt.

Ai më shpjegon se Theodhor Belkos, dikur ish-shoqërues i Kryeministrit Grek, i kishte dhuruar 150 litra verë me rastin e hyrjes në shtëpinë e re. Favorizuese për një  jetë më të mirë janë rrugët e asfaltuara deri në fshatin më të largët, ujët e pijshëm në çdo shtëpi madje dhe shumë çezma publike, platit (sheshe) pothuajse në çdo qendër fshati, ndriçimi publik i kënaqshëm, por edhe çmimet me tarifa të përballueshme për popullatën. Ne përfundim të këtij shkrimi dua të kujtoj vizitat e bukura në pikën turistike Karpenis e ato në Volos e Selanik. Në të parën më shoqëroj me makinë Silvana, ndërsa në të dytën Besmiri me tezen e kushërirën e tij, respektivisht Dila e Teuta. Motër e vëlla zotëronin mirë gjuhën greke, por nuk kishin harruar as shqipen, as rrethin familjar e shoqëror, as Shqipërinë. Vizitat e tyre në atdhe janë të përvitshme. Besmiri, si gazetar i ardhshëm, na shpjegon me pasion edhe për situatën e brishtë në rajon, për historinë, gjeografinë, problemet sociale e jetën e emigrantëve.

Janë këto që thashë e të tjera që lidhin e miqësojnë popujt ; politika duhet t’i promovojë e forcojnë këto lidhje shekullore, duke zgjidhur me pjekuri e mirëkuptim reciprok disa probleme të mbetura pezull prej dekadash.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat