Shfaqja, dukja dhe thelbi

Opinione

Shfaqja, dukja dhe thelbi

Nga: Andon Dede, Nju York Më: 16 prill 2018 Në ora: 06:06
Andon Dede, Nju York

Kështu, të vendosura së bashku, ato na kujtojnë disa kategori filosofike, si pasojë e përdorimit figurativ të kuptimeve bazë: dy të parat kanë të bëjnë me paraqitjen e jashtëme të sendeve dhe fenomeneve, kurse e treta shpreh anën e brendëshme, të domosdoshmen, të qëndrueshmen e tyre. Ato janë në një lidhje dialektike dhe secila mbart një lloj informacioni rreth tjetrës, por kurrsesi nuk janë e njëjta gjë. Detyra e çdo studjuesi, analisti, gazetari apo dhe e çdo njeriu të zakonshëm është që, për të dhënë vlerësimin për diçka, duhet të njohë më parë thelbin, vlerën e vërtetë të një fenomeni, sendi apo personi, ndryshe do të gabojë në marrëdhëniet që do të ndërtojë me ta apo dhe në veprimtarinë e tij të përditëshme. Si e tillë, njohja e thelbit përbën një domosdoshmëri për të shmangur shtrëmbërimet apo interpretimet e gabuara subjektive, qofshin ato të qëllimta apo jo. Dhe diçka tjetër: të mos ngatërrojmë shfaqjen me dukjen që shpesh i marrim për të njëjtën gjë. Jo, ato nuk janë sinonime. Ndërsa shfaqja është pasojë direkte e thelbit, dukja është paraqitje e njëanshme dhe e qëllimshme, për të lënë një përshtypje apo për të krijuar një ide tek të tjerët.

Por unë as që kisha ndër mend të merresha me trajtimin filosofik të tyre, por e bëra këtë hyrje për të qartësuar gjthë sa do të shtjelloj më poshtë.

Gjatë Diktaturës që kaluam, në atë varfëri të skajshme, amvisat tona, si gjithë gratë e botës, kishin dëshirën e natyrshme njerëzore, që të paraqiteshin sa më mirë para mysafirëve të mundshëm, por mundësitë financjare i kishin aq të pakta. Dhe si e kishin zgjidhur këtë kontradiktë, fare të thjeshtë, por tepër të dhimbshme? Kursenin me sa mundnin, deri edhe në ushqimin e përditshëm, për të krijuar fondin e nevojshëm që të blinin një dhomë pritjeje: disa kolltuqe, një tavolinë mesi, një bufe e ndonjë pajisje tjetër. Kam njohur tërë ato gra, duke filluar nga koleget e punës, fqinjet e lagjes apo dhe miq e të afërm të tjerë, që kanë zbatuar formulën e mësipërme: krijonin atë dekor në dhomën e pritjes ndërsa mjediset e tjera linin aq shumë për të dëshëruar, jo se nuk donin, por nuk mundnin. Të tjerë, burra e gra qofshin, ç’nuk bënin për të pasur një veshje sado pak normale, të paktën për festa e sebepe të rastit…Por, të mos biem në mëkat: sakrifica e tyre s’kishte asgjë të përbashkët me snobizmin e sotëm, por qe një përpjekje e ndershme dhe e dhimbëshme për dinjitet. Të paktën të mos ngjallnin keqardhje tek të tjerët se mëshira të vret!

Mu kujtua kjo dukuri tek dëgjoj përditë deklaratat e kryeqeveritarit të vendit dhe megafonëve të tjerë të tij, për sukseset dhe arritjet e kësaj maxhorance, paçka se treguesit social-ekonomikë, jo vetëm nga opozita dhe një pjesë e analistëve që nuk iu bëjnë iso qeveritarëve, por dhe nga institucionet më serioze e autoritare ndërkombëtare. Kur ua përmend këto fakte e të dhëna, ata të përmendin të ashtuquajtuën “rilindje urbane”, qendrat  apo “dhomat e pritjes” së qyteteve, nisur me Tiranën. Unë nuk jam në gjendje të them se sa e si janë ndryshuar apo “rilindur” ato, në të mirë të qytetarëve, por një gjë e them me siguri të plotë: sikur ç’të jetë bërë me to e në to, nuk e përligjin atë gjendje të mjerueshme të shumicës dërrmuese të popullit që mezi ngrys ditët, javët e muajt e vitit. Vetëm pak ditë më parë, Banka Botërore e renditi Shqipërinë me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, ku, një e treta e popullsisë jeton me më pak se pesë dollarë në ditë. Edhe më dramatike paraqitet gjendja në fshat. “Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, - sqaron një specialist i çështjeve sociale, - përderisa qeveria do të vazhdojë të investojë për fasada e shatërvane dhe jo për ata sektorë që ndikojnë direkt në mirëqënien e popullit”.  “Asnjë   investim serioz nga buxheti i shtetit, por thjesht makiazh dhe buzëkuq fasadash, shatërvanesh e palmash”, - pohon një tjetër.

Por ne nuk kemi nevojë që dhe për varfërinë të na sqarojnë të huajt, kur populli vetë, me përjashtime të pakta, përballet me të kudo e përditë. Për këtë është shkruar e folur aq shumë sa do të qe humbje kohe të zgjatemi më tej. Mjafton të kujtojmë ngjarjet e fundit në Kukës, grevat e naftëtarëve në Fier e Ballsh apo të minatorëve të Bulqizës, protestat e banorëve të Shkodrës, Lezhës e më tej që, pa likujduar pasojat e përmbytjeve të kaluara iu shtuan edhe ato të këtij viti…

Për ta mbyllur: ndërsa të parët meritojnë respekt në sakrificat që bënin për sadopak dinjitet, pushtet-mbajtësit e sotëm, me atë që kanë në krye, duke u përpjekur të na mbushin mendjen për të kundërtën e gjendjes reale, nuk meritojnë veçse përbuzje e neveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat