Rrugët tona në udhëkryqin etnik

Opinione

Rrugët tona në udhëkryqin etnik

Nga: Mr. Delvina Kërluku Më: 13 prill 2018 Në ora: 16:19
Mr. Delvina Kërluku

Edhe njeriu me “dy ditë shkollë” e ka të qartë se njëri ndër faktorët kyç për zhvillimin e një vendi është infrastruktura rrugore, përveç asaj hekurudhore, ujore e ajrore. Prandaj, gati të gjitha qeveritë konstruktive, pjesën më të madhe të investimeve kapitale, i orientojnë tek infrastruktura. Bile, qeveri vizionare, të disa shteteve, shtrojnë linja hekurudhore nëpër territore të cilat planet urbanistike i hartojnë dhe jetësojnë shumë më vonë.

Por tek strategjia e zhvillimit infrastrukturor, ka dhe një tjetër, shumë të rëndësishme – atë të shpërndarjes harmonike në mbarë territorin e shtetit, madje me përparësi të theksuar për viset e pazhvilluara, ose më pak të zhvilluara. Këto modele të infrastrukturës hartohen dhe zbatohen me përpikëri, pasi qeveria është e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme se kjo politikë sjell zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm, por nuk shkakton as shqetësime sociale dhe etnike.

Por ç’ndodh në Rastin e Maqedonisë (po deshët edhe të ish Jugosllavisë)? Këtu, qeveritë e djeshme, edhe të sotme, komponentës së shpërndarjes harmonike të buxhetit të paraparë për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, i ikën si shejtani temjanit. Bile bëjnë njëqind e një hile, vetëm e vetëm pjesët më pak të zhvilluara të mos zhvillohet dhe sidomos ndër viset ku banojnë shqiptarët të mos shtrohet asnjë metër asfalti dhe të mos shtrihet asnjë metër hekurudhe.

Çudit fakti që me këtë politikë diskriminuese, pajtohen gjithmonë pjesëmarrësit (shpesh herë kukulla) shqiptarë. Edhe naivi më i madh këtë e sheh si dritën e diellit. Për ta pasur lexuesi pak më të qartë këtë politikë të mbrapshtë, po japim vetëm disa shembuj. Psh. Korridori dhjetë, i cili lidh Beogradin me Athinën, edhepse është mjaft i gjatë dhe i kushtueshëm, është në përfundim e sipër, kurse korridorit tetë që lidh Tiranën (Durrësin) me Shkupin, nuk i është shtuar asnjë centimetër.

Deri tani janë ndërtuar vetëm 35 km (Tetovë - Shkup). Rruga Kërçovë - Ohër (lexuesit nuk e kanë harruar reklamën false me emërtimin e parë: Kërçovë – Strugë - Qafë Thanë, sa për tu hedhur hi syve shqiptarëve të mjerë, është një tallje me qytetarët. Për tre vjet nuk është ndërtuar asnjë metër. Kudo gjatë trasesë syri të sheh vetëm grumbuj dherash. Shqiptari ka sy dhe e sheh hilenë.

Ai pyet: përse u bë kjo kontratë me kinezët e jo me të tjerët; përse me kinezët qeveria u mor vesh për rrugën Milladinovci - Shtip, e për këtë s’u marrka vesh. Pse ju dha përparësi asaj rruge (gojët e liga flasin se i duhet Zaevit për të shkuar më rehat në Strumicën e tij).

Jo vetëm kaq: përse në pjesën Lindore dhe Qendrore të Maqedonisë ndërtohen rrugë të shpejta dhe paralele, siç është rasti i rrugës Shtip - Radovish, Rankovcë – Kriva Pallankë, deri në Deve Bair, Kumanovë – Beljakovce – Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë (hekurudhë), pastaj asaj Veles – Prilep, etj, etj., kurse për rrugët Tetovë - Prizren, Dibër – Strugë, Dibër - Kërçovë, Dibër – Mavrovë - Bllatë, Shkup-Bllacë, Tetovë-Jazhincë, Likovë-Bellanoc etj., pra aty jetojnë shqiptarët, asnjë plan, asnjë fjalë, asnjë zë. Me këtë politikë diskriminuese qeveria jonë, jo vetëm që i dëmton shqiptarët, edhe duke i shfrytëzuar kontributet e tyre për t’u ndërtuar super rrugë maqedonasve, por e dëmton edhe zhvillimin ekonomik të mbarë shtetit, meqë nuk ia bën të mundshme daljen më të shpejtë, më të afërt e më të sigurt në portet detare (të Shqipërisë)!!!

Pra, në Maqedoni janë ndërtuar rrugë kudo e kahdo, vetëm rrugë që lidhin shqiptarët këtu dhe me shtetet shqiptare, nuk ndërtohen.
Për ata që s’kanë lidhje me gjeografinë dhe demografinë, deklaratat e ministrit Sugarevski, apo kryeministrit, tingëllojnë aq të bukura dhe aq bindëse, sa s’ka. Dhe të tilla janë, por për një pjesë të qytetarëve, jo për të gjithë. Në rastin konkret jo për ne shqiptarët.

Si fëmijë e dëgjoja shpesh një parullë plot pezëm të shqiptarëve. Trepça punon-Beogradi ndërton! Kam frikë se kjo parullë pak e ndryshuar të dëgjohet në gojën e shqiptarëve të Maqedonisë: Shqiptarët kontribuojnë - Maqedonasit ndërtojnë. Natyrisht jo vetëm rrugë, por edhe zona industriale, fabrika, shkolla, spitale, salla sportive, shtëpi kulture etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat