Quo Vadis Maqedoni?!

Opinione

Quo Vadis Maqedoni?!

Nga: Prof. Dr. Sunaj Raimi Më: 19 mars 2018 Në ora: 18:53
Prof. Dr. Sunaj Raimi

Çdo herë kur shqiptarët e Maqedonisë fitojnë ndonjë të drejtë juridiko-politike, siç ishte këto ditë rasti me votimin e Ligjit për avansimin e gjuhës shqipe, sikur me nje shtypje të sustës aktivizohen strukturat nacionaliste maqedone. Duket se këto struktura destruktive as natën nuk bëjnë gjumë, e as ditën nuk hanë bukë, për arsye se janë të obsesionuar me satanazimin e shqiptarëve dhe pengimin e demokratizimit të Maqedonisë.

Qëllimi është i qartë: të minohet çdo iniciativë për avansimin e të drejtave të shqiptarëve, duke u penguar zhvillimi i tyre si element shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Bazuar në këto premisa, ditëve të fundit patëm rastin të shohim shfaqje mizerable të një huliganizmi politik të paparë, duke filluar nga Parlamenti i Maqedonisë ku ishkryeministri maqedonas Gruevski tregon muskujt para Kryeparlamentarit Xhaferi, e deri tek grupet shoviniste primitive, të cilët duke protestuar në rrugë bëjnë thirrje për linçim të disa personaliteteve politike shqiptare dhe maqedonase.  

Shqetëson fakti se pas miratimit të Ligjit për gjuhët, këto struktura konservative e huligane që organizojnë protesta anakronike çdo ditë, në gjirin e tyre kanë rekrutuar edhe autoritete fetare të Kishës Ortodokse Maqedone (Priftërinj), të cilët me prezencën e tyre nëpër këto fjalime e veprime nacionaliste, i hedhin vaj zjarrit që mund ta ndezë krejtë Shtetin. Në rend të parë, është obligim i Partive Politike shqiptare, si dhe e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni që të tregohen vigjilente ndaj rreziqeve të tilla, duke ua bërë me dije strukturave të tilla nacionaliste maqedone se Populli shqiptar nuk frigohet nga këto kërcënime, sepse ai gjendet në vatrat e veta shekullore, andaj dhe i meriton të gjitha të drejtat që i gëzojnë bashkëqytetarët e tyre maqedonas.

Nëse kjo ikonografi nacional-shoveniste nuk ndalohet nga Shteti dhe institucionet përkatëse të tij (Prokuroria, Gjyqi, Policia), atëherë Shqiptarët do të ndjehen të frustruar dhe do të detyrohen të ndërmarrin veprime reciprociteti me antiprotesta, që do ta nxehte edhe më shumë situatën politike të tensionuar. Prandaj, Faktori politik shqiptar në Maqedoni, së bashku me Faktorin politik maqedonas në Qeveri, duhet ta analizojnë hollë e mirë situatën e tensionuar në Vend, duke ua bërë me dije të gjithëve se nëse nacionalistët maqedonas ndezin ndonjë konflikt ndëretnik të ri, Maqedonia përfundimisht do të zhbëhet, do të copëtohet, ku humbësit më të mëdhenj do të jenë pikërisht Maqedonasit.

Mu për këto arsye, këtyre grupeve nacionaliste që çdo ditë po e shqetësojnë opinionin publik në Maqedoni me fjalimet dhe veprimet e tyre huliganeske, duhet t’u bëhet e qartë se realizimi i të drejtave të shqiptarëve për barazi është një domosdoshmëri, sepse nëse Shqiptarët s’kanë rahati, nuk do të ketë as Maqedoni!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat