Palestra e madhe kombëtare sportive të ndërtohet në Vushtrri!

Opinione

Palestra e madhe kombëtare sportive të ndërtohet në Vushtrri!

Nga: Mr. Hajdin Islami Më: 10 prill 2018 Në ora: 12:02
Mr. Hajdin Islami

E nisur para luftës, gjatë kohës së okupimit serb, dhe e përfunduar pas luftës me fondet e qeverisë amerikane, Palestra e Sporteve "Jeton Tërstena-Tota" në Vushtrri nuk po mund t’i plotësojë kushtet e duhura për zhvillimin e aktiviteteve sportive  sipas standardeve të kërkuara.

Përveç aktiviteteve me karakter kulturor e edukativ, që nga viti 2003 në këtë palestër janë luajtur dhe luhen ndeshje të rëndësishme vendore e ndërkombëtare. Karakteri i këtij shkrimi nuk është informues sa është kërkesë drejtuar institucioneve përkatëse, gjegjësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës apo Qeverisë së Kosovës, që në kuadër të projekteve të tyre kapitale për sportin kosovar ta planifikojnë ndërtimin e një Palestre të Madhe Kombëtare Sportive me emrin e dëshmorit "Jeton Tërstena-Tota*" në Vushtrri. Vitin e kaluar (2017) një nga zyrtarët e lartë aktual shtetëror të Kosovës pati premtuar ndërtimin e një stadiumi olimpik në Vushtrri, por pasi stadiumi u vendos të ndërtohet në Drenas i mbetet institucioneve tona qendrore që Palestra e Madhe të ndërtohet në Vushtrri pasi ky qytet ka qenë dhe është qyteti më sportiv në vend. Për të përforcuar edhe më shumë këtë argument tifozët “Forca” çdoherë mbushin binat e stadiumit të qytetit “Ferki Aliu” dhe ulëset e Palestrës, dhe jo rrallë ndodhë që të mbesin jashtë stadiumit dhe palestrës pasi vendet janë të limituara.

Tani kur sporti ynë është ndërkombëtarizuar Kosovësi duhet një Palestër e Madhe Kombëtare Sportive për zhvillimin normal dhe sipas standardeve të ndeshjeve të ndryshme. Shteti i Kosovës i ka borxh vendlindjes së Hasan Prishtinës dhe qindra dëshmorëve e martirëve që t'i jap një institucion të madh sportiv.

Qyteti i Vushtrrisë hyn në mesin e qyteteve që ka numër të madh të klubeve aktive sportive, madje derisa shumë qytete të Kosovës nuk kanë klube sportive që garojnë në Superligat e Kosovës, ka fshatra të Komunës së Vushtrrisë, si rasti i Samadrexhës, ku klubet e tyre sportive garojnë në Superligën e Kosovës në hendboll.

Një tjetër arsye se pse duhet ky objekt sportiv të ndërtohet në Vushtrri është gjithashtu se ky qytet ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe ekonomike, ka një popullsi prej 69.870 banorë, ka rrjet hekurudhor dhe rrugor të mirë me rrugët rajonale dhe kombëtare, është 25 km larg nga Prishtina dhe 42 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari".

*Jeton Tërstena – Tota ishte dekoruar vite më parë me Urdhrin Luftëtar i Lirisë “Adem Jashari” për trimëri në luftën për liri, që i ndau presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat