Ligësia e torturuesve

Opinione

Ligësia e torturuesve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 16 prill 2018 Në ora: 07:37
Gani Mehmetaj

Athua çfarë bënin kalamajtë që e prisnin ushqimin dhe babaziun? Nuk e mora vesh asnjëherë. Hoqa mendjen nga kjo skenë, sepse druaja që do të më mbërthente ndonjë krizë nervash.       

Viktima të linçimit zakonisht binin hallexhinjtë. Disa ditë më vonë ra në kurthin e bjerrakohësve para shitores fatkeqi tjetër. Pa të keq, u fut në shitoren gjysmë të zbrazët, e pashë futjen e tij me drojë. Asnjë bjerrakohës nuk ishte para shitores, por e dija që aty diku ishin. Sigurisht i kërkoi shitësit pako cigaresh, biskotë a sallam, ndonjë kavanoz xhem apo gjëra të kësaj natyre. Zëri e shqiptimi e tradhtuan. Nuk e fliste mirë gjuhën e tyre. Shitësi syhapur e kapi hilen: ai nuk ishte i tyre, u fut në shitoren e gabuar, në kohë të gabuar. Rrëmbimthi ia bëri me sy bjerrakohësit tjetër, që pinte birrë në cep të banakut. Ai e la birrën, doli me kujdes, pa rënë në sy të fatkeqit, që nuk e kuptonte as ku ishte futur, as çfarë po i përgatisnin. E pashë daljen e bjerrakohësit nga shitorja, e dëgjova fishkëllimën e tij, që i mblodhi në çast disa veta. Ndërkaq, përderisa brenda viktima merrte përgjigjen e qetë të shitësit: “Nuk ka asgjë për ty!”, turma futej në shitore. E nxorën me të shara e grushte.

Ai duhej t’ia kishte mbathur përtej Alpeve Shqiptare e jo të sorollatej në qytet, i thoshin herë njëri, herë tjetri, bjerrakohësit, që e fillonin linçimin e tij. Viktima s’merrte vesh asgjë nga kjo kakofoni zërash që i vinin nga të gjitha anët, as pse duhej t'ia mbathte, nuk i kujtohej deklarata e një politikani të bjerrakohësve, i cili thoshte se bashkëkombësit e fatkeqit duhej të dëboheshin përtej Alpeve Shqiptare deri në një.

Në fillim, pasi e tërhoqën zvarrë nga shitorja, i mateshin me shpulla, por nuk e godisnin, qeshnin përderisa ai kruspullosej nga grushtet që i kalonin fytyrës. Paraloja e dhunës ndonjëherë zgjaste më shumë, ndonjëherë më pak, varësisht nga ora e mirë a e ligë e linçuesve. Në mungesë të policëve rezervistë në vendin e tyre të përhershëm, meqë i dërgonin kohë pas kohe në një vend tjetër të kontrollonin rrugicat, bjerrakohësit e luanin rolin e policëve: e dërmonin viktimën e sapozënë me grushte e shkopinj bejsbolli. Kur e arrinin kulmin e histerisë së torturimit e përfundonin duke ia çarë kafkën si shalqi me shkopinj bejsbolli. Më vinte të villja, por e mbaja veten. Do të më pikasnin linçuesit e etur për gjak.

Kështu, fatkeqi që gabimisht u fut në shitore të kërkonte ndonjë biskotë a cigare, përfundonte me kafkë të çarë, pasi e terrorizonin. Askush nuk ndërhyri ta shpëtonte. Nuk ishte vetëm ligësia e torturuesve ajo që më zemëronte, ishte poshtërimi që ua bënin viktimave, poshtërimi që i bënte ata të ndiheshin mirë, ndërsa viktimat edhe në çastet e fundit të jetës e kalonin me vetëdijen se po i poshtëronin. Derisa torturuesit kalonin çaste dëliri, viktimat jepnin shpirt.

Një ditë më vonë fatkeqi tjetër, i trimëruar nga udhëkryqi ku nuk shihte asnjë polic, iu afrua shitores. Shikonte majtas e djathtas, përpiqej të mos e jepte veten. Nuk i shihte bjerrakohësit me shkopinj bejsbolli para shitores. Kur i pikasi nuk e ndali hapin, as nuk u kthye mbrapshtë. Ata i fishkëllyen, fishkëllima më erdhi e thekshme deri në tarracën time. Ata diçka i folën, ai e ndali hapin e shpejtuar. Ky ngadalësim mjaftoi që një grup prej katër vetash t’i afroheshin. Një mori fjalësh i ndërruan. Fatkeqi përpiqej t’i bindte diçka, ata pasi u mërzitën, nisën t’ia preknin faqen me përbuzje, i mateshin me shpulla, dikur filluan seancën me shkopinj bejsbolli, derisa e lanë shakull në tokë. Nuk arriti as të mbrohej, sepse shpejtësia e goditjes ishte e habitshme. U bë kruspull, ata vazhdonin ta qëllonin. Nuk e di a shpëtoi, a ia mbathi më vonë. U futa në furrikun tim i dëshpëruar.     

Bjerrakohësit me shkopinj bejsbolli e lanë aty dhe u futën në shitore, gjithnjë duke e lënë njërin prej tyre jashtë që t’ua bënte me shenja, nëse afrohej ndonjë i dyshimtë. Në mëngjes nuk e pashë viktimën. T’ia ketë mbathur natën? Sa shumë dëshiroja që ai t’u ketë ikur me errësirën, sepse kur ishte qielli i vërejtur, errësira ishte e paskajshme. Por sa shumë druaja që ekipet për spastrimin e kufomave e bartën në mëngjes, sepse ata asnjëherë nuk e linin asnjë trup në rrugë më shumë se një mbrëmje.

Vetëm një herë e pashë  një viktimë që u shpëtoi. E rrethuan nga të gjitha anët, e ngacmonin, e qëllonin me grushte fytyrës, kokës, trupit. Ai mbrohej. Befas u shkëput nga turma, duke ia mbathur sa i hanin këmbët, nuk shkelte në trotuare, sikur fluturonte. Disa iu turrën prapa me ngathtësi, shumica të alkoolizuar, por ai u zhduk. Zemra m’u bë mal... 

Sa herë më mbërthente pafuqia, sepse shumë nga viktimat nuk e patën fatin t’u shmangeshin mujsharëve, ndërkaq, në situata të këtilla, ma plogështonte trupin angështia, më kaplonte dëshpërimi, më hante përbrenda zemërimi. Në përhumbje e kapja veten se si i ekzekutoja me breshëri plumbash një nga një mujsharët: një herë, dy herë, tri herë...  U hakërrohesha e egërsohesha si ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat