24 marsi, dita që ndryshoi historinë e Kosovës

Opinione

24 marsi, dita që ndryshoi historinë e Kosovës

Nga: Harry Bajraktari Më: 23 mars 2018 Në ora: 22:55
Harry Bajraktari

Emërkurja e 24 Marsit të vitit 1999,  para 19 vjetësh, ndryshoi tërësisht historinë e Kosovës. Në këtë ditë, fillo fushata e bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe. 

Në orën 8:00 të mbrëmjes, ishte caktuar afati i fundit për Beogradin që ta pranonte marrëveshjen e Rambujesë, përndryshe do të bombardohej. Këtë ditë Kosova, dhe të gjithë shqiptarët jashtë saj dhe ne në SHBA me padurim e prisnin skadimin e afatit të kësaj ore dhe pritnim ramjen e bombave të para kundër Serbisë nga Aleanca Veriatlantike (NATO). Diplomati i fundit për ta bindur kasapin e Ballkanit në Beograd, ishte Holbrooke, por për fat të mirë të Kosovës, regjimi i tërbuar i Millosheviqit, nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij hegjemonist, duke refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes së njohur të Rambujesë. Dhe, më në fund, e gjeti atë që e kërkonte.

SHBA dhe Mbretëria Britanike tashmë ishin bindur se fjalët dhe kërcënimemet tek ai nuk mund të kryenin punë. Shqiptarët e Kosovës mbi 100 vjet luftuan dhe u bënë sakrificë e lirisë, brez pas brezi. 24 Marsi i vitit 1999 erdhi pas shumë masakrave që bënë forcat serbe mbi popullatën civile shqiptare dhe pas një lufte të pakompromis të UÇK-së kundër këtyre forcave. Dhe 24 Marsi hyri në historinë tonë kombëtare, si ngjarje e madhe që rrëzoi epokën e barbarisë serbe dhe hapi epokën e lirisë për shqiptarët e Kosovës. Ky qe bombardimi i parë i NATO-s pas Luftës së Dytë Botërore ndaj një shteti terrorist, siç ishte Serbia.

Isha i bindur se rënia e bombave të para, do të ndryshonin rrënjësisht historinë e Kosovës. Dhe, kjo ndodhi, për fatin tonë të mire. Kosova sot është shtet demokratik dhe i pavarur, i njohur nga 115 vende të botës. Në këtë përvjetor të 19-të, dëshiroj t;i theksoj fjalët që i tha Presidenti i SHBA, Bill Clinton nga zyra e tij Oval për Kosovën, se "Mbyllja e kësaj tragjedie, gjithsesi, është imperativ moral. Nuk do të lejojmë të përsëritet më një Bosnje e dytë".  Për shkak se Ballkani ka qenë zonë luftrash e konfliktesh, mundësia e ndonjë konflikti tjetër ende nuk është hequr. Nëse e shikojmë Kosovën në këtë prizmë, ajo ka obligim kushtetues që sa më shpejt dhe sa më parë ta formojë ushtrinë e vet dhe në këtë mënyrë t' i dalë zot territorit të saj. Ushtria është e drejtë ndërkombëtare e secilit shtet, e Kosova s'mund të jetë përjashtim. 

Hapin tjetër Kosova do të duhej të bëjë në anëtarësimin e saj në NATO, bashkë me Maqedoninë në krijim të një zonë të sigurt në rajon, duke pasur parasysh se Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të kësaj Aleances Veri-Atlantike. Kosovës i uroj shumë sukses në zhvillimin e proceseve demokratike, në zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit dhe në afirmimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë së bashku ta ndjemë peshën e shtetit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat