Fatkeqi u përplas në trotuar

Opinione

Fatkeqi u përplas në trotuar

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 13 prill 2018 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Vera i dha gjallëri bodrumit të zymtë, i mobilizoi të tjerët të përpiqeshin, e frenoi gjuhën e grindjeve, madje nisën të bënin kujdes edhe dy pleqtë kur shkonin në tualet apo kur silleshin nëpër ambientin e ngushtë të bodrumit. Gjyshja nuk e kapi kush ishte kjo nuse, sikurse e quante, as si erdhi, por kur e zinte i fliste për "hjekat" e saj, derisa e zinte gjumi.

Britma femrash vinin prapë nga një apartament kur i bartte era natën vonë. Në këto çaste ajo e ndërpriste lojën me fëmijë apo qëndrimin e shkujdesur, ngrihej nga shtrati, përgjonte. Bebëzat i zgjeroheshin për tmerr. S'dinin si ta qetësonin, sepse edhe të tjerët i ndiqnin klithmat të tensionuar. Vera u bë sensori i lëvizjeve të dyshimta, në çdo tingull të pazakonshëm reagonte një herë me druajtje, pastaj dridhej në heshtje.

Ditët e netët nuk shtyheshin në bodrumin e kushteve të mjera. Rutina u bë bezdia tjetër që nuk u shqitej mu si dita e nata që i ngjasonin njëra-tjetrës. I shtrirë pranë gruas, në errësirën e pasmesnatës, kur të gjithë flinin gjumë, Besmiri shikonte dritat e pakta të apartamenteve shumëkatëshe nga dritarja e ngushtë që e kishte përballë. Në një kënd të prerë dukeshin yjet drithërues të mbërthyer nga frika, ashtu i përjetonte ai. Pjesa më e madhe e banorëve të banesave përballë nuk ishin të kombit të tyre, porse si ia krijonin ndjenjën e ngrohtë dritat e ndezura, sikur nuk ishin të vetmit në këtë pjesë të qytetit. Radioja e vogël që e mbante gjithnjë pranë vetes njoftonte se ka enklava të bashkëkombësve të tij. Dhe ai i ndiqte me interesim lajmet. Në cilat pjesë të qytetit ishin, nuk e thoshte raportuesi nga terreni. Nga dritat  nuk e përcaktonte dot as Besmir Drini. Në hyrjen e tyre dhe në pallatin tjetër, ku banonte polici rezervist Strahinja, nuk jetonte askush nga shqiptarët. Që në ditët e para i dëbuan, sidomos ia mbathën pas klithmave të dy kalamajve e të mjekes.

Duke përgjuar natën e qetë e yjet që shiheshin fare pak i vinin një mori pyetjesh. Pse nuk e braktisën qytetin më herët? A duhej të organizoheshin, apo të prisnin që policët të futeshin nëpër shtëpi e banesa? A do ta kalonin më mirë apo do të rropateshin rrugëve sikurse refugjatët e para tre muajsh kur vinin nga katundet, pasi ekspedita ndëshkuese e ushtrisë serbe dogji Dukagjinin e Drenicën? Ku e kalonin natën ata që nuk dolën nga qyteti? Fshiheshin strehimoreve të vjetra, bodrumeve e nyjave sanitare për t’i ikur fatit, që i priste e fatkeqësisë që i kërcënonte, apo prisnin në ankth trokitjet e natës? Mund të ishte edhe e para, edhe e dyta, por mund të ngjante që ata prisnin prapa mureve e perdeve të dritareve në përgjim. Tërë natën bënin rojë, pa armë e pa asnjë mjet mbrojtjeje. Po t'ia behnin policët apo rezervistët, që ishin e njëjta gjë, kërcimi nga dritarja nuk i ndihmonte. Në netët e bastisjeve pati përpjekje t'u shpëtonin kapjeve të policisë: Një fatkeq u përplas në trotuar një natë të errët burg, kur nisi shkallmimi i dyerve, por nuk u bë i gjallë. Dy sy kureshtarë nga dritarja e bodrumit ia shiheshin vetëm gjymtyrët. Dridhjet e pakontrolluara vazhdonin një kohë, pastaj qetësoheshin. Fytyrën dhe kokën nuk ia panë, nuk u mor vesh nëse ishte burrë a grua. Dy policë zbritën. Njëri shante në gjuhën e tij, ndërsa ia shkrehi një breshëri plumbash nga pushka automatike kufomës. Tjetri e tërhiqte trupin trotuarit të lagshtë. Binte një rigë shiu. Iku nga shikimi trupi i dërmuar i fatkeqit, të cilit as fytyrën nuk ia panë, ndërsa kureshtari nga bodrumi nuk guxonte të zgjaste kokën e ta ndiqte me sy. Të vegjlit u zgjuan trembshëm nga krismat e pushkës e natës.-Pssst!- u pëshpëriti në vesh dy vogëlushëve Besmiri, ndërsa përpiqej të kapte me sy reagimin e nipave në shtratin tjetër. Burri i motrës i mori po ashtu në gji të vetët. Shumë më vonë u kujtua për Verën, vajza që u erdhi natën, sepse gjithnjë ia kishin frikën se mos lëshonte ndonjë klithmë të pakontrolluar, e traumatizuar siç ishte, por ajo nuk u dëgjua fare.

Pastaj mbretëroi qetësia e pafundme. Nuk mbahej në mend qetësi më e kobshme në qytetin e zhurmshëm. Shpërthimet e predhave të aeroplanëve të NATO-s zëvendësoheshin me krisma pushkësh, britma pijanecësh, me parakalime kërcënuese të njësive speciale, që thyenin dyert e apartamenteve, nxirrnin njerëzit jashtë, u hakërroheshin banorëve vendës, godisnin me shkopinj gome apo qytë pushke. Dhe pastaj pushonte zhurma.

-Kur të vdesim a do të shkojmë në parajsë? - pyeti Loriku tetëvjeçar, një natë pasi pushuan britmat.

- Jo, mami, nuk do të vdesim! -ia ktheu nëna e pikëlluar.

-S’kemi pse nxitojmë! -  e shndërronte në humor Beni, dhëndri.

Humori i tij i qetësonte sidomos kalamajtë më shumë se sa serioziteti i të atit,  Besmirit. E mallëngjenin se si e dëgjonin çdo fjalë që e flisnin të rriturit, shpeshherë donin që ata të mos merrnin pjesë në bisedat e të mëdhenjve, donin të mos dëgjonin mëdyshjet apo planet në rast rreziku, sepse atëherë nuk pushonin pyetjet. Kështu, prapa i ndiqnin sytë e gapërruar që përpiqeshin t'i kapnin edhe lëvizjet e buzët kur flisnin me zë të ulët. 

Për vdekjen nuk dëgjonin vetëm nga të rriturit, vdekjen e nuhatnin në ajër, u vinin nga rruga klithmat e grave që të rrëqethnin. Sidoqoftë, fëmijët asnjëherë nuk e panë asnjë kufomë. Ndërkaq, të rriturit të ngarkuar me problemet e tyre e harronim praninë e kalamajve, bisedonin për vrasjet jashtë bodrumit, komentonim mizoritë e policëve. Nga radioja dëgjonin lajmet për vdekjet e vuajtjet e pafundme. Fëmijët bëheshin sy e vesh.    

Hija e vdekjes u fut në bodrumin e ngushtë. Vdekja nisi t'u dukej gjëja më e zakonshme. Në këtë zallahi ngjarjesh, jo rrallë të rriturit e fëmijët e ngatërronin ëndrrën me realitetin, lajmet e radios përziheshin me ndodhitë që zhvilloheshin në trotuar, nga pamjet fragmentare të këmbëve apo vetëm të këpucëve para dritares së vogël të bodrumit, nga britmat e thekshme nëpër korridore, u  paraqiteshin shajni; sa herë përmendeshin vuajtjet e refugjatëve  nëpër bjeshkë i mbysnin imazhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat