E vizat?

Opinione

E vizat?

Nga: Lis Bukuroca Më: 22 mars 2018 Në ora: 21:15
Lis Bukuroca

Gazeta Bota Sot njofton për disa reagime të Bashkësisë Europiane, por edhe gazetat tjera bëjnë të ditur për një plotësim- kërkesë të ambasadorit gjerman. Te e para thuhet se ekzistojnë edhe dy kushte për anulimin e vizave, kurse ambasadori gjerman thotë se “ka akoma shumë punë për t’ u bërë.” Ai deklaron se papunësia është e madhe dhe nënvizon garantimin e kredive nga qeveria gjermane për zhvillimin e bujqësisë. Te Bota Sot shkruhet për dy kërkesa: Luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit. Ato qenkan kushte kryesore, kurse për ambasadorin gjerman, është edhe punësimi. Çfarë domethënë kjo? Kjo domethënë se BE nuk dëshiron të shpërblejë këtë klasë lapere politike me heqjen e vizave, por dëshiron që këta, që kanë krijuar një shtet privat, tribal, të burgosin njëri tjetrin edhe vetveten!

Me një papunësi kaq të madhe, duke pasur parasysh edhe mundësin e lidhjeve familjare jashtë, e mundur se Gjermania druan një zhvendosje gati kolektive të rinisë. Kjo mund të jetë edhe droja e Europës: Frikën e tyre kanë mund ta rrisin edhe fotografitë e shpeshta para ambasadave. Ndoshta edhe burrecët e përdalë, që ndryshojnë qëndrimet si gratë në shtëpinë publike burrat, nuk do të shpërblehen nga BE me anulimin e vizave dhe nuk do t’i lejohet kleptokracisë për t’ u stabilizuar për dekadat e ardhshme. 

Ata kërkuakan edhe luftimin e korrupsionit dhe krimit. Një luftë në ato fusha do t’ ishte shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë se sa vija kufitare! Kush duhet ta bëjë? Ata që e kanë ndërtuar shtetin e korruptuar dhe shtetin kriminel? Nuk është e mundur,  as që mund të shpresohet, e as që mund të realizohet. Ne kemi në krye shumë politikanë, që në biografitë e veta nuk përmendin se kur dhe çfarë studime kanë mbaruar. Kemi një klasë lapere, që merret me politikë dhe e cila nuk njeh asgjë tjetër pos interesit të vet.

Kemi një Kuvend rrastë me njerëz të paarsimuar apo përgjysmë të arsimuar. Kjo klasë politike ka edhe dëshirë të bëjë diçka, por pikësëpari duhet të pasurohet vet dhe të punësojë fisin. Pastaj vetëm dëshira nuk mjafton, sepse mundësia e tyre psikike është tepër e vogël për të mos thënë mungon në tërësi. Kemi një elitë politike të retarduar. Ata dinë më mirë të shajnë nanën dhe robtë, se sa të mendojnë dhe të flasin. Sharja është mundësi e lehtë e njeriut primitiv, sepse nuk nevojiten tru funksional.

Ne jemi të korruptuar deri në majë të shtetit dhe si do të luftonte i korruptuari të korruptuarin? Ne vërtetë nuk dimë kush nuk është i korruptuar. Mund të supozohet se nuk është Bexhet Pacolli pse ka shumë pasuri dhe Albin Kurtit, që ka vetëm ideal, por ju Albinin nuk e doni dhe ne kemi frikë nga dogmatizmi tij dhe vardisja salafitëve.

Ne më shumë do të kishim aftësi të përhapim krimin nëpër Europë dhe korrupsionin, se sa ta luftojmë atë. Ne, drejtuesit e krimit dhe korrupsionit, i kemi nëpër shumë vende udhëheqëse, madje edhe nëpër prokurori, gjykata, universitete dhe akademi.

Ne nuk kemi as shtëpi të zotit pa korrupsion!

E si të luftohet ju lutem korrupsioni?  Neve na duhet një FBI si në Shqipëri, që nuk shikon origjinën dhe emrin, por drejtësinë. Shikoni, kryeministri ka shkarkuar nëpunës pa shikuar se kush ishin. Ai shkarkon kundërshtarë. Këtë e din, por më tepër nuk i duhej! Ai ia rras gjumë në Kuvend dhe thotë se e ka bërë shprehi në Gjykatën e Hagës. Hashimi liron nga burgu një njeri që ka vrarë njerëz. Kadri Veseli ishte shef i një shërbimi për të cilin ka dyshime se është marrë me likuidime! E kush ju lutem të luftojë korrupsionin dhe krimin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat