Orientimi në karrierë i përgjegjësve të arsimit në Kosovë

Opinione

Orientimi në karrierë i përgjegjësve të arsimit në Kosovë

Nga: Gentian Jetishi Më: 20 mars 2018 Në ora: 23:05
Gentian Jetishi

Që nga viti 2013 Qendra për Edukim, Motivim, Karrierë dhe Sukses ‘Identiteti’ e njohur si QEMKS ID ka zhvilluar me dhjeta  aktivitete nga fusha e edukimit jo formal, motivimit për sukses dhe përgatitjes për karrierë dhe jetë të suksesshme.

Programe nga fusha akademike, njohuri plotësisht praktike kanë marrë me qindra nxënës e student ferizajas përmes aktiviteteve të QEMKS ID Ferizaj, programe të realizuara vullnetarisht dhe plotësisht falas nga kjo organizatë.

QEMKS ID pati propozuar që në kuadër të programeve shkollore të futet lënda e Orientimit në Karrierë, e cila më pas qe inkorporuar si lëndë zgjedhore në disa shkolla të mesme në Kosovë. Ndërkohë disa universitete private më pas kanë përvijuar me programe të tilla gjithandej ku është lejuar qasja në shkolla të mesme nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Në anën tjetër edhe pse QEMKS ID ka qenë e para që ka operuar  me këtë projekt,  me ide dhe aktivitete konkrete. Këto ide të organizuara disa vite me radhë ia ka propozuar DKA Ferizaj, për të cilat asnjëherë s’ka marrë përgjigje për të vepruar. Jo formalisht në njërën nga herët ish drejtori i Arsimit të Ferizajt u ka thënë përgjegjësve të organizatës se DKA u ka ndaluar të gjitha organizatave për të zhvilluar aktivitete në shkollë, por kjo s’ka vlejtur edhe për universitetet private e disa organizata  të afërta me politikën.

Gjithsesi në fund të vitit të kaluar ‘Orientimi në Karrierë’ është përmbledhur në një libër, madje i pari i kësaj fushe, që në fillim të këtij viti i është propozuar Ministrisë së Arsimit për botim, e më pas edhe DKA Ferizaj por edhe një shtëpie botuese me nam.

E para nuk ka dhënë ndonjë përgjigje as brenda as pas afatit ligjor, ndërsa kjo e fundit është pyetur në privat dhe madje një kopje e librit i është dhënë vet drejtorit të kësaj drejtorie por nuk është hasur ndonjë gatishmëri e këtij institucioni për të sponzoruar këtë libër sikur që janë sponzoruar të tjerë libra tjerë.

Në anën tjetër sot në faqen e Komunës së Ferizajt lexova që Drejtoria e Arsimit në Ferizaj ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me dy biznese private në ‘orientimin në karrierë’ të cilën madje as që e kanë definuar se çfarë lloj i aktivitetit është.

Tamam si në skeçet e pas luftës kur qytetarët nuk e respektonin Policinë e Kosovës (atëherë ShPK-në) por nëse një policë shqiptar u fliste serbisht do i frikësoheshin dhe nënshtroheshin menjëherë,  të njëjtën psikologji e ka bartë gjithë struktura që ka administruar me arsimin kosovar (e ndoshta jo veç ajo e arsimit).

Nëse një organizatë fletë anglisht, gjermanisht apo ndonjë gjuhë perëndimore e ka pas të lehtë të shtyjë projekte në kuadër të sistemit shkollor në Kosovë, i cili vit pas viti, krahas tjerave edhe për shkak të eksperimentimit ka devalvuar deri këtu sa që të krijohet bindja se është i pariparueshëm.  Ndërsa nëse një organizatë u ka folur shqip, por që s’ka ndërlidhje me politikën, ajo është injoruar gjithnjë.

Gjithsesi librin ‘Orientimi në karrierë’ tashmë e kemi përkthyer në anglisht , cili është i nxjerr në treg për komunitetin virtual, kuptohet vetëm në versionin anglisht. 

Versioni  shqip, me siguri do  t’i vije momenti  dhe do të shoh dritën. Sikur që kjo vepër e jona modeste si organizatë por edhe si autor i librit, nuk përbënë ndonjë mrekulli dhe shpëtim, aq më pak të besojmë që arsimi përmirësohet me performancë që të lënë përshtypje pune, e në fakt janë plotësisht të zbrazët.

Kurdoherë që ngopen nga këto performanca  dhe që interesohen për të vepruar konkretisht QEMKS ID me gjithë strukturën e saj por edhe aktivistët që kanë përfituar nga kjo organizatë e që shënojnë suksese gjithandej, është e gatshme që ta ndihmojë arsimin që të lëviz e të përparoj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat