Viktimat i linçonin publikisht

Opinione

Viktimat i linçonin publikisht

Nga: Gani Mehmetaj Më: 15 prill 2018 Në ora: 11:43
Gani Mehmetaj

Si u gjenda në këtë vrimë miu, në katin e fundit të rrokaqiellit? Rastësisht? Mbase e pata menduar më herët si mundësi e fshehjes kur më ndiqnin policia për disa shkrime në gazetën që e mbyllën para fillimit të bombardimeve. Kur u ndava nga kolona, ika rrugicave, gjithnjë duke iu shmangur zonave të rrezikshme, e dija cilat lagje e udhëkryqe gëlonin nga policë e paramilitarë. Furrikun, në çatinë e godinës shumëkatëshe, ku banova, e dija që më parë. Ishte  një hapësirë e vogël e ndërtuar me parafabrikate. Natën e parë kur i ndoqëm bombardimet nga çatia, e shikuam edhe një herë me shokun tim të dhomës. Dyshonim që mund të fshiheshim në të, sidomos nuk na e merrte mendja që mund të jetonim aty.

Fatbardhësisht edhe kësaj here e gjeta të zbrazët. Sa m’u mësuan sytë me errësirën, më priste një hapësirë e ndërtuar gjysmë ilegalisht për zarzavate, mbase edhe për t’u strehuar me një shtrojë e mbulesë shtrati, komodina e vogël rrinte prapa derës, kthina për zarzavate zinte pjesën më të vogël, tualeti i binte në murin e ngjitur për shtyllën e ngrehinës. Muaj më parë me të dashurën time për t’iu shmangur syve kureshtarë e policëve që endeshin gjithandej, në këtë pjesë të tarracës së mbyllur kalonim çaste të këndshme. E dija që pronari ia mbathi para disa javësh. E takova disa herë shkallëve të hyrjes gjatë jetës sime të shkurtër në ilegalitet.

I pamësuar me këto kushte, i terrorizuar nga ngjarjet që rridhnin dita e nata u bënë të gjata, të pafundme. Nuk mora asgjë për të lexuar. Në nxitim nuk më shkoi nëpër mend libri. Pak rroba, disa gjëra elementare të higjienës e një bllok shënimesh që e mbaja me vete kudo, ishte e vetmja pasuri imja. Transistori i vogël më bënte shoqëri.

Furriku im askujt nuk i binte në sy, shpresoja askujt nuk do t'i kujtohej të hipte mbi çatinë e ndërtesës shumëkatëshe për të zbuluar çka kishte prapa rrufepritësit e sistemit të ajrosjes. Nisa të mbaja shënime. “Nuk i dihet!” i thosha vetes. Shkruaja, sepse isha mësuar të shkruaja gjëra të ndryshme, të pasistemuara, të mjegullta. Dikur bëja reportazhe e shkrime për ngjarjet e ditës. Tash s’kisha me  kë të ndërroja fjalë. Ngjarjet u bënë të rënda, nuk i përballoja emocionalisht. Ato që i përjetova nuk m’i bluante lukthi, edhe kur përsëriteshin me të njëjtën rrëqethje i përjetoja.   

Goditja e parë filloi disa ditë pasi u ambientova në furrikun e errët. Kurrë nuk do të më hiqen nga mendja pamjet e një torture publike. Për herë të parë shihja linçim. Ishte mëngjes i zymtë, me riga shiu që qëmtuan gati tërë natën. Fatkeqi, të cilit nuk ia mësova emrin, u kap në rrugë, doli nga strehimorja e tij në kërkim të ushqimeve, sigurisht ia kërkonin kalamajtë e uritur. Befas në vend të shitores me zarzavate, i dolën para mujsharët. Linçuesit, një grumbull bjerrakohësish që rrinin tërë kohën në grumbull para ose prapa shitores, nisen gjuetinë e shtrigave.

-Kapeni! - lëshoi kushtrimin njëri nga ta me veshje civile. Sa çel e mbyll sytë u grumbulluan të tjerët përreth, nisën ta shikonin me kërshëri, duke iu sjellë rrotull si të shihnin qenie jashtëtokësore. Disa e godisnin, të tjerët e kërkonin ndihmën e policisë, një plakë se nga mbiu e grithte me thonj fytyrës. Fatkeqi nuk e përballoi këtë furi goditjesh e britmash ulëritëse. Ra. Me t'u rrëzuar viktima, nuk reshtën goditjet, i binin me shqelma fytyrës, kokës, trupit, e tërhiqnin zvarrë. Secili nga linçuesit përpiqej të jepte kontributin e vet me ndonjë grusht, shqelm në herdhe apo shpullë fytyrës. Viktimës së rrëzuar i shkumonin sipër, klithnin me një zë të mbytur, çirreshin, ose i jepnin zemër njëri-tjetrit "bjeri, bjeri shqiptarit!" Hakërroheshin. Ardhja e policëve ishte shpëtim për fatkeqin. Ashtu besoja unë. Më përzihej në bark nga kjo skenë tërbimi, por e mbaja gojën me dorë që të mos zbrazja vrerin e zorrët jashtë. Se si më dukeshin si qentë kur kafshojnë me tërbim.

 Policët pasi e nxorën nga duart e turmës, natyrisht nuk nxituan, e lanë turmën të shfrynte, e tërhoqën zvarrë mu si turma e tërbuar pak më parë. Turma u largua. Firuan rrugëve, u futën në shitore, disa u futën në apartamente, apo dolën në anën tjetër nga nuk shiheshin. Nuk mbeti askush para shitores.

Disa qindra hapa më tutje, në një kthesë, me t’u larguar turma, dy policët e skajuan fatkeqin e dërmuar prapa një godine skelet, duke ia shkrehur një breshëri plumbash në kokë e në trup. Kufomën e lanë të dergjej në pellgun e ujit të qelbur. Më kapi tmerri derisa e ndiqja skenën nga biruca ime në tarracën e shumëkatëshit. Shpresova që njerëzit me uniformë do ta dërgonin në stacionin e policisë, apo madje në ambulancë. M’u zu fryma, kur ia shkrehën plumbat në kokë, nuk ngopesha me ajër si astmatiku në kriza të thella.

Ende pa dhënë shpirt fatkeqi, policët vazhduan tutje si të mos kishte ndodhur asgjë.  Me të ikur ata çdo gjë e mbuloi heshtja e errësira. Në shitore u fikën dritat. Gjuetarët e shtrigave, që kapnin hallexhinj rrugëve si puna e fatkeqit që e vranë me një breshëri plumbash, kur mblidheshin në mbrëmje me familjet e tyre, tregonin për bëmat, flisnin se si e kapën sot një terrorist të rrezikshëm, emrin e të cilit askush nuk u kujtua ta mësonte, as policët nuk morën asnjë shënim, e vranë pa gjyq, pa faje, skaj rrugës, si qen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat