Demarkacioni ia shpalosi fytyrën e vërtetë Haradinajt dhe Limajt

Opinione

Demarkacioni ia shpalosi fytyrën e vërtetë Haradinajt dhe Limajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 21 mars 2018 Në ora: 23:26
Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Debati i së martës në seancën e jashtëzakonshme për miratimin e Demarkacionit, ia shpalosi fytyrën e vërtetë kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrit të tij, Fatmir Limaj.

Dy pushtetarëve, të cilët sa ishin në opozitë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje thoshin se me këtë marrëveshje, Kosova humb territor dhe si e tillë duhet të anulohet në tërësi.

Madje, për të pamundësuar miratimin e saj në Kuvend, ata zgjodhën një metodë të panjohur deri atëherë, atë për hedhjen e gazit lotsjellës në seancë që pamundësoi mbarëvajtjen e punës së Kuvendit për më shumë se gjashtë muaj. U organizuan edhe protesta të dhunshme në kryeqytet që çuan vendin në një klimë të lufte.

Pas rënies së Qeverisë së Isa Mustafës dhe koalicion me PDK-në në momentin e fundit të afatit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore në KQZ, Haradinaj dhe Limaj gjatë tërë fushatës premtonin se do të anulonin këtë marrëveshje.

Por, ardhja e tyre në krye të Qeverisë dhe fjalimi i tyre në seancën e së martës tregoi se çështja e kufirit paska qenë një kauzë vetëm sa për t’iu mundësuar ardhjen në pushtet.

Për faktin se në fjalimin e tij, Limaj u tha deputetëve votojeni Demarkacionin se marrëveshja në mes të dy presidentëve detyron të dyja palët që eventualisht të korrektojnë kudo që është gabuar gjatë gjithë vijës kufitare.

Nëse analizohet me kujdes deklaratën e kreut të NISMA-s, të len të kuptosh për një ndryshim të qëndrimit të tij, por në mënyrë diplomatike.

Tash Limaj po thotë për gabime eventuale (nëse ka), nuk po shprehet i sigurtë sikurse që thoshte gjatë kohës sa ishte në opozitë se Kosova po humb territor. Me këtë, Limaj shfaq mosbesim edhe ndaj raporti me të gjeturat e Komisionit të Shpejtim Bulliqi që u emërua nga Qeveria që ai është pjesë e saj.

Më e keqe ishte deklarata e kryeministrit, Ramush Haradinaj, teksa po kërkonte përkrahjen e partive politike për Demarkacionin.

Deputetëve të LDK-së dhe PDK-së, ai u tha se ju jeni në rregull, sepse po e votoni Demarkacionin me versionin e Murat Mehës, pa ndryshuar një pikë ose presje.

Kurse, deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të Grupit të Pavarur të Dardan Molliqajt, u thoshte votoni edhe ju, sepse në këtë marrëveshje është si pikë orientuese Raporti i Shpejtim Bulliqit dhe Deklarata ndërmjet të dy presidentëve për formimin e një Komisioni të përbashkët për korrigjimin e kufirit në Çakorr dhe në Kullë të Zhlebit.

Në këtë mënyrë, Limaj dhe Haradinaj për të ndenjur edhe disa muaj në pushtet, u kërkuan deputetëve që të votojnë këtë marrëveshje ku Malit të Zi njëherë do t’i kalojnë mbi tetë mijë hektarë tokë sipas Raportit të Bulliqit, e tani mbetet në mirëbesim të zyrtarëve të këtij shteti, nëse ata shprehin vullnet për të krijuar komisionin për korrigjimin e kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat