Rrëfimeve për serbianin katil ishin të pafundme

Opinione

Rrëfimeve për serbianin katil ishin të pafundme

Nga: Gani Mehmetaj Më: 7 prill 2018 Në ora: 09:33
Gani Mehmetaj

Hapat e policëve u dëgjuan prapë në të kthyer.  Kësaj here ecnin gati tinëzisht. Nga mënyra e zhurmës nëpër shkallë sikur bartnin trupa njerëzish, gjësende shtëpiake, apo të dyja bashkë. Diçka tërhiqnin zvarrë nëpër shkallë. Policët dolën duke e lënë derën e hyrjes kryesore të hapur, apo mbase e hapur ishte qëkur u futën brenda me rrapëllimë.       

Edhe shumë kohë pasi ikën policët a rezervistët nuk e biseduan rrëmujën që u krijua disa kate më lart, e dinin që gruaja me dy kalamaj e pësoi, me çfarë pasojash nuk donin ta mendonin. Përpiqeshin të mos e kujtonin as më shumë detaje, nuk e biseduan asnjëherë këtë shpërthim dyersh, nuk donim ta kujtonim as klithmën e kalamajve që i rrëqethi të gjithë. Kohë më vonë u paraqitej në ëndrra skena e lemerishme, të cilën e përfytyronim, sepse nuk e pamë, por nga zërat krijuam tërësinë e ngjarjes, sa shumë ua kujtonte pafuqinë e tyre.

Besmir Drinit i mbeti peng pse s'pati guximin ta ndihmonte, megjithëse asnjëherë nuk e shkoi nëpër mend aktin heroik të shpëtimit të gruas, kishte hallin e familjes me kalamaj që rrinin të shushatur e përgjonin si lepuri gjahtarin. Mjekja fatkeqe i dilte para sysh nga takimet e rastësishme në rrugë, në shkallë, në apartamentin e saj kur i qerasi me kafe, apo kur ata ia dërgonin kalamajtë në ambulancë. 

Mbetën me frikën e tyre. Qetësinë nuk e prishi asgjë deri në mëngjes. Në bodrumin e improvizuar nga dëgjoheshin të gjitha zhurmat, u vendosën tri familje, dy ditë para nisjes së bombardimeve.  Rregulluan disi një kuzhinë të vogël, dhoma tjetër ishte pak më e gjerë me qilarë për gjëra ushqimore, të ndarë me beze të tejdukshme. Në kuzhinë flinte Besmir Drini me gruan shtatzënë e dy fëmijë, të gjithë të shtrirë në dysheme. Dy pleqtë e tij flinin tutje, në një kënd të dhomës, përderisa sipër u rrinin gypat e ujësjellësit e kanalizimit, që përcillnin çdo shkarkim ujërash të tualetit nga apartamentet sipër. Hapësira nuk mjaftonte për një familje, ndërsa tri familjeve të ngjeshura pranë njëra- tjetrës u zihej fryma.

Motra me dhëndrin e dy fëmijë, që erdhën në çastin e fundit, ishin më të zhurmshmit. Gjyshja uloke, afër të nëntëdhjetave, rrinte e përgjonte tërë kohën. Shpesh, pa e dëgjuar bisedën e të tjerëve që asnjëherë nuk ua përfillte fjalën, ndërhynte: -Nuk e dini kush asht serbiani, nuk ia pitë çorbën , - ndërsa fillonte rrëfimet e gjata, të pafundme për kohën kur "hini Serbia e parë, na dogji e na poqi, masanej erdhi nemcja, e qiti fare askerin e Serbisë, u grahte xhadesë ushtarëve serbianë si çobani kur u grah lopëve në kullosë".  Prapë tregonte kur erdhi Serbia e dytë,  - na e bani ma zi se Serbia e parë..." Ajo i ngatërronte kohët, i përziente ngjarjet, i fironin njerëzit, i dilnin nga shiriti i filmit pa e dhënë asnjë sqarim për ta. Dhe nuk e linte askënd të fliste apo të ankohej, kur asaj i vinte dëshira për të rrëfyer. Vrapin e ikjes nga serbiani që e kishte marrë që nga rinia, nuk e pushonte deri kur erdhi në bodrumin e përbashkët. Kështu rrëfente ajo. Rrallë e dëgjonin bisedën e saj deri në fund. Rezervat e rrëfimeve për serbianin katil ishin të pafundme, shpesh të ripërsëritura. Nuk ia kishin ngenë llafeve të gjyshes, së cilës gjysma e fjalëve i fironin nëpër gojën pa dhëmbë.  Ende rrinin të traumatizuar nga ndërhyrja e policisë, ende u ushtonte në vesh klithma e dy kalamajve dhe e nënës së tyre.

Bombardimet vazhduan me intensitet netëve në vijim, ndriçimet e predhave të shpërthyera nuk i shihnin, por krismat e shpërthimeve i dëgjonin, përderisa shkallët e pallatit shungullonin nën peshën e banorëve të kateve sipër, që nxitonin drejt strehimores. Më të filluar bombardimet, gjysma e banorëve të bodrumit ngjishnin fytyrat në dritare, nga e cila u dilte para pjesë e trotuarit me një dritë të zbehtë neoni, e cila shuhej me të nisur alarmi ajror. Dikush shtyhej nga kërshëria, tjetri ankohej se ia shkelën këmbët, i treti kërkonte qetësi, sepse mund t'i pikasnin nga rruga, kurse gjyshja pyeste e bezdisur nga këndi i saj:  - Çka po thotë inglizi?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat