Servilizmi i Donikës ndaj pushtetit të Ramushit

Opinione

Servilizmi i Donikës ndaj pushtetit të Ramushit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 17 mars 2018 Në ora: 09:46
Donika Kadaj-Bujupi dhe Ramush Haradinaj

Për moralin në politikë  është thënë dhe është folur gjithmonë. Filozofët e politikës, ndahen në dy grupe kryesore: Në ata që besojnë se politika nuk ka lidhje fare me moralin, se qëllimi justifikon mjetin (makiavelizmi) dhe në ata që besojnë se politika e vërtetë nuk mund të pllenohet dhe të ketë sukses jashtë moralit, madje është atribut i moralit. Një nga filozofët më të shquar të politikës në ditët e sotme, burrë shteti gjerman, Erhard Epler, në librin e tij krejt të veçantë dhe gati shpëtimtar “ Rikthimi i Politikës”, beson se përdorimi i termave moralë në politikë, më shpesh është një instrumentalizim spekulativ. Epler thotë: Gjithmonë kur politikanët flasin për moral, këshillohet për të tjerët një mosbesim. Morali është tërësia e pikëpamjeve, bindjeve, për të mirën dhe të keqen etj., në një shoqëri të caktuar, morali ka një karakter relativ të lëvizshëm, shpesh kontradiktor.

Kosova ka krijuar ngjarje për të cilat askush nuk ndihet krenar, mungesa e moralit politikë dhe servilizmi. Servilizmi është bërë mënyrë sjellje, është bërë mënyrë e të menduarit dhe është bërë mënyrë e të vepruarit. Me fjalë të tjera, servilizmi ka arritur që të ndërhyjë në ontologjinë karakterologjike të njeriut. Nëse nuk sillesh si servil, nëse nuk flet si servil, nëse nuk mendon si servil, do të konsiderohesh i papërshtatshëm. Taktika dritëshkurtër e përfitimit dhe përdorimit të servilizmit për të arritur qëllimet meskine, janë shndërruar në model- politikë. Politika ka krijuar modelin e Donika Kada-Bujupit, e cila pa fije turpi  rikthehet aty ku deri dje ka vjellë vrerë. Donika si pjesë e sistemit  të ndërtuar mbi servilizmin ka arritur  që të shndërrojë edhe shoqërinë në një shoqëri servile, të paaftë dhe të pavullnetshme për të kundërshtuar këtë sistem, këtë model dhe këtë mendësi. Pothuajse, të gjithë sot në politikë janë pa fije morali dhe suficit të servilizmit. Pas kalimit të Donikës në anën e së keqes, sigurisht s`do mbahet pa u shpaguar, si fillim lirimi nga të gjitha lëndët nëpër gjykata. Pastaj, dhënia e ndonjë posti, mundësisht ndonjë ambasadore. Karamelet e pushteti janë të këndshme për Donikën, e cila shfaqi fytyrën e vërtetë të saj. Lakmia për pushtet ia verboi sytë. Pushtetet politike janë të përkohshme. Morali dhe zhvillimi shoqëror janë të përjetshme. Vendi po vazhdon të zhytet në greminë, derisa divergjencat e politikës i bashkon lakmia për pushtet, famë dhe para. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka ardhur koha të përzgjedhim moralin e përgjegjësisë. Vendi ka nevojë sa me më pak Donika dhe sa me shumë njerëz të moralshëm, jo servilë dhe të dinjitetshëm. Ka ardhur koha që morali politikë të jetë pjesë përbërse e jetës sonë politike dhe shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat