Për të kuptuar kë kemi pasur president dhe kryeprokuror!

Opinione

Për të kuptuar kë kemi pasur president dhe kryeprokuror!

Nga: Mero Baze Më: 14 prill 2018 Në ora: 21:48
Mero Baze

Sali Berisha është zbythur dje nga me takt nga “akuza” e tij rreth të ashtuquajturës kërkesë për arrestim nga ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, duke rikeqpërdorur në mënyrë të pamëshirshme ish- kryeprokurorin e Shqipërisë dhe ish- presidentin e Shqipërisë. Duke qenë se e mendon çdo ditë mundësinë e arrestimit të tij, dhe këtu nuk ka faj me ato që ka bërë, ai provoi në “sqarimin” e djeshëm, se ka bërë një “provë gjenerale” për të testuar sa mundësi ka pasur që perëndimorët, ndërkohë që bënin reformën, të kishin një plan për arrestimin e tij.

Duke qenë se ai problem kryesor në gjithë procesin e reformës, kishte vetëm ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, dhe sidomos kompetencat e OMN, ai paska tentuar të prodhojë një lajm rreth kërkesës për arrestimin e tij.

Siç e pranoi vetë, në këtë skenar ai ka përfshirë presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe kryeprokurorin Adriatik Llalla, në një version fare banal. Ka thirrur Adriatik Llallën dhe i ka thënë t’i thotë Bujar Nishanit se ka pasur një kërkesë për arrestim. Ky i fundit pastaj ka thirrur ambasadoren Vlahutin. Në fund, nuk ka ndodhur asgjë, pasi ka qenë thjesht një gënjeshtër, por i gjithë skenari dëshmon se kë kemi pasur president dhe kryeprokuror.

Dy figurat kyçe të shtetit shqiptar kanë qenë aq joseriozë dhe të verbër në shërbimet politike, sa kanë rënë dakord të prodhojnë një gënjeshtër shtetërore, dhe përmes kësaj, të shantazhojnë ambasadoren e BE në Shqipëri.

D.m.th kryeprokurori, i cili duhet të vihet në lëvizje vetëm nga faktet dhe shkresat zyrtare, ka pranuar të jetë dëshmitar anonim në një deklaratë e cila është e mjaftueshme që sot t’i hedhësh prangat si mashtrues në emër të shtetit shqiptar.

Presidenti, edhe më i mangët seç e kemi ditur, po ashtu ka pranuar të bëjë sikur e thërret zyrtarisht për të mësuar të vërtetën, dhe në fund gjithë skenari ka përfunduar si kafene e plakave të lagjes, që dikush i tha dikujt diçka, por në fakt nuk e dimë sa e vërtetë është.

Nga e gjithë kjo histori poshtëruese për krerët e institucioneve të shtetit shqiptar, e vetmja gjë që vlen është që Sali Berisha, së paku e ka menduar burgun, dhe nuk është ashtu siç kërkon të hiqet.

Por nga ana tjetër, mënyra kriminale si ai ka përdorur institucionet e shtetit shqiptar në funksion të një paranoje të tij, është e frikshme.

E gjithë kjo histori vlen tashmë të hetohet zyrtarisht dhe njerëz të tillë që keqpërdorin një zyrë të lartë të shtetit shqiptar në funksion të një paranoje, duhet të përballen me ligjin.

Shantazhi që i është bërë në këtë rast zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, është ekstrem, dhe është bërë jo vetëm në mungesë të çdo fakti, por dhe duke keqpërdorur pa mëshirë dy institucionet më të larta të shtetit, presidentin dhe kryeprokurorin.

Një kryeprokuror që merr një kërkesë të tillë në zyrë nga një diplomat, ose duhet të ndalojë diplomatin dhe të kërkojë zbimin e tij nga Shqipëria, ose duhet të marrë në dorë faktet që ai i jep dhe të operojë për t’i zbardhur. Kurse ky versioni që zotit Llalla i paskan kërkuar gjithë ambasadorët arrestime dhe ky nuk i ka denoncuar, na bën vendin më qesharak në botë edhe kur nuk është e vërtetë.

Pasi kjo na lë të besojmë, se në zyrën e Adriatik Llallës mund të ketë shkuar kushdo dhe të ketë kërkuar arrestime dhe linçime, dhe ai ka vepruar pastaj sipas qejfit.

Sali Berisha dhe opozitarët e tjerë, që tani shqetësohen se në zyrën e kryeprokurorit ka shkuar Arta Marku, po dëshmojnë se kanë pasur aty jo më një kukull, por një ushtar të neveritshëm politik, që ka pranuar të vihen në gojë të tij, gjëra që nuk ja kanë dëgjuar veshët. Ai është dëshmitari i rremë më i rëndësishëm i shtetit shqiptar, pasi po përdoret si i tillë, jo për ndonjë vrasje ordinere, por për të futur në luftë Shqipërinë me Perëndimin dhe për t’i shërbyer paranojave të një plaku që shikon ëndrra me burg.

Mjafton kjo për të kuptuar kë kemi pasur president dhe kryeprokuror dhe për kë duan t’i vënë zjarrin Shqipërisë opozitarët e sotëm. Kemi pasur kryeprokuror dikë që provë quan dëshirat paranojake të Sali Berishës dhe president dikë që mendon se zyra e presidentit është zyrë për të noterizuar çdo paranojë të Sali Berishës. Edhe kur të gjitha palët e dinë se bëhet për të goditur praninë e Perëndimit në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat