Ti ke një problem shumë të madh - Bota Sot
Ti ke një problem shumë të madh

Opinione

E martë, 24 prill 2018

Ti ke një problem shumë të madh

Nga: Lis Bukuroca Më: 13 prill 2018 Në ora: 08:14
Lis Bukuroca

Në moshën time të re, merrnin brisqe në dorë, shkopinj, copa dërrasash dhe ndërtonim lodra, kurse vajzat, veshje kukullash me gërshërë në dorë. Domethënë përdornim trurin. Ti prek në celular një lojë të menduar nga dikush tjetër, por nuk krijon vet, pra nuk logjikon!

Në moshën time të re, bënim për një orë katër deri në pesë kilometra në këmbë. Ti pret një orë me një celular në dorë ardhjen e një autobusi. Ecja jonë ishte një sport i përditshëm.

Në moshën time të re, kur ne hanim drekë, ose darkë, i ngjante një kremtimi dhe zgjaste diku gjysmë ore, edhe pse nuk kishim aq, sa ke ti sot. Ti han për disa minuta dhe tërhiqesh në një qoshe në botën virtuale pa marrë vesh se çfarë hëngre.

Në moshën time të re, gjyshet nga tregonin përralla, por edhe prindërit të kaluarën e vështirë. Ti sot ke një celular në dorë, një ka nëna jote, një babai jot, një vëllai dhe një motra. Ju nuk flisni në mes vete, shfuqizoni të menduarit, të të dëgjuarit dhe të të vështruarit.

Në moshën time të re, të gjithë shikonim një film së bashku, pastaj e debatonim. Ju shikoni disa filma në një dhomë, ose njëri shikon një film, tjetri në facebook, i treti lexon, i katërti telefonon.

Në moshën time, kur fikej drita, flihej dhe zgjoheshim herët në mëngjes. Ti ke celularin pranë kokës, ku merr mesazhe edhe pas mesnatës, por zgjohesh pak para drekës.

Në moshën time, dilnim çdo ditë në qendër të hekurosur, të pispillosur, të krehur, të rruar, për të takuar një vajzë të bukur. Ti je me celular apo para kompjuterit, ku pispillosesh online.

Në kohën time, vajzave u shkruanim letra të gjata, ti i shkruan dy rreshta mesazh: Kur dhe ku do të takohemi.

Në moshën time, ne pushtonim mendjen dhe trupin e vajzave me dashuri dhe mirësi, ti sheh vetëm trupin e saj. Një minutë para seksit dhe një minutë pas seksit, ke celularin në dorë.

Ti ke disa llogari në facebook dhe bën seks online. Në moshën time, ne primitivët e bënim nëpër parqe, ara dhe male, në ajër të pastër. Ne nuk puthin monitorin, por buzë e vashave! Ne shtrëngonim vithet e saja, ti shtrëngon mausin dhe tastierën!

Neve na duheshin disa muaj për ta pushtuar një vajzë, ty të duhen disa minuta për t’u zhveshur lakuriq para kompjuterit!

Ne rrezikonim për dashuri. Ne dhuronim dashuri dhe na dhurohej dashuri. Ne dashuronim dashurinë!

Ti dashuron veten, gjersa vështron gjinjtë e një gruaje larg prej teje dhe masturbon shpirtin tënd.

Në kohën time, dashuria ishte konkrete, e prekshme, e ndjeshme, e përjetueshme, te ti është e imagjinueshme. Është fuqia e vetme mendore që po të mbijeton!

Në moshën time të re, ne luanim disa ditë futboll brenda javës me grupe të lagjeve tjera. Ne kultivonim kontakte sociale. Ti je në kompjuter apo me celular në dorë!

Në moshën time të re, ne dilnim në lagje dhe flisnim për librin e fundit të lexuar. Ti je online!

Në moshën time të re, ne luanim shah para dere, në trotuar. Ti në trotuar je me celular në dorë!

Në kohën time ishte krenari të mësoje sa më shumë, në tënden, të fitosh sa më shumë pa punuar fare!

Ne shkonim verës te lumi, liqeni apo në plazh dhe aty luanim e notonim. Ti edhe kur je aty, me kostum pishine, fut celularin në bel.

Ne shihnim të magjepsur lulëzimin e luleve dhe pemëve, pjekjen e frutave, ti nuk vëren as kur bien gjethet. Ti je diku i zhytur në internet.  

Ne i gëzoheshim edhe dimrit dhe borës, edhe pse jo të veshur ngrohtë, ti nuk vëren as rënien, as shkrirjen e saj, sepse je me celular në dorë.

Në moshën time, rrallë herë kishim para për të shkuar në një kafene, por kur e bënim, debatonim për zotin dhe shtetin, për engjëllin dhe dreqin, ti edhe kur pinë makiato, ose kapuçino, ti shikon celularin dhe nuk kupton se e mbarove, e as shijen e tij.

Në moshën time të re, ne shikonim njëri tjetrin në sy gjatë bisedës, ti flet gjersa vështron celularin.

Në moshën time të re, vërenim qimen e parë të bardhë në flokët e babait, ose të nënës, ti nuk ia sheh as kokën e zbardhur. Nuk ke kohë, je duke vështruar celularin.

Ti edhe nëse i vështron, nuk i sheh, të mungon përqendrimi, je i shpërndarë mendërisht, ti pret mesazhe.

Në moshën time të re, gëzoheshim kur vinin miq te ne, ti dëshpërohesh nëse troket dikush në derë dhe mund të të largojë nga celulari, madje tmerrohesh dhe ngrihesh nëse je në një shtëpi, që nuk posedon wlan.

Në moshën time të re, gëzoheshim kur na telefononte dikush. Nëse kishim telefon! Ti nuk përgjigjesh dhe telefonatën konsideron pafytyrësi: Ti thua, më shkruaj mesazh, përgjigjem kur dua. Me telefonatë më detyron të përgjigjem menjëherë!

Në kohën time, ne u ngritëm edhe kundër Jugosllavisë komuniste dhe kërkuam drejtësi, edhe pse dihej, se mund të na priste ujdhesa kroate Goli Otoku. Shumë përfunduan nëpër burgjet, e u vranë, për ta vështruar ti lirinë në celular.

Ty sot të vjedhin ekonominë nacionale, ti nuk ke kohë të rebelohesh se je në facebook.

Ty sot të gënjejnë hapur, por ti as nuk habitesh, as nuk çuditesh, por ti duke shikuar në celular, voton dhe rivoton një kriminel apo një hajn, pa i shikuar as emrin, as programin.

Ty të rrënohet shteti para shputave tua, para hundës tënde, por ti nuk ke kohë, je duke lundruar nëpër internet.

Ti pret dhe pret, që dikush të zgjedh telashet tua, gjersa ti shikon filma pornografik, e shoqja jote shtrihet për të fjetur me celular në dorë.

Ti kalon më shumë kohë në internet, se me të dashurit tu.

Ti më shum kontribuon për Zuckerberg, se sa për familjen tënde.

Ti nuk je bërë dyfytyrësh, por shumëfytyrësh, ne kishim vetëm një dhe kishim frikë ta humbin atë.

Në kohën time rrena konsiderohej pafytyrësi, në tënden është normë sociale.

Në kohën time të paedukuarit dhe të pasuksesshmit, silleshin si rrugaç, në kohën tënde krejt Kuvendi është pasqyrë rrugaçërie; shajnë dhe ofendojnë si në kohën time maskarenjtë, gjersa ti kënaqesh duke qeshur me injorancën që të bën varrin për së gjalli, por ti argëtohesh me celular! Nuk ke kohë të kërkosh llogari!

Në kohën time nëna ishte, nënë dhe babai, baba. Në tënden babai është përdorues i internetit. Nëna përdoruese e internetit. Vetëm një konstatim keni të përbashkët: “Sa vonë qenka bërë!”

Ti i jep fëmijës celularin në dorë të mashtrohet, të manipulohet, edhe pse psikologjia dëshmon se para moshës 12 vjeçare, dëmtohet truri i tij, sepse fëmija nuk mendon, por vështron vetëm imazhe. Ti dëmton fëmijën për të fituar rehati për vete. Ti nuk je prind! Ti që e bën, je injorant, ose injorante!

Në kohën time, ne përqafonim njeri tjetrin dhe uronim për ditëlindje apo martesë, ti e uron në facebook nga largësia me një kokëz gojëçaraveshur!

Në kohën time, shprehnim urime njeriut edhe kur qethej, ti këtë nuk e vëren, je duke vështruar celularin.

Në kohën time ishte ofendim të mos dëgjoje tjetrin me vëmendje, në tënden, është ofendim të pengohesh, gjersa je në internet.

Në kohën time, autoritetet kryesore ishin profesorët, shkrimtarët intelektualët, në tënden janë klerikët!

Ne bisedonim për shkencë, ju për fe!

Ne mburreshim me Adem Demaçin, ose edhe me Enver Hoxhën, ti me Erdoganin, ose Hashimin!

Ne burgoseshim për liri dhe pavarësi, ju vetburgoseni dhe vështroni rrënimin e pavarësisë.

Ti mburresh me fjalë patriotike, ne vetëm me ata që prodhonin vepra patriotike.

Ne ëndërronim lirinë dhe anulimin e autoriteteve, edhe ato hyjnore dhe shtetërore. Ti prodhon  autoritet nga mediokritetet e pafytyrë!

Ti beson në jetën pas kalbjes së trupit, ne besonim se jeta jetohet këtu.

Ne ishim realistë dhe idealistë dhe ëndërronim lirinë për të jetuar jetën. Ti je dualist dhe beson se pas vdekjes jeton.

Ti beson se shpirti është energji, si sooftwahre dhe beson se pasi kompjuteri të bëhet shkrumb e hi, software funksionon përsëri.

Ne krekoseshim, kur prisnim para bibliotekës në radhë për të marrë një libër për një jave. Ti krekosesh me miqtë e rrejshëm.

Ne mburreshim me biblioteka private, ti me likes në botën virtuale.

Në kohën time, ishte krenari të shihesh me libër në dorë, te ti është mburrje të shihesh me iphone në dorë.

Ne çanim kokën si të shprehnim më mirë një ngushëllimin, e thoshim me fjalë dhe përqafime, ti dërgon një kokë të vockël me një pikë loti në sy. Ti nuk mendon!

Ne mendonim dhe krijonim, ti kopjon dhe kopjon! Ti nuk mendon!

Ne citonim mendimin e huaj dhe thoshim, e lexova këtë, ti kopjon të menduarit e huaj dhe thua: “Unë mendoj kështu!” Në fakt, ti nuk mendon!

Ne përpiqeshim të rrinim të përqendruar në klasë, ti gjatë mësimit merr mesazhe dhe dërgon.

Ne mburreshim me suksesin në shkollë, ti mburresh me notën pa dije.

Ne mburreshim me fakultetin e mbaruar, ti mburresh me diplomën e blerë apo të marrë pa dije.

Ne ishim në klasë, ti kur je në klasë, je jashtë!

Ne respektonim mësuesin, ti e shanë atë.

Ne kërkonim dije nga profesorë e fakultetit, ti kërkon notë!

Ne kishim profesorë të mëdhenj, ti ke sot pak profesorë, por shumë sharlatanë të mëdhenj!

Ne ëndërronim iluminizmin, rilindjen nacionale, ti adhuron obskurantizmin, por ke dëshirë të shpërngulesh në vendet e iluminuara.

Ne donim, dashuronim, mësonim, gjakonim, adhuronim lirinë, ti adhuron vetburgosjen dhe shpreson se do të bëhet mirë, se tjetri do të veprojë, gjersa ai tjetri, pret nga ai tjetri dhe kur të tjerët, presin nga të tjerët, ti rrugëdalje nuk do të kesh dhe do të zgjohesh me autodiktatët, me dudukët e njëjtë në politikë!

Edhe kuvendarët tu janë me celular në Kuvend, edhe intelektualët nëpër debate televizive nuk mund të kontrollojnë veten dhe gjatë debatit, vështrojnë celularin dhe nuk dëgjojnë me vëmendje. Askush, askë nuk dëgjon i përqendruar! E keqja e madhe, ti ke ngelur pa shëmbëlltyra. Ti je vetëm produkt i shoqërisë së korruptuar në shpirt dhe në mendje, deri në palcë! Ti do të përfundosh rrënimin e shteti, që po e përgatit injoranca që ti duron në krye!

Ti je duke punuar çdo ditë për rritjen e mjerimit, por shpreson se dikush të zgjon një ditë dhe të jep lajmin e mirë, se erdhi lumturia, sepse ti nuk ke kohë as të lexosh, as të vështrosh njerëzit në sy, as të zgjohesh herët, as të kërkosh kontakt me vajza, ty ta gjen gruan celulari. Kur ti të zgjohesh, vitet do të kenë ikur dhe ti, sipas zakonit, do të akuzosh të tjerët, pse nuk të zgjuan nga kllapia digjitale. Sepse botën virtuale, ose mund ta përdorësh për të mësuar më shumë, ose të përdoresh prej saj, për të humbur sa më shumë: Edhe atë, atë që nuk kthehet kurrë, kohën! Ditët! Javë, muajt e vitet!  Zgjidhja është e jotja, si edhe lumturia dhe rrënimi i saj! Një ditë do të vdesin ata që ke pranë, por do të kujtohesh për refuzimin që ju ke bërë, gjersa ishin të gjallë! 

Njeriu normal ka plane, projekte dhe punon në realizimin e tyre, ti pret mrekulli të ndodhin. Në botë nuk ndodhin ato, sepse për të ndodhura mrekullia, duhet zhbërë ligjet e natyrës, por ti nuk ke kohë të mendosh, ti shpreson në nëndije se bëhet mirë, edhe kur zgjohesh në mëngjes, është një ditë e re, që jetohet në mënyrën e djeshme!

Pra, ti ke një problem të madh dhe një garantues të mjerimit dhe me pezullimin e të të menduarit, vështron botën nga një shkurre. Ti ke një problem shumë të madh, prandaj mjerimi është stabilizuar, si dhe palumturia! Jeta, mirëpo, ka një afat skadimi!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, te amazon mund të porositen librat e tij: “Ngjyrat e dashurisë”  me Kanunin Erotik, tregime dhe sprova, “Letër burrave”, ose përmbledhjen me poezi “Hijedritat e jetës.”

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test