Rusia pas rizgjedhjes së Putinit

Opinione

Rusia pas rizgjedhjes së Putinit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 20 mars 2018 Në ora: 18:48
Sherif Ramabaja

Në mediat gjermane, dje dhe sot, në qendër të vëmendjes ishte zgjedhja, apo më mirë të thuhet rizgjedhja e presidentit të Rusisë. Javët e fundit në Gjermani askush nuk shkruante apo fliste për zgjedhjet presidenciale ruse, po vetëm për rizgjedhjen e Putinit si president. Kjo ishte e sigurt kur merrej parasysh, ndalimi për të garuar për liderin kryesor të opozitës Nawalny. Synimi i Putinit ishte që zgjedhjet t`i fitoj me një rezultat sa më të thellë. Këtë synim e arriti duke iu falënderuar organizimit të ekipit të tij. U organizuan autobusë për t`i bartur zgjedhësit. Punonjësit shtetëror ishin po ashtu të detyruar ta jepnin votën e tyre. Nxënësit dhe studentët po ashtu. Një numër njerëzish frikoheshin ose kërcënoheshin me spote, parulla, SMS dhe kanale televizive.

 Një person është që e drejton kursin e politikës së jashtme ruse dhe ai është personalisht Putini. Kësaj bote të armiqësuar me Rusinë, Putini i kundërvihet me ballin hapur. Pra ky është argumenti që atij i krijon sukses te votuesit e tij. Premtimi që ta rikthej Rusinë në kufijtë e saj i bënë rusët krenar. Problemet dhe hallet e tyre të përditshme ekonomike dhe mirëqenia e humbin prioritetin. Tentimi për tu kthyer në arenën ndërkombëtare është dëshirë kryesore e rusëve. Për ta më me rëndësi është që të jenë prezent në vendimmarrjet botërore, sesa të dalin nga izolimi  në të cilin janë zhytur.

 Nga analistët gjerman Rusia përshkruhet për nga numri ushtarakisht shumë e madhe, po ekonomikisht një xhuxh. Putini nuk e kishte vështirë fitoren në vendin e tij pasi vetë prente e vetë qepte, si ia donte qejfi. Në realitet në arenën ndërkombëtare e presin dilema të mëdha. Shtrohet pyetja:  si do të vazhdoj tutje Moska? - cilat janë sfidat që e presin Putinin në funksionin e tij të rizgjedhur pas 18 viteve në pushtet, plus tash edhe 6 vite te tjera.

Putini është më tepër i dhanun dhe i përkushtuar për politikën e jashtme se sa problematikën e brendshme. Kjo i sjell sukses në qeverisje dhe është pa alternativë. Fjala e tij është ligj në Rusi. Dilemë e madhe për te do të jetë SHBA. Ai  do të përpiqet me çdo kusht që t`i ik konfrontimit me fuqinë më të madhe botërore, SHBA-të. Do të orientohet në programe bërthamore për ta ruajtur baraspeshën ushtarake me SHBA-të sepse i mungon fuqia ekonomike për të investuar në armatimet e llojeve të tjera, ashtu siç veprojnë SHBA-të.

Hyrja e Rusisë në konfliktin sirian para tre vitesh nuk dihet se si do të përfundoi. Deri më tash është munduar të gjej zgjidhje ushtarake, por pa sukses. Organizimi i konferencës së paqes nga Rusia në Sotschi (Rusisë) konsiderohet si e dështuar. Përpos Rusisë në konflikt është i përzier edhe Irani dhe Turqia që kanë po ashtu interesa të ndryshme.

Marrëdhëniet me Evropën paraqesin po ashtu një sfidë për Rusinë. Kishte diferenca gjithherë mes Anglisë e Rusisë, po tash së fundi rasti i helmimit me helm nervor të agjentit rus në Londër, këto marrëdhënie i ka sjellur në një pikë kritike. Londra drejtpërdrejt e akuzon Rusinë dhe presidentin Putin, si urdhër dhënës të sulmit. Dëshmitë janë prezantuar dhe janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë për ta hulumtuar rastin. Putini me këtë tregon dorën e tij të zgjatur se, askush si shpëton ndëshkimit të tij. Në këtë rast marrëdhëniet do të përkeqësohen edhe me Gjermaninë dhe Francën, që po ashtu qëndrojnë prapa Anglisë. Përkeqësimi i këtyre marrëdhënieve politike me EU-në do të kenë pasoja edhe në planin ekonomik. Gjermania do ta ketë vështirë që ta përkrah projektin e gazsjellësit “Pipeline projekt Nord Stream 2” që është paraparë të kaloi nëpër detin Baltik, e ku Rusia ekonomikisht do të përfitonte shumë, duke iu shmangur Ukrainës me të cilën ndodhet në konflikt.

Marrëdhëniet me Kinën sipërfaqësisht janë të mira, po në realitet Kina po e shtrin ndikimin e saj jo vetëm në Azi, po edhe në Ballkan dhe Evropë duke rrezikuar ndikimin rus. Kur është në pyetje për çështje të sigurisë Rusia i bashkohet Kinës kundër dominimit të SHBA. Shpresa e Putinit për ta orientuar ekonominë e tij drejt Kinës dhe Azisë dhe për t`i ikur varësisë së ekonomisë të EU mund të quhet si e dështuar. Pra dallimet shumë të mëdha në mes të Kinës në rritje dhe Rusisë me ekonomi në stagnim janë evidente. Duke dështuar në këtë drejtim Rusia po mundohet ta shtrij dominimin në Arktis për lëndë të para.

Përpjekje kohën e fundit ka bërë Moska për t`i përmirësuar marrëdhëniet me Japoninë, po çështjen e rëndon kontesti i ishujve, i pazgjidhur mes dy vendeve. Pra Rusia edhe këtu dështon për të gjetur partner në lindjen e largët.

Të gjitha këtyre pyetjeve Putini duhet t`u jap përgjigje viteve të ardhshme. Për çdo dështim kuptohet faji hudhet në taborrin tjetër. Më saktë, Putini paraqet teoritë e konspiracionit “Që ekzistojnë sot në Botë kundër Rusisë”, për ta shpëtuar veten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat