“Padronët” e rrezikshëm të Republikës së Kosovës

Opinione

“Padronët” e rrezikshëm të Republikës së Kosovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 12 prill 2018 Në ora: 16:15
Nehat Hyseni

“Çdo e keqe ka dhe një të mirë mbrapa, kurse çdo përpjetëz ka dhe një teposhtëz”.

Kështu thotë fjala e urtë popullore, që ne e përdorim shpeshë në jetën e përditëshme.

Sidomos në rastet kur kemi nevojë dhe domosdoshmëri për ta ngushëlluar veten për fatkeqësitë që (s)mund t’i parandalojmë.

Prandaj, edhe tani kur ka arritur kulmin e keqja në (keq) qeverisjen e Republikës së Kosovës me “triumviratin”: Thaçi-Haradinaj-Veseli, ku rregullat e demokracisë dhe civilizimit jo vetëm që shkilen, përdhosen e nuk përfillen deri në ekstrem, por ata, për hirë të së vërtetës, as që kanë idenë elementare lidhur me to.

Pra, kjo bandë gangsterësh na është imponuar në krye të shtetit, meqë sipas tyre, ata na e paskan “çliruar” Kosovën. Rrjedhimisht, ata edhe kanë fituar të drejtën për të disponuar me Republikën e Kosovës si “pronarë” apo “padronë” të saj!

Kjo i bie se Kosova na qenka “pronë” e tyre, dmth se gjithçka në këtë vend të bekuar është “plaçkë lufte” e tyre: të gjitha pasuritë e asetet publike e private brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Si i tillë, ky shtet është shndërruar në pasuri dhe pronë private të oligarkisë së re, që lindi pas dëbimit të Serbisë nga territori i Republikës së Kosovës në vitin 1999.

Ndërkaq, i tërë populli (i shkretë) i këtij shteti më të t’i në Europë, është “rob lufte” i kësaj klase politike e ekonomike të “çlirimtarve”, të cilët me dëbimin e Serbisë nga Kosova, me automatizëm e zunë vendin e saj, si “padronë” të rinjë të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

Sipas kësaj logjike, ata mund të veprojnë si të dojnë me këtë “pronë” të tyre dhe askush nuk ka të drejtë që t’i mbetet hatri, siç thotë kryeparlamentari aktual, Kadri Veseli, nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë e të bëjnë “ciu, ciu...”!

Ata munden që të vijnë natën, Ditën apo kurëdoqoftë, t’i arrestojnë e dëbojnë qytetarët e huaj dhe t’i dëbojnë sa herë të dojnë, pa kurrëfarë ligji dhe të drejte vendore apo ndërkombëtare këdo, si në mesjetë. Sepse, ashtu janë marrë vesh “padronët” e këtij shteti të mjerë me Erdoganin, apo edhe më këto tjetër në ruzullin tokësor.

Kuptohet se, “kryepadroni” është vet Presidenti, si Kreu i këtij shteti privat, i cili më bashkëpronarin biznesmen, Ministrin e Punëve të Jashtëme, Behgjet Pacollin, së pari e hedhin gurin dhe mëshifen si “struci”, pa e informuar dhe pa e pyetur fare kryeministrin dhe as partnerët tanë strategjikë mdërkombëtarë, duke e kthyer kompasin politik kah lindja bizantine, përkundrejt orientimit tonë strategjik pro-perëndimor e euro-atlantik.

Pastaj, mëshifen dhe, siç thoshte dikur lideri komunist Fadil Hoxha, futen në “birë të miut” dhe nuk guxojnë ta pranojnë përgjegjësinë dhe fajësinë për poshtërsinë dhe pafytyrësinë politike e njerëzore të tyre dhe deklarojnë se “nuk duhet” së kush urdhëroi dëbimin banditesk e mafioz të gjashtë shtetasve të Turqisë, pesë profesorëve të Kolegjit turk “Mehmet Akif” dhe një mjeku.

Pafytyrësia e Presidentit është edhe më e madhe, meqë edhe djali i tij ka kryer shkollimin në këtë kolegj dhe i ka njohur fare mirë mësimdhënësit që i dëbuan, meqë paraprakisht i shpallën si “terroristë dhe persona që rrezikojnë serozisht sigurinë e Republikës së Kosovës”! (Sic!)

Pa kurrëfarë procedure civilizuese e pa kurrëfarë vendimi gjyqësor?!

Si në kohën e Sllobodan Millosheviqit që veprohej ndaj intelektualëve, veprimtarëve e patriotëve shqiptarë!

Hajde “padronë”, hajde!

Mashallah!

Meqë edhe katër fëmijtë i mi e kanë kryer të gjithë më sukses këtë kolegj, natyrisht se edhe unë i kam njohur personalisht shumicën e profesorëve të dëbuar dhe me bindje dhe sinqeritet të plotë mund të deklaroj se asnjëherë nuk kam dëgjuar për ndonjë aktivitet të dyshimtë, e aq më pak “terrorist”, gjatë gjithë kohës së mësimit të fëmijëve të mi në këtë kolegj.

Përkundrazi, unë si prind kam mbetur shumë i kënaqur dhe ndihem fatlum e krenar për faktin se janë edukuar dhe kanë kryer mësimet në këtë institucion arsimor dhe ndihem fajtor dhe i turpëruar, por edhe i trishtuar nga ky akt banditesk i shtetit ndaj tyre.

Dorëheqjet e ministrit të PB dhe drejtorit të AKI-së, paraqesin akt cinik e qyqarë, meqë fajtorët e vërtetë gjënden në paprekur dhe bëjnë edhe më tutje planifikime të tilla antishtetërore e anticivilizuese, duke rrezikuar dhe dëmtuar rëndë imazhin dhe orientimin euro-atlantik e properëndimor të Republikës së Kosovës.

Shpresojmë se ju akt i dëmshëm dhe komprometues i kreut politik të vendit ka arritur kulmin dhe se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare është e pashmangëshme, për të sjellur në mënyrë demokratike një qeversje të re dhe të përgjegjëshme, besnike dhe të sinqertë në orientimin euroatlantik e properëndimor, siç thoshte Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, “në miqësi të përherëshme me SHBA dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat