Pse u "zhdukë" leja për punë sezonale në Zvicër ?

Opinione

Pse u "zhdukë" leja për punë sezonale në Zvicër ?

Nga: Lirim Begzati Më: 28 mars 2018 Në ora: 23:22
Lirim Begzati

Në historinë e migracionit të popullatës sonë në Zvicër, është leja për punë sezonale ajo e cila simbolizon fillimin e punësimeve në këtë vendë, gjë kjo që filloi para disa dekadave dhe që paraqet hapat e parë të rrugës së instalimit gati se permanent të njerëzve tanë në këtë shtet.

Rikujtojmë se leja për punë sezonale akordohej për nëntë muajë. Kurse brenda tre muajve të dimërit, punëtori sezonal duhej të kthehej në vendin e vetë. Vetëm përmes një angazhimi serioz në punë, mund të shpresohej nxjerrja e një leje për vitet tjera në vijim. Kërkoheshin së paku katër sezona punë të njëpasnjëshme për realizimin e të drejtës për leje pune vjetore.

Imazhi i punëtorëve sezonalë që vinin nga vendet ballkanike ishte i një niveli pozitiv tejet të lartë. Konsideroheshin punëtorë të vyeshëm, një analizë kjo që reflektonte një realitet të padiskutueshëm.  

Megjithatë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, shteti zvicran vendosi befasisht për tërheqjen e lejes sezonale për ballkanasit. Para se të merrej ky vendim, dukej se sistemi i tillë u bë një objektë interpretimesh të ngjyrave të ndryshme, përfshirë këtu edhe konfuzionet e shumta që shpreheshin këtu e aty !

Nga një anë, statusi sezonal ballafaqohej me disa kritika të ashpra që vinin posaçërisht nga disa qarqe që nuk ishin të kënaqura me disa ndalesa që i impononte statusi i tillë dhe që kishin të bëjnë veçanërisht me ndalesën për bashkim familjar. Kritikuesit i gjenim sidomos në mesin e sindikalistëve dhe disa tendencave majtiste. Mbrojtësit e kauzave sociale dhe humane !

Nga ana tjetër, disa zhvillime si pasojë e transformimeve të lejeve sezonale në ato vjetore dhe ndryshimi gradual i sektorëve të aktivitetit të ballkanasve nuk ishte në shijen e të gjithëve ! Tradicionalisht, një pjesë dërmuese e popullatave tona punonin fillimisht në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe turizmit. Kalimi prej një leje pune sezonale në ate vjetore, e ndryshoi këtë konfiguracion, përmes angazhimit gradual të një pjese të tyre në sektorin e industrisë, etj.

Ky fenomen dukej se vërehej me sy të keqë nga disa qarqe politike zvicrane të cilat pretendonin se gjoja « kategoritë e të huajve që vijnë nga Ballkani nuk posedojnë kualifikimet e përshtatshme për integrim në aktivitete të tilla profesionale ! ».

E fundja, po në të njejtin kontekstë, u shfaqën edhe disa vizione që pretendonin se do të ishte e arsyeshme që, prioritetet e interesit ekonomik të Zvicrës, të përqëndrohen në shtetet anëtare të Bashkësisë Evropiane. Dikushi shkonte edhe më larg duke theksuar se « duhet t’iu japim përparësi popullatave që janë më të afërta me kulturën tonë !». Asaj kohe, ndëgjoheshin edhe komentime të tjera.

Krahas gjithë kësaj, sipas pikëpamjeve të shumicës dërmuese të njerëzve tanë që posedonin statusin sezonal, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kishin asaj kohe ndonjë projekt për vendosje definitive në Zvicër. Kështu që, çështja e bashkimit familjar nuk paraqitej asaj kohe si një prioritet madhor. E fundja, pas vetëm pak viteve punë sezonale mund të fitohej leja stabile e qëndrimit dhe, si pasojë e kësaj, e drejta për bashkim familjar.

Në kontekstin e kohërave të atëhershme, analiza e « zhdukjes » së lejeve sezonale nuk mund të kufizohet vetëm në këto elemente sqaruese që i cekëm. Sipas vlerësimeve të disa analistëve, duket se ndikuan edhe disa faktorë të tjerë të cilat përshpejtuan marrjen e vendimit të tillë, ndër të cilat do t’i theksonim :

Së pari, arrdhja masive në vitet e nëntëdhjeta të azilkërkuesve nga vendet e ndryshme ballkanike, duket se, në mënyrë direkte apo indirekte, i shtyu autoritetet të marrin disa masa për menaxhimin apo edhe kufizimin e numrit të personave që vinin nga Ballkani perëndimor.

Së dyti, shtimi i akteve të paligjshme dhe i kriminalitetit të personave me origjinë ballkanike, shkaktoi, në mënyrë progresive, instalimin e një klime negative në këndvështrimin e perceptimit të popullatës zvicrane ndaj njerëzve që vinin nga Ballkani.

Nëse iu bëjmë një analizë më të thelluar tendencave që e kritikonin statusin sezonal, posaçërisht në emër të disa të drejtave (për bashkim familjar, etj), mund të thuhet lirisht se nuk jemi sot aspak të sigurtë se ata « dashamirës » i mbrojtën siç duhet interesat e ballkanasve të cilët shprehnin interesimin për me punuar në punë sezonale në Zvicër.

Në fakt, ata u përqëndruan më tepër në kritikën e një sistemi se sa në propozimin e ndonjë alternative tjetër të mundshme që do të lejonte vazhdimësinë e një statusi sezonal të « përmirësuar ».

Sot, « ringjallja » e këtij statusi të së kaluarës duket si i parealizueshëm. Bile edhe disa tentativa për hapjen e mundësive për leje sezonale vetëm disa mujore (tre apo katër) për ballkanasit kanë pësuar dështime në konkretizimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat